Zyra e Kryeministrit

Deklarimi i plotë i Kryeministrit Kurti në Kuvendin e Republikës së Kosovës në lidhje me dakordimin e mbrëmshëm në Bruksel

24 Nëntor, 2022

Prishtinë, 24 nëntor 2022

Faleminderit kryetar Konjufca,
Të nderuar deputetë të Kuvendit, ministra të Qeverisë,
Zonja dhe zotërinj,

Qëllimi ynë ishte që propozimi franko-gjerman për normalizim përmes një marrëveshje ligjërisht të obligueshme ndërkombëtare, të bëhet çështja e bisedimeve në Bruksel drejt arritjes së një dakordimi, i cili shtetit tonë, që është normal e demokratik ia bashkëngjit edhe një raport normal e evropian me Serbinë, me fqinjën tonë verior.

Ishte e qartë nga vetë deklarata e zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesit të Lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Borrell, që një gjë e tillë nuk ishte përfshirë në diskutimet e ditës së hënë.

Tash ajo figuron saktësisht dhe me një status të qartë në paragrafin e parë. Nuk ka qenë në ditën e hënë, në tekstin, i cili më është ofruar mua në fund.

Besoj që kjo është një arritje e madhe, sepse për herë të parë procesi i dialogut hynë në një fazë të negocimit mbi Kornizën e Përgjithshme, që do të jetë ligjërisht e obligueshme e që do t’i zgjidhë problemet fundamentale nga prizmi i së drejtës ndërkombëtare.

Me datën 18 gusht z.Borrell ka bërë një kontribut të çmuar, sepse e ka strukturuar dialogun me pikën e parë, Korniza e Përgjithshme e Marrëveshjes dhe unë mendoj që data 18 gusht është data më e rëndësishme në këto dy vite sa i përket procesit të dialogut. Pika e parë, Korniza e Përgjithshme e Marrëveshjes. Pika e dytë, çështjet aktuale. Ne nuk mund ta evitojmë pikën e dytë, çështjet aktuale edhe pse nganjëherë duken se janë teknike, meqenëse lidhen me paqen e me sigurinë.

Njëmend çështja e targave është çështje teknike, administrative. Unë plotësisht pajtohem, mirëpo në anën tjetër duhet ta pranoj që në shtatorin e vitit të kaluar edhe ne kemi filluar të mos i trajtojmë vetëm çështjet teknike, prej momentit kur ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Boçan-Kharçenko erdhi në Jarinje dhe Bërnjak, që të inspektojë grumbullimin e trupave serbe e lart në ajër e ngritën një avion MIG29. Tash kjo njëmend për targa është. Edhe targat janë teknike, mirëpo pasojat janë edhe më shumë se politike.

Prandaj, unë jam dakorduar, që pika e dytë në dialog të jetë, çështjet aktuale, anglisht current issues, ashtu po i quajnë. Ndërkaq, e para, ka qenë Korniza e Përgjithshme e Marrëveshjes. Kjo është e rëndësishme. Pra, fillojmë prej Kornizës së Përgjithshme të Marrëveshjes.

Të hënën në mbrëmje mua më është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët, i cili i ka pasur 95 fjalë dhe fjalët Francë dhe Gjermani s’kanë qenë askund dhe nuk i referohej propozimit franko-gjerman ose të bashkimit Evropian siç po themi tani, përveç çështjes së targave te çështja e këtij propozimi. Pra, nuk thuhet propozimi, por thuhet ‘do të zgjidhet çështja e targave, sipas atij propozimi’ pa thënë franko-gjerman. 95 fjalë. Ndërkaq, kjo, që është dakorduar mbrëmë i ka 194 fjalë, është më shumë se dyfishi i tekstit. Janë krejtësisht të ndryshme.

Ata që thonë që ajo çka nuk është pranuar të hënën, është pranuar të mërkurën, nuk e dinë se për çka po flasin. Është dyfish tekst më i madh ky i mbrëmshmi dhe nuk është marrëveshje. Është një dakordim, por nuk është marrëveshje. A e dini pse nuk është marrëveshje? Shikojeni çka thotë në titull: Statement by HR/VP Borrell regarding the EU facilitated dialogue, pra, është deklaratë e Borrellit.

