Zyra e Kryeministrit

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Sveçla në konferencën për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës

15 Qershor, 2023


Prishtinë, 15 qershor 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

Të nderuar gazetarë të pranishëm,
Të dashur qytetarë,

Mirëmëngjesi dhe ju falënderojmë që i jeni përgjigjur ftesës sonë për këtë konferencë për media.

Sapo përfunduam Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, që u mbajt duke marrë si temë veprimin agresor të Serbisë dje, e cila rrëmbeu tre zyrtarë të Policisë së Kosovës në brendi të territorit të Republikës sonë.

Me anëtarët e Këshillit të Sigurisë diskutuam për situatën e përgjithshme të sigurisë, me theks te katër komunat në veri të vendit dhe brezit kufitar me Serbinë. Institucionet e sigurisë dhanë vlerësimet e tyre, ndanë të dhënat më të fundit dhe gjithashtu propozuan rekomandime.

Rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës që po lufton krimin dhe intencë për përshkallëzim e destabilizim në kohën kur ne tashmë kemi propozuar planin 5-pikësh për depërshkallëzim, pra deeskalim dhe për normalizim.

Për këto arsye institucionet tona të rendit dhe sigurisë kanë e rritur nivelin e gatishmërisë.

Për arsye të sigurisë, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm, janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet e automjeteve që vijnë nga Serbia, sidomos ato transportuese.

Cenimi i djeshëm i kufirit nga Serbia, na detyron që të rrisim kontrollet kufitare, që varësisht nga analizat dhe vlerësimet e vazhdueshme të institucioneve të sigurisë mund të përfshijnë edhe ndalesa të qarkullimit në rastet kur vlerësohet se mund të përbëjnë rrezik apo nuk mund të garantohet siguria.

Veprimet e radhës do të merren në bazë të rekomandimeve të institucioneve përkatëse.

Synimi ynë është siguria e siguria fillon te kufijtë.

Ne edhe një herë kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policorë dhe u bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë dhe të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar.

Serbia nuk ka ndryshuar asnjëherë në qëllime, motive dhe apetite. Nuk është se po na befason me sjelljen e saj. Ajo çfarë është e çuditshme është heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtarë ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht kërkon pretekste për eskalim dhe destabilizim. E kur nuk ka, atëherë është e gatshme dhe sigurisht e aftë që t’i krijon ato. Rrëmbimi i tre Policëve të Kosovës është dëshmia më e qartë dhe më e freskët për këtë.

Ju falemnderit e tash po ia kaloj fjalën Ministrit të Punëve të Brendshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Xhelal Sveçla.

—-

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla:

I nderuar Kryeministër,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur qytetarë,

Ligjshmëria dhe kushtetutshmëria në një shtet janë parime normale e vlera të demokracisë. Si shtet me aspirata dhe orientime demokratike, jemi kundër antitezave të saj dhe gjithmonë në përkushtim të plotë të ruajtjes së rendit dhe një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim. Javëve të fundit, Republika e Kosovës është përballur me tentativa për destabilizim të vendit e përshkallëzim të situatës në veriun tonë. Këto tentativa, adresat e urdhëresat i kanë në Beograd, tek fqinji ynë fatkeqësisht armiqësor ndaj nesh, e që qasjen e tillë e përsërit në mënyrë konstante e në vazhdimësi.

Ajo çfarë kemi parë e kemi qenë dëshmitarë gjatë javëve të fundit, janë grupet e maskuara kriminale të dirigjuara dhe orkestruara nga Beogradi, të cilët paturpësisht kanë sulmuar jo vetëm Policinë e Kosovës, por edhe KFOR-in, juve mediave e qytetarët tanë. Ata janë sulmuar me armë zjarri, shok bomba, molotova e mjete të tjera të forta. Pra, ndonëse që dy vite Policia dhe të gjithë ne ballafaqohemi me sulme e me akte kriminale të bandave në veri, 3 javët e fundit kanë qenë më aktive dhe natyrisht kjo vjen si revoltë ndaj veprimeve tona me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjshmërisë në atë zonë.

Si pasojë e këtyre sulmeve, një numër i konsiderueshëm i ushtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës kanë mbetur të lënduar. Dëshmi këto që tregojnë për masën e dhunës së ashpër dhe burimin e këtyre akteve kriminale. Protestat nuk kanë qenë të qytetarëve, por të prirura nga grupe kriminale famëkeqe e të dërguara me porosi nga Beogradi si “Rojat e Urës”, “Mbrojtja Civile”, “Night Wolves”, “Severna Brigada”.
Liderë të këtyre grupeve të ardhura nga Beogradi, nuk janë të panjohur për autoritetet tona, pasi njihen veprat e aktet e tyre kriminale ndër vite. Një nga ta, udhëheqës në “Mbrojtjen Civile”, Milun Milenkovic-Llune, falë punës së shkëlqyer të Policisë së Kosovës, u arrit të arrestohej. Historiku i dosjes së tij kriminale, tregon për aktivitetet dhe sulmet e paligjshme të ndërmarra ndër vite, lista e të cilave është shumë e gjatë e përmban sulme dhe terror ndaj qytetarëve por edhe forcave të rendit e forcave ndërkombëtare të sigurisë në të shkuarën e në të tashmen.

