Zyra e Kryeministrit

Fjala e kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, në Akademinë Politike, për mr. Ukshin Hotin, që u organizua nën patronatin e Kryeministrisë

16 Maj, 2008

Prishtinë,  16 maj 2008
 
Kryeministri Thaçi: Mendimi politik i Ukshin Hotit, konkurrent me politikologët botërorë
 
E nderuara familje Hoti,     
Zonja dhe zotërinj
 
Fati i pazbardhur dhe ende enigmatik i profesorit Ukshin Hotit është një brengë që rëndon në shpirt dhe mendje jo vetëm familjarët e ngushtë, por edhe kolegët e tij, ish studentët, bashkëmendimtarët, veprimtarët, institucionet e Republikës së Kosovës dhe qytetarët në Kosovë dhe jashtë saj.
 
Është brengosës edhe për gjithë botën demokratike.
 
Rruga jetësore e profesorit Ukshin Hoti është rruga e historisë së popullit të tij.
 
 Një luftë e përhershme kundër shtypjes dhe sundimit mbi Kosovën, pavarësisht formës së sistemeve politike.
Një rrugë në kërkim të lirisë.
 
            Formimi i tij politik e kombëtar, në harmoni me përgatitjen shkencore, profesionale, bëri që profesori Ukshin Hoti të orientohet drejt politikisht dhe të marr qëndrime të drejta pëballë situatave.
 
Ngjarjet tashmë historike, Demonstratat e vitit 1981, ishin sprovë në të cilën Ukshin Hoti u pozicionua qartë në mbrojtje politike – të kerkësës së drejtë për Kosovën Republikë.
 
Me të drejtë thuhet se proceset e reja shoqërore, zhvillimet politike në kthesa historike, kur përqafohen nga intelektualët, ato përfitojnë një përmasë të re në natyrën e tyre – idenë, mendimin, artikulimin teorik.
 
E një natyre të tillë ishte fjala ekspoze e njohur e Profesorit në Fakultetin Filozofik në nëntor 1981, kur me elekuencë, dije shkencore dhe guxim qytetar, publikisht mbron karakterin emancipues të demonstratave dhe të kërkesës për Republikën e Kosovës.
 
Këtë kërkesë – që ishte edhe shprehje e vullnetit të popullit, – ai do ta mbrojë si intelektual nga pozicioni i filozofit politik, duke u mbështetur në njëren nga kategoritë themelore të filozofisë, – zhvillimin dhe avancimin e proceseve.
 
Në Kosovë, përkundër doktrinës zyrtare jugosllave, vetëdija kombëtare po rritej, faktori njerëzor i saj kërkonte hapësirë më të madhe të zhvillimit ekonomik, shoqëror, kulturor që më nuk mund të arrihej pa zhvillim politik.
 
Statusi i shqiptarëve në Kosovë dhe ish jugosllavi në atë hapësirë kushtetuese ndjehej i ngushtuar, prandaj zhvillimi i brendshëm kërkonte zgjerim politik.
 
Drejtësinë e kësaj teze politike, dhe të së drejtës së popullit të Kosovës, e vërtetuan të gjitha zhvillimet pas vitit 1981: rezistenca civile, lufta çlirimtare e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, deri tek realiteti i sotëm, realiteti i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga bota demokratike.
 
Ky orientim dhe qëndrim i profesorit Ukshin Hoti bëri që ai të përjetojë vite të tëra burgu, por edhe izolimi e keqtrajtimi.
 
Jo vetëm kërkesën për Republikën e Kosovës, por të gjitha pozicionet e çështjes së Kosovës, profesori Ukshin Hoti do t’i mbrojë nga thellësia e intelektualit të mirëfillt kritik, në shtypin e kohës, në revista, e posaçërisht në librin “Filozofia politike e çështjes shqiptare”.
 
Kumtesat shkencore, shkrimet politike, analizat e fenomeneve politike me dioptri të sociologut politik, fjalimi i tij në gjyqin e fundit, janë kontribute dinjitoze dhe modele unikate në literaturën bashkëkohore rreth konceptit politik të çështjes së Kosovës.
 