Ajo çfarë është bërë mbrëmë, është ndryshuar deklarata e Borrellit. Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borrelli ka ndryshuar deklaratë dhe kjo është shumë mirë.

Marrëveshja e mbrëmshme nuk është marrëveshje për targat. Ne u morëm vesh që t’i ndalojmë veprimet në mënyrë reciproke, pra nuk do të bëjmë gjobitje për targat KM dhe do t’i japim hapësirë negocimit të Propozimit Evropian, që më herët quhej franko-gjerman dhe po e quaj evropian, se me datën 11 nëntor, kur e kam takuar në Paris z.Borrell dhe Lajçak me ekipin tim të këshilltarëve, kur isha atje, unë kur thash propozimi franko-gjerman, ai reagoi bukur ashpër dhe tha ky është propozim Evropian. Unë thash, në rregull, i kërkova falje. Tash e tutje thash do ta quaj evropian, me mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë.

Mirëpo, unë të hënën e pash që është franko-gjerman, se po të ishte propozimi i Bashkimit Evropian, ai nuk do ta braktiste aq kollaj. Mua të hënën mu vërtetua që në fakt është franko-gjerman, por meqë insistohet të quhet i Bashkimit Evropian, nuk kam problem me atë punë.

Tash, ne dëshirojmë që të krijojmë një masë elementare mirëbesimi për t’i dhënë shansë dialogut me shpejtësi dhe ai duhet të fillojë brenda disa ditëve. Në paragrafin e parafundit, thuhet që në ditët në vijim dhe është shumë mirë që tash gjithçka është përshpejtuar.

Unë e di që kam pasur kërkesa nga z.Lajçak për 12 muaj, nga z.Escobar për 10 muaj, mirëpo unë besoj që kjo mund të bëhet e po bëhet shumë më shpejt. Nuk ka nevojë për 12 muaj e 10 muaj dhe qëndrimi jonë doli i drejtë. Ajo qendra për regjistrimin e automjeteve në Rashkë nuk lëshon më KM. S’ka nevojë 12 muaj. Pse 12 muaj? Pse 12 muaj? Dhe, kjo natyrisht, që është mirë për shtetin e Kosovës, por jo thjeshtë për shtetin e Kosovës. Është mirë për marrëdhëniet e ndërsjella me fqinjin tonë verior, se edhe ata përfitojnë.

Ne e kemi shpallë pavarësinë nga Serbia. Serbia përfiton kur ta shpallë pavarësinë nga Kosova. Nuk përfitojmë veç ne, përfitojnë ata.

Tjetra është që, pjesa e targave në marrëveshjen e mbrëmshme nënkupton që Qeveria nuk lëshon dhe regjistron targa të reja. Ajo është e qartë në tekst dhe gradualisht targat e paligjshme do të nxirren nga përdorimi sipas një mekanizmi të tillë.

Ne arritëm ta zbatojmë parimin e reciprocitetit në atë seksion të marrëveshjes, që u bë deklaratë e Borrellit, por theksojmë, ajo është e vlefshme deri në përfundimin e negocimit të dokumentit franko-gjerman. Kur të kryhet ky negocim, atëherë skadon edhe afati i këtij dakordimi.

Dakordimi i mbrëmshëm ka një target kryesor dhe kohor për negocimin dhe pajtueshmërinë e palëve lidhur me propozimin e Bashkimit Evropian të mbështetur nga Franca dhe Gjermania, e ajo është sa më shpejtë por jo më vonë se sa fillimi i pranverës së vitit 2023, gjë që thuhet në paragrafin e parafundit. Pra para fillimit të pranverës së vitit 2023, mund të jetë më herët por nuk bën të jetë më vonë. Dhe marrëveshja e cila duhet të arrihet duhet të jetë ligjërisht e obligueshme dhe ndërkombëtarisht e obligueshme. Pra ne nuk dëshirojmë vetëm marrëveshje për normalizim të plotë që është ligjërisht e obligueshme por edhe ndërkombëtarisht e obligueshme që është do të thotë në frymën dhe në qëllimin e Konventës së Vjenës për Ligjin për Traktatin. Kjo e bën edhe ndërkombëtarisht përveçse ligjërisht të obligueshme.

