Zyra e Kryeministrit

Fjala e kryeministrit Kurti në pritjen për Ditën e Pavarësisë së Finlandës

5 Dhjetor, 2022


Prishtinë, 5 dhjetor 2022

Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Finlandës, me rastin e 105 vjetorit të Pavarësisë së Finlandës:

I nderuar Ambasador Nissinen,
Deputetë dhe ministra të Qeverisë,
Shkëlqesi, Ambasadorë dhe diplomatë të tjerë,
Udhëheqës fetarë,
Aktivistë të shoqërisë civile,
Përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe organizatave joqeveritare,
Të nderuar të ftuar,
Zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi e madhe të jem me ju këtu sonte. Së pari, më lejoni të përgëzoj Republikën e Finlandës dhe popullin finlandez për 105 vjetorin e pavarësisë së tyre. Më 6 dhjetor 1917, Finlanda shpalli pavarësinë e saj nga Rusia, duke i dhënë fund një sundimi të huaj që daton që nga viti 1809. Kosova dhe Finlanda ndajnë histori të ngjashme të pushtimit, sakrificave për liri dhe përpjekjeve për të ruajtur kulturën dhe traditën kundër perandorive dhe regjimeve të huaja deri në shpalljen e pavarësisë.

Finlanda, natyrisht, ka qenë mike dhe përkrahëse e popullit të Kosovës në luftën tonë për liri dhe çlirim. Dhe që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, Finlanda ka vazhduar këtë rol miqësor dhe mbështetës duke zgjeruar ndihmën e saj përmes projekteve të ndryshme që kanë ndihmuar në konsolidimin e demokracisë sonë të re.

Agjencia Finlandeze për Zhvillim Ndërkombëtar – FINNIDA – ka mbështetur zhvillimin e vendit tonë që nga viti 1999, kryesisht në edukimin për të drejtat e njeriut, barazinë gjinore, shëndetësinë dhe fusha të tjera të ngjashme. Përveç kësaj, Finlanda na ka mbështetur vazhdimisht në rrugën tonë drejt integrimit në BE.

Këto lidhje miqësie mes vendeve tona bazohet në vlerat e përbashkëta të demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe drejtësisë sociale. Jemi shumë mirënjohës që Finlanda ka mbështetur në mënyrë aktive dhe të vazhdueshme perspektivën euroatlantike të Kosovës, liberalizimin e vizave për qytetarët tanë dhe anëtarësimin tonë në organizatat ndërkombëtare. Të dy vendet po punojnë gjithashtu ngushtë për të rritur bashkëpunimin tonë ekonomik. Ne gjithashtu presim të mësojmë nga modeli i shkëlqyer i arsimit finlandez.

Edhe në fushën e sigurisë, Finlanda dhe Kosova ndajnë vlera, sfida dhe interesa të përbashkëta. Prandaj, më lejoni të shfrytëzoj këtë rast për të uruar Finlandën për aplikimin e saj për anëtarësim në NATO. Pasi të jenë finalizuar të gjitha ratifikimet, anëtarësimi i Finlandës në NATO do të nënkuptojë padyshim një pikë kthese të madhe në historinë politike të vendit, të rajonit nordik dhe të Evropës në tërësi. Si i tillë, ai do të forcojë sigurinë dhe do të forcojë garancinë e mbrojtjes kolektive. Edhe Kosova ka të njëjtat aspirata dhe për të njëjtat arsye.

Në shkollë kemi mësuar për Finlandën si vendin e aurorave magjepsëse, të kompozitorit të muzikës Jean Sibelius, të drerëve të pyllit, të 188 mijë liqeneve të pabesueshme dhe 70 mijë ishujve. Si fëmijë, ndërsa shikoja sporte, mbaj mend mirë skitarin Matti Nykänen dhe më vonë ngasësin e Formula 1 Mika Häkkinen. Kur fillova të shikoj filma, filmat e Aki Kaurismäki-t, më bënë të pëlqeja Finlandën dhe të ndihesha sikur e njihja Finlandën pa qenë kurrë atje, dhe pastaj përsëri, bija në dyshime nëse pëlqimi i filmave të tij thotë diçka më thellë për veten time sesa për vetë Finlandën.

Dhe, për të mos harruar, në historinë tonë të re kemi njohur dy Martti-t: Martti Ahtisaari dhe Martti Koskenniemi. Propozimi gjithëpërfshirës i statusit të Presidentit Ahtisaari u bë thelbi i Kushtetutës sonë, ndërsa mbrojtja e pavarësisë sonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nga Koskenniemi është një ese shembull për vetëvendosjen. Por, ato ishin vitet e Nokia-s, jo të Iphone-it dhe Huawei-t.

Të dashur miq,

Të tjerë më thonë se gjuha shqipe nuk është e lehtë për t’u mësuar, por ndoshta gjuha finlandeze është edhe më e vështirë. Dikur dija vetëm një fjalë në finlandisht, atë që e dijnë të gjithë: sauna. Por për këtë rast mësova një fjalë të dytë, Kippis, që do të thotë: Gëzuar! Prandaj, le të ngremë një dolli për qeverinë dhe popullin e Finlandës dhe për shumë vite të tjera të marrëdhënieve miqësore midis vendeve tona. Faleminderit.

 

 

Last modified: 5 Dhjetor, 2022

Comments are closed.

×