            Mendoj se ajo që e shënon pikën kulmore të mendimit të tij politik është ndërlidhja e suksesshme e të gjykuarit nga pozicionet e intelektualit me horizont të gjerë dhe origjinaliteti në vrojtimin e proceseve historike dhe politike të çështjes shqiptare.
 
Nganjëherë koha dinte që profesor Hotin edhe ta cenzuronte, por mendimi politik i tij ishte shpërthyes përballë cenzurës së politikës ditore.
 
Thellësia e mendimit, dija e gjerë, njohja e realiteteve politike në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, eksperienca e tij, bëjnë që Profesor Hoti t’i ndërlidh mirë relacionet e çështjes shqiptare në raport me botën, me qendrat vendosëse dhe politikën globale.
 
Ngjarjet e 1968-ës, të 1981-ës, edhe ato të 1989-ës dhe viteve 1990 -ta, profesori Ukshin Hoti i analizon shumëanëshëm, duke shquar veçoritë, por edhe duke gjetur kontinuitetin e tyre historike.
 
Tek profesori Ukshin Hoti më mirë se kudo tjetër shpjegohet ideja se shqiptarët në asnjë raport kulture dhe qytetërimi nuk duhet të ndjehen inferior përballë sunduesve të tyre.
 
Ai me veprimin dhe mendimin e tij dëshmoi se i përket konceptit politik të lëvizjes autentike çlirimtare shqiptare.
 
            Mendimi politik i profesorit Ukshin Hoti i bën nderë shkencës dhe publicistikës sonë bashkëkohore dhe moderne me objektivitetin dhe drejtësinë e të gjykuarit, jo vetëm në mbrojtje të pozicionit politik të Kosovës në raport me Jugosllavinë dhe Serbinë, por edhe në aspektin e relacioneve Shqipëri – Kosovë, Kosovë-Maqedoni-Kosovë-Mali i Zi.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Me profesorin Ukshin Hoti më lidh një kujtim i mirë, në kohën kur isha prorektor student.
Kur organet e dhunshme arsimin kosovar e dëbuan nga institucionet, profesorët dhe studentët e Universitetit të Prishtinës nuk u dorëzuan.
 
Në atë kohë, në objekte alternative, mësimi vazhdoi.
Në rrafshin politik, u arrit depolitizimi i universitetit dhe sërish u kthyen të gjithë profesorët e studentët e diferencuar politikisht.
Kthimi i tyre i dha frymë të re shkencore universitetit dhe politikës kosovare.
 
E kujtoj me respekt ligjëratën e parë të profesorit Ukshin Hoti, më rastin e rikthimit të tij në universitet, në objektin e shkollës fillore “Zenel Hajdini” në Kodër të Trimave, ku mbanim ligjëratat.
 
Salla ishte mbushur plot me studentë dhe profesorë për t‘ia uruar rikthimin dhe njëkohësisht për ta dëgjuar ligjëratën e parë, që kishte të bënte me zhvillimet politike dhe fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe fillet e ndryshimeve demokratike në Shqipëri.
 
Profesor Hoti përfaqësonte mendimin politik për ndërtimin e shtetit të demokracisë qytetare.
 
Zonja dhe zotërinj
 
Sot, kur mbahet kjo Akademi, Universitetit të Prishtinës dhe studentëve të tij, u mungon mendimi shkencor, kritik dhe profesional i profesorit Ukshin Hoti.
 
Profesor Ukshin Hotit me të drejtë i atribuohet mendimi më i avancuar për Pavarësinë e Kosovës.
 
Politikës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës i mungon mendimi i tij i formësuar dhe konkurrent me mendimtarë dhe politikologë botërorë.
 
Profesori Ukshin Hoti na mungon të gjithëve.
 
Ju faleminderit!

Last modified: 16 Maj, 2008

Comments are closed.

×