Zyra e Kryeministrit

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për media për Pakon për Përballje me Inflacion

3 Shtator, 2022

Prishtinë, 3 shtator 2022

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar gazetarë,

Si Qeveri e Republikës, që nga fillimi i mandatit e në vazhdimësi, kemi mbështetur qytetarët përmes masave të ndryshme të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Vitin 2021 e mbyllëm me shpërndarjen e mbi 300 milionë eurove, kurse vitin 2022 e filluam me një sërë masash mbështetëse në vlerë prej 200 milionë euro. Të gjitha këto për të mbështetur familjet më në nevojë, punëtorët e sektorit publik e privat, pensionistët, bizneset e amvisëritë.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë ndamë 40 milionë euro, nga 100 milionë të zotuara, për të subvencionuar faturat e energjisë elektrike për qytetarët, ashtu që çmimi i energjisë elektrike për ta të jetë i përballueshëm.

Punësimin e përkrahëm vazhdimisht e pa dallim. Filluam zbatimin e skemës “Qeveria për Familjet”, për punësimin e atyre që nuk kanë asnjë anëtar të familjes të punësuar. Po ashtu nisëm masën për nxënie të shkathtësive dhe punësim të qëndrueshëm të personave me aftësi të kufizuara.

Rreth 250 mijë punëtorë të sektorit privat i mbështetëm me shtesën prej 100 euro, e për 100 mijë prej tyre dorëzuam në Kuvendin e Republikës projektligjin që mundëson rritjen e pagës minimale, për mbi 50%, përkatësisht për mbi 100% për ata të moshës nën 35 vjeç. Shumën e njëhershme prej 100 euro në muajin prill e ndamë edhe për 75 mijë zyrtarët e sektorit publik.

Bizneset i përkrahëm jo vetëm përmes fuqisë punëtore, por edhe përmes subvencionimit të kredive për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese e përpunuese të tyre, ku përmes Masës 2.1, mundësuam investime në vlerë prej 100 milionë euro.

Në linjë me programin tonë qeveritar, shpërndarjen e shtesave për lehona dhe shtesave për fëmijë po e realizojmë për çdo muaj, për rreth 20 mijë lehona e për reth 170 mijë fëmijë.

Asistencën sociale e rritëm për 30% dhe e dyfishuam atë për 3 muaj, për nëntor, dhjetor dhe për prill. Mundësuam edhe shpërndarjen e rreth 40 mijë pakove ushqimore për familjet më në nevojë.

Rritjen e pensionit për 11% për disa kategori, e për 33% për disa skema të tjera, e bëmë të përhershme, dhe përkrahjen e përforcuam me nga 100 euro shtesë në muajt nëntor dhe prill.

Si Qeveri mbetemi të përkushtuar për t’ju dalë në krah qytetarëve, sa herë që kjo është e nevojshme, si dhe për të marrë veprime shtesë për rritjen e mirëqenies së tyre. Andaj në linjë me këtë synim tonin, sot po prezantojmë një Pako të re, që ka për qëllim mbështetjen e qytetarëve për t’u përballur me krizën inflacionare.

Nisur nga gjendja e rënduar me energjinë, sot më shumë se kurrë, është e domosdoshme të kursejmë. Andaj do të subvencionojmë të gjithë ata që kursejnë energjinë elektrike. Për aq sa kursehet në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprak, ne do të subvencionojmë dyfish faturën.

Do të procedojmë në Qeveri, e pastaj në Kuvendin e Republikës për miratim, Projektligjin për Punë Publike, i cili parasheh kompensimin për inflacion për materialet ndërtimore dhe punët përcjellëse për kontratat ekzistuese të punës. Kjo me qëllim të përshpejtimit të dinamikës së implementimit të projekteve kapitale.

Për pensionistët do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro, kurse familjet në asistencë sociale do t’i mbështesim duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj.

Punësimin e punëtorët i kemi prioritet, i kemi përkrahur e do të vazhdojmë kësisoj. Për zyrtarët publikë do të ndajmë shtesën prej 50 euro duke filluar nga muaji shtator, kurse për punëtorët në ndërmarrjet publike do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro.

Jemi të vetëdijshëm që inflacioni ka ndikuar që jeta të vështirësohet për të gjithë, pa dallim, mirëpo kjo gjendje është edhe më e rënduar në sektorin privat. Të gjithë e dini shumë mirë, se nga të gjithë të punësuarit në Kosovë, 80% janë të punësuar në sektorin privat, ndërkaq 1/5 janë të punësuar përafërsisht në sektorin publik. Prandaj do të mbështesim secilin biznes që i rritë pagat e punëtorëve, duke subvencionuar 50% të rritjes së pagës për punëtor, maksimumi 100 euro, për 3 muajt e parë.

E përkrahjen tonë do ta zgjerojmë edhe për studentët e Republikës, për të cilët do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro në muajin nëntor, kur viti i ri akademik është duke u zhvilluar.

Pra, të dashur qytetarë, të nderuar gazetarë, në muajt në vijim do të ndajmë rreth 150 milionë euro për Pakon për Përballjen me Inflacion, ku përmes masës për subvencionimin e atyre që kursejnë energjinë do të përfitojnë të gjitha familjet, rreth 300 mijë sosh, kurse nga pagesat direkte do të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë.

Në pranverë e kishim Pakon e Ringjalljes ekonomike, tash në vjeshtë e kemi Pakon për Përballjen me Inflacion

Tani në lidhje me kriteret e këtyre masave dhe mënyrën e përfitimit prej tyre ia kaloj fjalën Ministrit tonë të Financave, Punës dhe Transfereve, z.Hekuran Muratit.

 

Last modified: 3 Shtator, 2022

Comments are closed.