Të acaruar nga prishja e planeve të tyre, nga puna jonë për ruajtjen e rendit dhe ligjit në vend dhe vënia para drejtësisë e këtyre kriminelëve, Beogradi ndërmori një hap të papranueshëm dhe të dënueshëm duke kidnapuar tre zyrtarë tanë policorë. Kidnapimi i ndodhur ditën e djeshme, është zhvilluar sipas një plani të planifikuar nga Njësiti Special Anti-terror në kuadër të xhandarmërisë së Serbisë (SAJ – Specijalna antiteroristička jedinica)dhe Njësiti Special i Ushtrisë së Serbisë “Kobra” në zonën kufitare Bare – Tresave (Leposaviq).

Ditën e djeshme kam vizituar lokacionin ku ka ndodhur ngjarja, i cili ndodhet rreth 1 km brenda kufirit tonë. Bëhet fjalë për një rrugë ku më herët ka pasur kontrabandë dhe pikërisht ajo rrugë është bllokuar nga ana jonë. Pra, rruga është e ndarë në mes, me dy gropa të njëpasnjëshme dhe ka qenë e pamundur që policët të kalojnë në territorin e Serbisë, ashtu sicc propaganda e Beogradit thotë.Kjo është pastër një deformim i ngjarjeve në terren, për t’i ikur përgjegjësisë së tyre, realisht planit të tyre për kidnapim. Në këtë lokacion, në prapavijë në territor të Republikës së Kosovës ka pasur edhe drunj që kanë bllokuar rrugën me qëllim të bllokimit eventual të njësive asistuese të Policisë së Kosovës.
Është e qartë se ky akt kriminal është bërë në shenjë hakmarrje për arrestimin e kriminelit Llune. Ajo çfarë është duke ndodhur është sjellja e një Serbie kriminele, e cila me vite e dekada është duke vepruar njëjtë përmes akteve të tyre kriminale duke u munduar që të minojnë shtrirjen e sovranitetit tonë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Për ne dhe besoj që kështu duhet të jetë dhe për të gjithë botën demokratike, kjo jo vetëm që është e papranueshme por është një incident jashtëzakonisht i rëndë. Ky akt kriminal, duhet të dënohet ashpërsisht nga faktori ndërkombëtar, sepse përfaqëson një shkelje të rëndë dhe shfaq edhe një herë fytyrën e vërtetë të Serbisë. Bëjmë thirrje urgjente për lirimin e zyrtarëve tanë policor dhe kthimin e tyre në Kosovë, pranë radhëve të Policisë së Kosovës dhe pranë familjeve të tyre, me të cilët bashkëndjejmë për padrejtësinë e bërë nga Beogradi.

Dua të ritheksoj se ne nuk do të ndalemi e nuk do të zmbrapsemi, në kërkim të drejtësisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend. Nuk do të ndalemi në kërkim të rendit dhe ligjit dhe një ambienti të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim. Ne jemi në të drejtën tonë dhe do të vazhdojmë të veprojmë sipas ligjit dhe principeve të demokracisë. Çdokush i cili shkel ligjin do të përballet me pasojat ligjore. Askush nuk është imun në këto shkelje. Asnjëri nga këta kriminel nuk është më i fuqishëm se shteti, nuk është më i fuqishëm se institucionet e Republikës së Kosovës prandaj secili prej tyre do të sillet para drejtësisë.

Republika e Kosovës është sovrane dhe demokratike. Qytetarët tanë nuk do të shtypen e nuk do të shkelen, përkundrazi, do të mbrohen. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për aktet e saj.

Ju faleminderit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

Atëherë para se t’ju përgjigjemi pyetjeve tuaja, këtu e kemi një foto të hartës, në të cilën mund të shihni se si vendi ku janë kidnapuar tre policët tanë, ndodhet një kilometër, 300 metra dhe 670 metra larg prej kufirit në thellësi të territorit të Kosovës.

Pra, kidnapimi, rrëmbimi i tre policëve të Kosovës ka ndodh në këtë vend, i cili është thellë në territorin e Kosovës dhe i cili është pra, 1 kilometër larg kufirit në njërën anë, që i bie të jetë pjesa veriperëndimore, pastaj 670 metra larg, që i bie pjesa veriore dhe në pjesën jugperëndimore 300 metra; 1 kilometër, 670 metra dhe 300 metra.

Në të njëjtën kohë, këtu kemi edhe fotografitë e rrugës së prerë, në të cilën shihet qartazi se nuk kanë mundur këta të kalojnë tutje siç pretendon Serbia, që paskan shkruar në Serbi dhe atje qenkan arrestuar. Pra, nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi, por bëhet fjalë për kidnapim në Kosovë dhe kjo rruga e prerë këtu është bërë për t’i ndalur këto 16 shtigjet ilegale të kontrabandës, që janë bërë gjatë vitit të kaluar dhe nuk bëhet fjalë për kurrfarë kalimi të policisë përtej kufirit të Serbisë siç pretendohet, madje as përtej rrugës së prerë, e cila pra ndodhet 1 kilometër, 670 metra dhe 300 metra.

Edhe kjo është një fotografi tjetër, e cila tregon këtë rrugën e prerë dhe pretendimet e rrejshme të Serbisë.

Në vendin e ngjarjes kanë qenë KFOR-i, ka qenë Policia e Kosovës dhe aty janë gjetur edhe gjurmët e çizmeve, këpucëve të huaja e në drejtim të Serbisë, por janë gjetur edhe prangat lidhëse plastike.

