Prishtinë, 17 dhjetor 2009
Duke u nisur prej krijimit të rrethanave të reja shumë favorizuese për respektimin e komuniteteve në Kosovë, por edhe të raporteve ndër fqinjësore të mira dhe të shkëlqyeshme që ka ndërtuar Republika e Kosovës me të gjitha vendet e rajonit, edhe me njohjet që këto vende i kanë bërë Republikës së Kosovës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e 99-të të qeverisë ka prezantuar një deklaratë shtesë të zotimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që çmon dhe përkrah diversitetin etnik të Kosovës.
Mbrojtja e të drejtave të komuniteteve është pjesë përbërëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Komunitetet e ndryshme pasurojnë mozaikun etnik dhe kulturor dhe shërbejnë si urë lidhëse midis popujve edhe vendeve të rajonit.
Komunitete etnike në Kosovë janë të integruara plotësisht në institucionet dhe shoqërinë kosovare në nivel qendror dhe lokal.
Shembulli më i mirë është organizimi i zgjedhjeve lokale të lira dhe participimi i tyre, formimi i komunave të reja.
Në këtë kuadër, Qeveria e Republika e Kosovës mirëpret kontributin dhe pjesëmarrjen e plotë të komunitetit malazias në Kosovë, në institucionet demokratike të Republikës së Kosovës dhe në shoqërinë kosovare, përkrah të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe do të kenë një mbështetje afirmative.
Ne shpresojmë se komuniteti malazias do të kontribuojë në thellimin edhe më të madh të raporteve fqinjësore dhe ndërshtetërore të Republikës së Kosovës dhe Republikën e Malit të Zi.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të vendos marrëdhënie të plota diplomatike me Republikën e Malit të Zi dhe në afatin sa më të shpejtë të mundshëm dhe të avancojë raportet e shkëlqyeshme të deritanishme.