Tash një tjetër çështje e rëndësishme është që marrëveshja i referohet qëndrimit zyrtar të Bashkimit Evropian që produktet e dialogut të Brukselit, pra, marrëveshjet e kaluara janë të nënkuptuara si një dimension i përgjithshëm i cili edhe është pjesë përbërëse e planit franko-gjerman. Tash ne nuk mund ta mohojmë një nënkuptim të tillë të Bashkimit Evropian, por ne gjithashtu theksojmë se çdo gjë në lidhje me to është dhe do të konsiderohet në kuadër të propozimit të Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra ne kemi pranuar që marrëveshjet e Brukselit janë element i fushëveprimit të planit Franko-Gjerman në tërësinë dhe ambiguitetin e tyre bashkërisht.

Dakordimi ynë është një njohje e pozicionit të BE-së, e jo qëndrim ndaj diçkaje konkrete. Asnjë referencë në një marrëveshje konkrete nuk e kemi pranuar që të përfshihet në tekstin e mbrëmshëm. Kur unë kam qenë gjatë bisedimeve të hënën, insistimin më i madh ka qenë që në dakordimin që bëhet në deklaratën e Borrellit të jetë Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Ata e shohin Asociacionin si thelb të normalizimit, ne e shohim njohjen reciproke si thelb të normalizimit dhe është dallim i madh ndërmjet të hënës dhe të mërkurës. Të hënën kanë qenë Borrelli dhe Lajçaku, ndërkaq dje siç e keni parë ka qenë vetëm Lajçaku.

Tjetra, ne nuk pajtohemi me të kaluarën, por trashëgimia e qeverive të kaluara është shndërruar në pozicion zyrtar të vetë Bashkimit Evropian. Pra trashëgimia e marrëveshjeve është pozicion i Bashkimit Evropian, prandaj edhe në deklaratën e Borrellit i keni ato. Ndryshimi i saj merr kohë dhe duhet të bëhet në kuadër të një plani më të madh, atij franko-gjerman, të cilën le të vazhdojmë ta quajmë propozim të Bashkimit Evropian.

Dakordimi i mbrëmshëm e vendos parimin e parë negociator të procesit të negociimit të franko-gjermanes, të evropianes, parimin që ne dhe Serbia jemi palë të barabarta, prandaj edhe jemi të emërtuar si “parties” pra si palë. Një kornizë e tillë është avancim i fuqishëm në drejtim të faktit që propozimi do të jetë një marrëveshje ndërkombëtare, ligjërisht të obligueshme dhe me njohjen reciproke në qendër. Pra ndërkombëtare dhe ligjërisht të obligueshme, sipas Konventës së Vjenës për Ligjin mbi Traktatet.

Serbia e ka pranuar për herë të parë që emërtimet e qyteteve të Kosovës janë pjesë e juridikisonit territorial të Republikës sonë. Një hap i tillë është fundamental në drejtim të mbylljes së strukturave ilegale e paralele dhe përfundimit të financimit të tyre në të ardhmen e afërt.

Dhe krejt në fund lidhur me disa gjëra që u përmendën më lejoni që t’ju njoftoj për qëndrimin tim në secilin takim jo vetëm në Bruksel. Unë ju kam bërë thirrje të gjithë serbëve që janë në institucione, mos i braktisni ato, mos jepni dorëheqje, mos shkoni, por nuk ju kam thënë kthehuni. Nuk kam të drejtë të ju them kthehuni. Unë kam të drejtë politikisht të ju them mos shkoni por nuk kam të drejtë të ju them kthehuni. Shkuarja tyre është akt individual politik, kthimi i tyre, është çështje ligjore, kushtetuese, institucionale.