Pra, si është e mundur që ata pretendojnë se janë arrestuar policia në Serbi, kur lidhëset e tyre të plastikës si pranga, janë pikërisht në këtë vendin ku po themi ne, 1 kilometër, 300 metra dhe 670 metra larg kufirit me Serbinë dhe në brendi të territorit të Kosovës.

Ajo çfarë mua vazhdon të më habis, është fakti që as të nesërmen me këtë të vërtetë që ne po e shpërfaqim para juve, nuk del zyrtarisht KFOR-i.

Cili është kuptimi, që të nesërmen, e një ngjarjeje, e cila nuk ishte në mbrëmje, por në mesditë, KFOR-i ende nuk del me shpjegim zyrtar se ku është ky vend. Ky vend qartazi është në Republikën e Kosovës dhe a e dini çfarë, edhe në këtë moment ne jemi në atë vend, nuk është Serbia, edhe automjeti edhe ushqimi që kanë ngrënë policët, gjithçka është thellë në territorin e Kosovës.

Pra, siç e theksoi ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, bëhet fjalë për dy formacione të armatosura të Serbisë se kanë hyrë në territorin e Kosovës dhe me të cilët do të duhej të merret KFOR-i, është Njësia Speciale Anti-terroriste, që ata e quajnë SAJ dhe është Njësia Speciale Ushtarake, që ata e quajnë “Kobra”. Pra, “SAJ” dhe “Kobra” janë njësitë, të cilat duket që kanë bërë vëzhgim dhe më pastaj edhe kidnapim. Nuk bëhet fjalë për kurrfarë arrestimi. Arrestimin e ka bërë Policia e Kosovës të këtij kreut të krimit të organizuar e të kontrabandës, Milun Milenkoviq Lune, ndërkaq vetë policët kanë përjetuar hakmarrjen e Serbisë për këtë arrestim të tyre, për këtë luftim të krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Atëherë, tash mund t’ju përgjigjemi pyetjeve.

Transkripta e plotë e konferencës:

Gazetarja: Atëherë kryeministër këto faktet që i keni, ju thatë që KFOR ka qenë në vend të ngjarjes a i kanë edhe KFOR këto fakte derisa ende nuk kanë dalë me ndonjë njoftim, për shkak që ish zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë Vincenso Grasso ka deklaruar se nëse tre policë kosovar janë arrestuar në brenda kufirit të Kosovës atëherë është shkel edhe rezoluta 1244.

Kryeministri: Të gjitha këto i ka edhe KFOR pra ne me partnerët tanë i ndajmë informatat mirëpo heshtja e tyre besoj që nuk i kontribuon as deskalimit as hetimit as drejtësisë. Nuk ka kuptim që për një ngjarje në territorin e Kosovës, e dihet që Kosova është shtet me sipërfaqe relativisht të vogël, as të nesërmen të mos kemi kurrfarë deklarate zyrtare dhe po, mund të jetë edhe shkelje e rezolutës 1244 nuk dyshoj për atë gjë por ne përfaqësojmë republikën e Kosovës por është komandanti i përgjithshëm i KFOR-it Ristuccia i cili për çdo deklaratë e përmend nja dy herë rezolutën 1244.
Pra kjo pyetje do duhej ti bëhet atij meqenëse ai në deklaratat e KFOR-it e ka shpeshtuar përmendjen e rezolutës 1244, ndërkaq ne si institucione të Republikës së Kosovës ne e konsiderojmë kushtetutën e vendit tonë dhe ligjin në fuqi si e drejtë dhe përgjegjësia jonë.

Gazetarja: Kryeministër e kemi pasur edhe një deklaratë nga presidenti i Serbisë Vuçiqi i cili pra ka thënë se të njëjtit janë arrestuar, në fakt janë kidnapuar në territorin e Serbisë por e pamë se rruga pra ka qenë e prerë, a kemi ndoshta informacione se si kanë arritur t’i bartin ata nga ajo pjesë e territorit të republikës së Kosovës në pjesën tjetër dhe a kemi informacione se ku janë tre zyrtarët ë policorë ndërsa e thatë se nuk kemi ndonjë reagim nga shtetet e Quintit a keni pasur ndonjë bisedim mbrëmë me ta nëse mund të na thoni dhe ministër dje keni qenë pra në vendin e ngjarjes a mund të na tregoni më shumë ndoshta edhe rreth detajeve tjera nëse mund të na thuash pjesëtarët e policisë të Serbisë a kanë qenë në numër më të madh se në fotografi janë parë pra vetëm tre persona. Faleminderit.

