Zyra e Kryeministrit

Fjala e Kryeministrit Albin Kurti në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

1 Gusht, 2022

 

Të nderuar gazetarë,

Ju faleminderit shumë që i jeni përgjigjur pozitivisht ftesës sonë për këtë konferencë për media dhe mirë se ju gjej këtu në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Mbrëmë ka pasur të shtëna në drejtim të policisë së Kosovës, dhe 9 barrikada me njerëz të armatosur në to, të cilët kanë ndaluar qytetarët në automjete e ata këmbësorë. Strukturat ilegale të Serbisë janë bërë banda kriminale, agresive, si rrallë herë më parë. Nuk është e lehtë për shtetin tonë sepse ato i mbështetë i tërë aparati shtetëror i fqinjit tonë verior. Janë me dhjetëra shkelje të rënda e të qarta të ligjit të bëra dje e me të cilat po merren policia dhe prokuroria. Fatmirësisht, nuk ka të plagosur me armë zjarri, siç u lajmërua rrejshëm nga ndonjë portal.

Ju lutemi të gjithë qytetarëve që të ndjekin me vëmendje informacionet zyrtare nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës.
Ju lutemi të gjithë punonjësve të medieve që njoftimet që vijnë nga mediet e Beogradit dhe Moskës, të mos i përhapin si lajme e fakte në mënyrë jokritike, meqë bëhet fjalë për shtete autoritare pa liri të medias atje.

Me këtë rast, më lejoni të falënderoj dhe të shprehë mirënjohjen time të thellë për Policinë e Kosovës, posaçërisht për zyrtarët policorë që ishin e janë në veri të Ibrit, duke vepruar me profesionalizëm të lartë e duke qëndruar me guxim të madh. Angazhimi i tyre është siguria e jonë.

Të nderuar gazetarë,

Pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak ende mbeten të mbyllura sepse ende mbeten të bllokuara rrugët që shpiejnë atje. Në të gjitha pikat e tjera kufitare po lëshohet dokumenti i hyrje-daljes për qytetarët që vijnë nga Serbia, me validitet 90 ditor. Deri në ora 12:00 sot, gjithsej 1501 qytetarë janë pajisur me këtë dokument nëpër vendkalimet kufitare, duke pritur mesatarisht 20 sekonda për këtë gjë.

Qeveria e Republikës së Kosovës e përsërit zotimin që në momentin kur hiqen barrikadat në veri dhe vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët atje, shtyhet zbatimi i dy vendimeve të Qeverisë nr. 01/85 dhe 02/85, të datës 29 qershor 2022 për datën 1 shtator 2022. Janë gjithsej, pra nëntë barrikada në veri të Ibrit. Presim që gjatë ditës së sotme të hiqen që të gjitha. Barrikadat janë hequr atëherë kur nuk ka ngelur asnjëra prej tyre.

Të gjitha masat tona janë për ligjshmëri dhe rend demokratik, për kushtetutshmëri dhe siguri për të gjithë. Asnjë masë e ndërmarrë nga organet shtetërore të republikës sonë nuk bëhet bazuar në identitetin etnik, por vetëm në bazë të veprimeve dhe sjelljeve individuale e grupore të qytetarëve. E ato duhet të jenë në përputhje me ligjin. Dhuna nuk do të tolerohet. Dhunuesit do të dënohen nga shteti i së drejtës me forcën e ligjit.

Gjatë ditës së djeshme kam qenë në kontakt edhe me partnerët e aleatët tanë evropianë dhe ata amerikanë. Kam biseduar me shkëlqesitë e tyre, zotërinjtë Josep Borrell dhe Jeffrey Hovenier. I falënderoj për komunikimin e hapur dhe rolin e tyre. Në veçanti e çmoj lartë përkushtimin e ambasadorit amerikan, i cili i shqetësuar me situatën porsi ne të tjerët kontribuoi shumë mbrëmë për zbutjen e gjendjes, gjithnjë duke mbështetur shtetin dhe qeverinë tonë, vendimet e qëndrimet tona.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë me fushatën e informimit për të gjithë qytetarët, lidhur me mundësinë e favorshme të shndërrimit të targave ilegale të automjeteve në ato legjitime dhe legale RKS (pa taksë doganore, akcizë dhe TVSh), si dhe sa i përket dokumentit hyrje-dalje në pikat kufitare me Serbinë për qytetarët që vijnë me dokumente të lëshuara nga autoritetet atje.

E kuptojmë brengën e faktorëve evropianë dhe amerikanë për efektin negativ të fushatës së dezinformimit mbi dy vendimet tona të 29 qershorit. Andaj, kemi shprehur gatishmërinë tonë që zbatimi i këtyre vendimeve të shtyhet për 1 shtator, menjëherë pasi të hiqen të gjitha barrikadat dhe të mundësohet liria e plotë e lëvizjes gjithandej nëpër veri të Kosovës.

I falënderoj qytetarët e vendit tonë për durimin, qetësinë dhe përkrahjen. Nuk do të lejojmë destabilizimin e rendit kushtetues demokratik të Republikës sonë, do të kujdesemi që të mbizotërojnë ligji dhe paqja, për siguri dhe mirëqenie të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

U bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë, kryeqendrave perëndimore demokratike, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që të dënojnë dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri të Kosovës, të cilat qartazi janë të nxitura, të përgatitura dhe të financuara nga Beogradi.

Ju faleminderit.

Last modified: 2 Gusht, 2022

Comments are closed.

×