Unë nuk kam qenë në fillimin e seancës para kësaj dhe ne e pamë që u kthyen. U kthyen edhe e dhanë betimin. Nuk u kthyen ata që shkuan, u kthyen do tjerë, e dhanë betimin sepse kështu e thotë Kushtetuta dhe ligji. Pra kthimi i serbëve në institucione nuk mund të bëhet politikisht. Është çështje juridiko-ligjoro- kushtetuese. Unë natyrisht nuk dua të kemi institucione një etnike, por edhe pse kanë shkuar serbët nuk janë një etnike. Së pari shumica e serbëve në institucione vazhdojnë me qenë në institucione. Së dyti, janë boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët, edhe këta janë pakica. Nuk janë vetëm serbët. Edhe malazezët, e tha një deputet aty.

Pra, krejt këto pakica janë, ka edhe kroat. Këto janë pakica në shtetin tonë edhe shteti jonë nuk e ka veç një pakicë. Është e vërtet që është pakica më e madhe në numër, por nuk është e vetmja. Andaj, mos shkoni, po. Kthehuni, nuk mundem. Unë besoj që këtë qëndrim duhet ta mbajnë të gjithë përfaqësuesit e popullit tonë dhe unë si kryeministër e Qeveria jonë padyshim që ka nevojë edhe nuk ka se ia del dot pa Kuvendin, pa mbështetjen e të gjithëve. Ne kemi nevojë për mbështetjen e juaj, ju keni nevojë për njoftimin tonë, por që të gjithë bashkë kemi nevojë për diskutim dhe unë jam i gatshëm këtë ta bëjë. Edhe në seancë plenare, edhe në seancë me dyer të mbyllura, edhe në takime me liderët, për shkak se nuk dua të eci vetëm. Është çështje përtej cilitdo prej neve, çështje përtej këtij mandati qeverisës.

Dhe sa i përket dialogut me serbët lokal, 10 serbë të Kosovës që udhëheqin organizata ta ndryshme i kam takuar dje. Po duhet ta kuptoni një gjë. Nuk duan fotografi prej takimit. Nuk duan fotografi prej takimit. Po ndodh dialogu me serbët lokal. Po unë nuk mund t’i mbroj ende ata. Mua më vjen shumë keq që gjashtë vetura të serbëve janë djegë e unë nuk kam arrit me i mbrojt. Më vjen shumë keq për këtë punë.

Edhe serbët kur vijnë në takim me mua, ata nuk duan që të bëjnë fotografi. Një orë e gjysmë kemi diskutuara, por nuk donë të bëjnë fotografi, sepse ju hakmerren. E unë besoj që rasti më eklatant ka qenë i atij ish-këshilltarit tim në Kurti 1, në pranverën e vitit 2020, që dha dorëheqje dy orë pas emërimit.

Pra, duhet ta bëjmë dialogun, po duhet ta kuptojmë që nuk mund ta publikojmë si të tillë këtë dialog. Unë besoj që edhe shumë prej juve takoni serbë të Kosovës. Pyesni a janë të gatshëm ta publikojnë. Besoj që pothuajse në të gjitha rastet do të thonë jo. Edhe i takoni ata sa më shumë. Unë ju inkurajoj t’i takoni sa më shumë që t’i integroni. Ama duhet edhe t’i ruajmë. Pse duhet t’i ruajmë? Se nuk po arrijmë t’i mbrojmë. Ka struktura ilegale të cilët veprojnë në veri të Kosovës dhe pas veprimeve në veri të Kosovës shkojnë në atë hotelin në anën tjetër të kufirit ku e kanë shtabin kriminelët. Ajo është në Serbi. Atje e kanë shtabin. Domethënë në anën tjetër të faqes së Malit të Kopaunikut, atje është një hotel ku mblidhet shtabi i kriminelëve që djegin vetura e mandej ikin. Ne nuk po arrijmë t’i mbrojmë. Nuk ka pas ndonjëherë sundim të ligjit më shumë, por natyrisht që nuk është sikurse në pjesët tjera të vendit. E këtë duhet ta synojmë ne. Pra, po dialogut me serbët lokal, por po na duhet ta bëjmë me shumë kujdes.

Faleminderit.

 

Last modified: 24 Nëntor, 2022

Comments are closed.

×