Kryeministri: Unë mbrëmë kam pasur bisedë telefonike me të dy edhe me emisarin special amerikan Eskobar edhe me ambasadorin amerikan në Kosovë Jeff Hovenier me të cilët kemi diskutuar situatën e sigurisë dhe unë u kam thënë që pres që KFORI të më sjellë informacion mua në formë të vlerësimit të konkluzionit para mbledhjes së këshillit të sigurisë e cila u mbajt sot në ora shtatë të mëngjesit këtu në kryeministri. Mirëpo asnjë informacion, pra në mbledhjen e këshillit të sigurisë sot ne e kemi shkuar vetëm me informacionet e republikës së Kosovës të cilët qartazi janë të sakta e të vërteta. Serbia thotë që ka arrestuar policët dhe është e qartë që nuk bëhet fjalë për diçka të tillë, është përpjekje për të deformuar kidnapimin në territorin e republikës së Kosovës, ky është cenim i integritetit territorial i sovranitetit është akt i agresionit dhe natyrisht që ne jemi në kontakt me ta, do t’i takoj edhe sot gjatë ditës dhe në të njëjtën kohë me Jetish Jasharin që është udhëheqës i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd jemi në kontakt për të bërë vizita në burgjet ku po mbahen policët tanë por ju e keni parë që bëhet fjalë edhe për qytetarë të tjerë të ndaluar në serbi të cilët gjithashtu i viziton shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd. Për këto hollësi të tjera më operacionale me siguri ministri është më shumë se unë në dijeni por bëhet fjalë edhe një herë për kidnapim të këtyre tre policëve përtej atij hendeku të rrugës së prerë ilegale dhe dërgim i tyre në serbi faleminderit.

Ministri Svecla: Po unë dje isha në vendngjarje, ashtu siç edhe disa nga mediat kanë pasë shansin me shku atje me dëshmu edhe përmes kamerave të juaja se bëhet fjalë për kidnapim, do të thotë e shpjegoj edhe kryeministri, faktet janë të qarta ata kanë qenë thellë në territorin e Republikës së Kosovës. Njësi antiterror, forenzika, krimit të rënda prokuroria e shtetit janë duke zhvillu hetime intenzive të detajuara mbi të gjitha faktet e gjetura në terren por edhe informatat që vijnë përmes kanalëve tjera. Dëshmitë janë të mjaftueshme se ka qenë një operacion mirë i organizuar pothuajse masiv i këtyre njësive speciale mund të them lirisht se në zonat kufitare cilido shtet mund të ndërmarrë hapa të këtillë kundër shtetit tjetër, nuk është diçka e paarritshme nuk është diçka që fatkeqësisht prej Serbisë mund të na befasojë por për vendet demokratike është absolutisht e papranueshme, do të thotë kemi të bëjmë me dy vende me dy situata të ndryshme, prandaj edhe nuk dimë se ku policët tanë janë duke u mbajtur. Serbia qartazi është një vend jodemokratik dhe nuk brengoset fort as për liritë dhe të drejtat e të burgosurve, as për familjarët e tyre, e nuk brengoset as për fqinjësi të mirë apo deeskalim të situatës aktuale. Të gjitha këto informata janë duke u ndarë në vazhdimësi me partnerët tanë. Ne edhe kur isha aty kishte pjesëtarë të KFOR-it të cilët po ashtu hetonin rastin. Mund të them që për sa i takon terrenit të dhënat po na përputhen por presim deklarim zyrtar të tyre. Gjurmët tregojnë se ky ka qenë një aksion i këtyre dy njësive speciale me numër shumë më të madh sesa që ju keni parë apo sesa që pjesëtarët e policisë tonë kanë qenë.

Gazetarja: Sa është e sigurt zona kufitare duke e ditur që ka tension në veri dhe vetë e thatë që nuk mund të jemi të befasuar nga veprime të tilla të Serbisë. Sa është e sigurt zona kufitare duke e ditë që po thoni është një kilometër që kanë hyrë brenda territorit të Kosovës të hyjnë në mënyrë aq të organizuar, kuptohet duke mos dashur t’i gjykojë tre policët sepse nuk kanë mundur të rezistojnë është normale ajo për sa është e sigurt do thotë sa keni bërë paraprakisht përpjekje që të keni të sigurt zonën kufitare, e para dhe e dyta, si është gjendja shëndetësore a keni marrë informacione si është gjendja shëndetësore policëve a keni kontakte në të cilat burgje ndodhen.

Ministri Svecla: Për pyetjen e dytë tashmë kryeministri u përgjigj për sa i takon pyetjes të parë ne deklaruam se gatishmëria në radhët e policisë është rritë, duhet të jemi të qartë se ekziston një vijë jashtëzakonisht e gjatë që ndan dy shtetet, ne po bëjmë maksimumin që me kapacitetet që kemi të sigurojmë, që vija kufitare është e paprekur mos të harrojmë që përgjegjësi për këtë vijë kufitare dhe sipas deklaratave të atyre është mbi të gjitha e KFORIT nga të cilët presim të dalim publikisht me qëndrimin e tyre lidhur me atë se çfarë ka ndodhë por sidomos pas këtij rasti gatishmëria e policisë është në nivel shumë më të lartë. Unë besoj se do të jenë të gatshëm t’i përgjigjen çfarëdo sfide dhe po punojmë që këto sfida apo rreziqe ti minimizojmë.

Gazetarja: E përmendët në vazhdimësi se këtë kidnapimi i tre policëve ka ndodhur si shenjë hakmarrje domethënë të arrestimit të kriminelit lune. Cka nëse kërkohet një lloj shkëmbimi a është e mundshme pyetja tjetër edhe për ministrin Svecla, qysh kemi me i nxjerrë këta policë a kemi ndonjë metodë, a keni ndonjë plan, qysh kemi me mbërri me i nxjerrë këta policë edhe a është si kaq e thjeshtë me u futë policë serbë në territorin e Kosovës dhe me i kidnapu tre policë shqiptarë. Më fal edhe një pyetje tjetër për kryeministrin Kurti domethënë mbledhja e dy qeverive u anulua madje kryeministri Rama e përmendi se ka kërku një takim paraprak me ju zoti Kurti si e sheh këtë anulim të mbledhjes dhe si e komenton deklaratën e tij.

Kryeministri: Tre policët të cilët janë rrëmbyer, janë kidnapuar nga, njësia speciale ushtarake e Serbisë kobra dhe nga njësia speciale antiterror, kanë qenë aty në një rrugë që dikur ishte ilegale pikërisht zyrtarë policorë që merren me parandalimin e ndalimin e kontrabandës ndërkaq përballë tyre kanë pasur njësitë të specializuara të ushtrisë e të xhandarmërisë së Serbisë, tash në anën tjetër ne e kemi një kriminel serb si Llune i cili nuk është bërë krimin as më 26 maj as më 29 maj por ka dosje të trashë të shkeljeve ligjore të veprave penale të krimeve të kryera në Kosovë. Në Kosovë ka sundim ligji, ka republikë demokratike, është e vërtetë që arrestimi i dhunës i ka hedhur në panik të gjithë kriminelët, ata nuk kanë mundur ta imagjinojnë që dikush si Llune arrestohet. Nuk kanë besuar që kjo do të ndodhë ndonjëherë edhe kjo ka ndodhë, është paniku i madh i kriminelëve që është shndërruar në hakmarrje të Serbisë. Nuk krahasohen këto dy raste dhe te ne ka sundim ligji, ne nuk bëjmë pazare, ne kemi principe dhe vlera. Unë nuk di që Beogradi ka kërkuar ndonjëfarë shkëmbimi, unë nuk po e kuptoj si ju keni nevojë ta thoni shkëmbimin natyrisht që do të mund ta kërkonte Beogradi po ju lutem mos e përfaqësoni atë, jeni qytetarë të republikës së Kosovës, jeni gazetarë të këtij vendi. Nuk keni nevojë të paraqitni një kërkesë të Beogradit karshi republikës demokratike të Kosovës. Për çfarë shkëmbimi jeni duke folur, kush e ka kërkuar atë, ne jemi vend demokratik edhe i lirë. Kosova është vendi me lirinë më të madhe të mediave në rajon mirëpo kur flisni, unë ju kisha sugjeruar se më shumë smund të bëj, mos flisni në emër të Beogradit zyrtar duke imagjinuar kërkesat e mundshme të tyre sepse nuk i kontribuoni as lirisë së mediave dhe as sigurisë në shtetin tonë. Sa i përket mbledhjes e cila është anuluar e kam thënë në televizionin e Gjakovës Syri vizion pra është mirë ta shikoni syri vizion dhe aty e gjeni përgjigjen në mbrëmjen e 13 qershorit.

Ministri Sveçla: Nëse mund them edhe një gjë për sa i takon kësaj farë ideje që po lind tash është shkëmbim në mes kujt? Tre shtetasve tanë të cilët përfaqësojnë ligjin angazhohen për mbrojtje të ligjit dhe një shtetasit tanë i cili është kriminel sipas një dosje mund të themi minimum pesëmbëdhjetëvjeçare të vjetër në vazhdimësi dhe do të kemi tre shtetas tanë të kidnapuar dhe një shtetas tanë kriminel të arrestuar, kjo është realiteti.
Tjetra për sa i takon lirimit tyre të gjitha Qeveria e Kosovës, po për këtë patjetër që Kryeministri përgjigjet mënyrë më kompetente është e mobilizuar që të punojë edhe me Bashkësinë Ndërkombëtare që të kemi presionin e nevojshëm drejt Serbisë që këta tre zyrtarë të kthehen në Kosovë t’i shtohen radhës policëve të kthehen brenda gjirit familjeve tyre sa më parë.
Kjo është punë intensive është punë e gjithanshme e shumë akterëve të përfshirë këtu dhe unë besoj se shumë shpejt edhe do të sjell rezultate.

Gazetarja: Kryeministër ju thatë më herët që synimi juaj është siguria në Kosovë përkatësisht siguria në zonat kufitare, ne nga ajo që pamë përmes fotografive aty ishte vetëm një patrullë policore me tre zyrtarë policorë të cilët sot veçse janë në Serbi të kidnapuar, si kryeministër dhe jo ministër kushdo domethënë që doni të përgjigjeni? A mjafton një patrull policor në ato zona të thella kufitare duke e ditur tendencat raportet me Serbinë? Pyetja tjetër ministër, a keni folur me familjarët e të kidnapuarve, si është gjendja e tyre? Cka ju premtua? Cka ju thanë diçka e tillë domethënë sepse edhe ata janë njerëz? Dhe Kryeministër, Bashkimi Evropian dhe zotëri Borell, ju kanë kthyer përgjigje sigurisht dhe disa kërkesa, çka tash e tutje? A pritet që ti hyni dialogut apo kjo nuk shihet në horizont?

Më fal edhe një pyetje të fundit gjithashtu pardje janë arrestuar në pikën kufitare në merdar dhe disa shtetas të Kosovës, domethënë ata kanë pasë pikë destinacione në Gjermaninë për arsye të tyre private profesionale biznesore dhe në bazë të dëshmisë që kemi marrë apo intervistat që kemi marrë të familjarëve të tyre na ka thënë që arsyeja e arrestimit të tyre sipas një polici serb ka qenë veç pse jeni shqiptarë duke aluduar domethënë me lidhjen e situatës që ndodhi në veri? Faleminderit!

Kryeministri: Ndoshta e kemi vështirë t’i përgjigjemi sepse po të ishte veç që edhe një pyetje do të bëhej pyetësor e nuk mbajtëm shënime, sepse ne tu them të drejtën po e japim mikrofonin për një ose dy pyetje jo për 4-5, dhe nuk ka nevojë të zgjatemi kaq shumë, se nuk është intervistë është konferencë për media por unë ju dëgjova me vëmendje. Është diku 17% të territorit të republikës së Kosovës në veri të lumit Ibër është territor shumë i gjerë janë qindra kilometra kufij malorë nuk është çështje thjesht kjo prandaj, duke pasë parasysh kapacitetet që ka sot Kosova nuk mund të vendosësh njësite, patrulla, e zyrtarë policorë për çdo 50 metra në këtë kufi kaq të gjatë.
Andaj nuk do të thotë ajo, ju lutem mos më ndërpreni me shumë durim po ju dëgjoj, po merrni pjesë po, ta përfundojnë unë fjalën a mundem?

Pra, nuk është e mundshme të ruhet kufiri në mënyrën siç ju aludoni, ne do ti shtojmë zyrtarët policorë por aq e madhe është ajo pjesë e territorit aq është terren i vështirë malor dhe aq e gjatë është vija kufitare sa nuk do të mund të ketë asnjëherë mjaftueshëm zyrtarë Policisë së Kosovës për ta ruajtur të gjitha kufi, në anën tjetër ne e dimë që kufirin e ruan ushtria në atë pjesë të vendit ushtria është KFOR-i.

Para një dekade ish-kryeministri Thaçi, ka dërguar një zotim të njëanshëm, ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Rasmusen, ku i thotë që Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk do ta kalojnë lumin Ibër, dhe që prej vitit 2013 ne nuk kemi ushtri në veri të Kosovës për shkak të këtij zotimi ndaj NATO-s.

Rrjedhimisht NATO-ja, përkatësisht KFOR-i, është ushtria e Kosovës në veri të Kosovës dhe kufirin e runë ushtria, ne do të bëjmë maksimumin me Policinë tonë, por për të qenë plotësisht të suksesshëm aty duhet të jetë ushtria përkatësisht KFOR-i, andaj edhe ju inkurajoj që këtë pyetje t’ia bëni atyre.

Ministri Sveçla: Realisht kemi shumë më shumë patrulla se kaq na do të kemi edhe patrullime mobile kemi edhe zyrtarë policorë të cilët mbulojnë pika tjera, siç edhe e theksoi Kryeministri është e pamundshme që në atë terren të vështirë të kemi çdo 50 çdo 100 metra patrulla të policisë statike.

Këta kanë qenë pjesëtarë të njësitit, viset gjelbër siç ju quhet brenda Policisë së Kosovës do të thotë policë të zakonshëm të cilët mbikëqyrin vijën në gjelbër, mes dy pikave të kalimit kufitar. Nuk kanë qenë as pjesëtarë të ndërhyrjes shpejt kufitare, as nuk kanë qenë pjesëtarë të ndonjë njësie speciale të Policisë së Kosovës.

Rezultati nuk është befasues kur një shtet si Serbia, ka qëllime agresive patjetër që në një moment apo tjetër ka mundësinë me të lëndu, ashtu siç kemi edhe ne mundësinë por jemi shtet demokratik këtu është dallimi do të thotë fajin duhet ta kërkoni tek Serbia, jo tek tre policët të cilët po kryenin detyrën e tyre aty apo tek Policia e Kosovës me kapacitetet që ka.

Normalisht ne për çdo ditë po profesionalizohemi, po ngritemi, po fuqizohemi, Policia e Kosovës po furnizohet për çdo ditë e më shumë me pajisje me logjistikë me dije falë dhe bashkëpunimit me partnerët tanë por nuk mund të themi se ky rast është për shkak të Kosovës është për shkak të politikave agresive të Serbisë edhe për sa i takon qytetarëve tanë
Duhet pyetur institucionet e Serbisë pse po i arreston shtetasit e Kosovës veç pse janë shqiptarë ata të cilët po i arreston, atyre duhet bërë pyetjen jo ne, ka shumë e shumë e shumë shtetas të Republikës së Kosovës që e shfrytëzojnë Serbinë si urë kalimi për në Evropë, Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë apel që shtetasit të kenë kujdes, do të thotë kushdo që mund të ketë ndonjë rast për pretendim nga institucionet e Serbisë, duhet të ketë vëmendje të shtuar ndoshta të gjejë rrugë alternative.

Për sa i takon gjendjes së tyre siç tha edhe Kryeministri, është Ministri i Punëve të Jashtme përmes Zyrës Ndërlidhëse e cila është duke u interesuar edhe për shëndetin edhe për vendndodhjen.

Sa i takon familjeve në momentin që janë është ditë pak a shumë se çfarë ka ndodhë Menaxhmenti i Policisë ka kontaktuar me familjet dhe është në kontakt të vazhdueshëm. Ne gjatë ditës do të kontaktojmë me familjarët për të shprehë solidaritetin normalisht me ta, edhe për të pa në nevoja eventuale.

Gazetari: Kryeministër kjo mungesë e reagimit të QUINT-it, të Bashkimit Evropian por edhe kjo mungesë e informacioneve nga ana e KFOR-it. A konsideroni se vjen për shkak të acarimit të raporteve të fundit edhe në letrën që dje Borrell e dërgoi tek ju, tha që nuk ka pasur konsulta paraprake mes Qeverisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it për ndërmarrjen e aksionit në veri për arrestimin e njërit prej drejtuesve të strukturës paralele pra tha, nuk ka pasur koordinim. Edhe a do të koordinohet në të ardhmen ose cili do të jetë qëndrimi i Qeverisë sa i përket dhe nëse ka kërkesa të tilla që edhe për aksione që kanë të bëjnë me sundimin e Ligjit të kërkohet një aprovim paraprak qoftë nga EULEX-i apo misioni i KFOR-it? Edhe një pyetje të fundit meqë nuk patëm përgjigje si e komentoni këtë propozimin e Borellit, a do të ketë propozime tjera shtesë nga ana juaj apo si do të shkojë situata tutje sa i përket shtensionimit të situatës në veri? Faleminderit!

Kryeministri: Ne i bindemi kushtetutës dhe Ligjit që e kemi edhe përgjegjësi edhe obligim, nuk duam t’ia shkelim askujt të drejtat mirëpo në një Republikë Demokratike për të arrestuar një kriminel të dyshuar. Nuk ka kuptim që të ketë instancë sipërore. Ne nuk jemi monarki, nuk jemi vend feudal. Ne jemi republikë demokratike në shekullin 21.

As unë nuk e di kur arrestohet një kriminel sepse kjo është çështje e policisë hetuese, e njësisë që bën arrestimin, e prokurorisë së shtetit. Pra ka arrestime të cilët unë i shoh saktësisht në të njëjtën kohë porsi ju sepse jemi republikë demokratike. I këtillë ka qenë edhe arrestimi i Mile Milenkoviq, Llunës. Pra në të njëjtën kohë kur e keni marrë vesh ju e kam marrë vesh edhe unë. Unë shprehi publikisht mbështetjen për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin. Këtë gjë e bëj. Mirëpo veprimet operacionale kur duhet të arrestohet dikush nuk janë punë e imja, besoj nuk janë e asnjë zyrtari të Bashkimit Evropian po ashtu. Sundimi i ligjit në Kosovë me veprime operacionale policore është çështje e Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës i ka kryer pa numër trajnime në vendet demokratike perëndimore dhe atje kanë mësuar se si nuk duhet lejuar që të politizohen operacionet policore. Ata e kanë zot ligjin dhe kushtetutën, procedurat e veta, andaj nuk mund të bëj unë çfarëdo pazaresh në kurriz të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, dhe sundimi i ligjit në veri të Kosovës nuk mund të jetë special për nga veprimi krahasuar me pjesën tjetër të Kosovës. Policia e Republikës e lufton krimin e organizuar, e zbaton sundimin e ligjit si në veri si në jug. Nuk ka kuptim që për zbatim të sundimit të ligjit të ketë koordinim, paralajmërim, ku di unë çfarë sjelljesh e veprimeve speciale para se të ndodhë ligji sepse kjo i bjen sundim me ligjin. Ne jemi për sundim të ligjit, jo për sundim me ligjin, mbi ligjin. Pra nuk duam ti sipërvendosemi ligjit.

Ligji është mbi të gjithë neve dhe vetëm në këtë mënyrë unë jam Kryeministër e zotëri Sveçla është ministër. Nuk ka mundësi tjetër. Ne jemi në këto pozita të larta shtetërore sepse Kosova është republikë demokratike, ndërkaq unë kam shprehur gatishmërinë time për dialog. Nuk kam se çka të them shtesë. Kur ta caktojmë takimin jam i gatshëm, në Kosovë zbatojmë ligj edhe kushtetutshmëri. Unë nga konsideratat e të tjerëve të cilat i dëgjoj me vëmendje nuk mund të shndërrohem në shkelës ligje kushtetutën në Kosovë. Në dialog i gatshëm, i përkushtuar mirëpo në Kosovë ligj dhe kushtetutë sepse pa këtë ligj dhe kushtetutë as nuk do të mund të flisja, mendoj e veproj këto që po bëjmë nga kjo pozitë shtetërore.

Ju i keni dëgjuar ato pesë pikat edhe i keni lexuar që e kam dërguar zotërit Borrel. Për bindjen tonë të fuqishme, kushtetutshmëri dhe ligjshmëri në Kosovë do të thotë kriminelët në burg duke u përballë me drejtësinë, o në Serbi prej nga disa prej këtyre edhe kanë ardh. Vetëm kur kjo të ndodhë, kur të kemi sundim të ligjit i cili i largon këto trazira të dhunshme këta ekstremistë e grupe kriminale, në mënyrë graduale dhe proporcionale do të mund ta zvogëlonim edhe ne praninë e policisë tonë në këto ndërtesa. Në vend të Lulzim Hetimit gjithçka ka qenë gati që të jetë Aleksandar Jablanović. Nuk kemi ne faj pse Beogradi e kërcënon ose i bën oferta çfarë ne ndoshta s’i marrim me mend, dhe në këtë mënyrë dy ditë para zgjedhjeve Jablanović del nga fushata e tash të zbrazemi mbi Lulzim Hetemin vëllaun e dëshmorës Fatime Hetemin. Nuk e bëjmë dot ne këtë. Problem është që Aleksandar Jablanović doli nga fushata.

Të gjithë ndërkombëtarët, unë ju sugjeroj të merren si u bë që Aleksandar Jablanović dy ditë para zgjedhjeve doli nga fushata. Ai ka qenë fitues i sigurt ne kemi qenë gatshëm ta pranojmë si kryetar komune. Po të ishte Aleksandar Jablanović kryetar komune, unë njësoj me polici do ta mbroja Aleksandar Jablanović-in ndaj sulmeve të kësaj milicie fashiste atje, të këtyre ekstremistëve të dhunshëm me të cilën kurrë nuk dua ti barazoj qytetarët serbë. Komuniteti serb në veri dhe kudo tjetër asnjëherë nuk bën të barazohet me këta eksponent të dhunshëm. Bile ata janë hall me ta. Bile ata janë në hall më shumë se ne me ta sepse i kanë edhe më afër. Pra unë nuk i barazoj këtë kurrë.

Arsyeja pse i kam lexuar emrat e tridhjetë e tre kriminelëve në Kuvendin e Republikës vetëm gjashtë prej të cilëve janë në burg, ndërkaq njëzet e shtatë vazhdojnë të jenë të lirë është pikërisht për të treguar që krimi ka emra dhe mbiemra të veçantë. Nuk e ka emrin e një komuniteti, por emra dhe mbiemra të përveçëm të cilët unë lexova në seancën e kuvendit me datën 2 qershor. Po e bëj ndarjen e qartë këtu mirëpo tash për kërcënimet dhe ofertat e Beogradit që e nxorën Aleksandar Jablanović-in nga gara, të zbrazët i gjithë presioni mbi Lulzim Hetemin është e padrejtë. Si mund të jem unë kryeministër në një republikë demokratike nëse nuk jam i drejtë? Ajo do të ishte padrejtë dhe mos harroni dhuna më e madhe nuk është bërë në Leposaviç. Në Zveçan ku s’ka pasë kryetar. Me datën 29 maj, e hënë, në ndërtesën e kuvendit komunal në Zveçan nuk ka pasë kryetar. Ajo dhuna e madhe pra s’ka të bëjë me kryetarin kjo. Dhe prej tri komunave në veri, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok, dy komuna nuk e kanë kryetarin. Pra nuk po arrijnë as të gëzohen që s’është kryetari aty, po të gjithë po merren me urrejtjen mbi Lulzim Hetemin që as se kam menduar që bëhet kryetar. Por ai është sot aty rezultat i procesit demokratik të zgjedhjeve ndonëse me dalje të ulët por të pranuara edhe si proces edhe si rezultat nga faktorët ndërkombëtarë, e edhe betimi i tyre.

Me datën 17 mars, një ditë para se të shkojmë në Ohër për aneksin e zbatimit, neve faktorët ndërkombëtarë na kanë premtuar nëse bëhet aneksi i zbatimit në Ohër, ne ju garantojmë që Lista Serbe merr pjesë në zgjedhje. Unë kam qenë i gatshëm që Lista Serbe me marrë pjesë në zgjedhje, përkundra Asaj çka kanë thënë për mua e çka i kanë bërë Republikës tonë politikanët e Listës Serbe unë kam qenë i gatshëm, dhe a e dini çfarë ndodh? Zgjatet për pesë ditë afati i regjistrimit prej shtatëmbëdh17 mars-22 mars. Nëse duan të marrin pjesë, pse jo. Ju ka kaluar afati, po e zgjasim afatin. Ne bëjmë aneksin e zbatimit në Ohër më 18 mars, 19 mars, 20 mars, 21, 22 mars, Lista Serbe nuk aplikon për t’u regjistruar. Ça të bëjmë ne tash? S’muj me i marrë Listën Serbe me dhunë me garu në zgjedhje. Faktorët ndërkombëtarë na e kanë premtuar që ata e sigurojnë këtë gjë, prandaj e kemi zgjatur afatin, dhe është bërë aneksi i zbatimit. Më në fund thamë e kemi një kandidat serb në Leposaviç, po fiton Aleksandar Jablanović-i. Dy ditë para zgjedhjeve ai tërhiqet edhe tash i gjithë arsenali kundër Lulzim Hetimit. është e padrejtë kjo punë e unë duhet me qenë kryeministër i drejtë.

Gazetarja: Kryeministër në fillim keni përmendë pak një kontroll më të rreptë në kufi. A na e qartësoni a ka naj vendim për ndalim të veturave nga Serbia ose mallrat nga Serbia se nëpër media ka qenë diçka si informacion?

Kryeministri: Masat tona nëpër vendkalimet kufitare me Serbinë nuk janë masa ekonomiko-tregtare por janë masa të sigurisë. Gjendja nuk është aspak e zakonshme dhe për neve është e qartë se agresioni po vjen nga Serbia. Nganjëherë në rrugë ilegale është e mundshme edhe në vendkalime kufitare prandaj si masa të sigurisë ne e kemi marrë vendimin për qarkullim të kufizuar dhe kontrolla të shtuara deri në një vendim tjetër.
Faleminderit shumë e mirupafshim.

Last modified: 20 Qershor, 2023

Comments are closed.

×