Buxheti 2012 – dëshmia më e qartë se kjo qeveri është në shërbim të plotë të gjithë qytetarëve të Kosovës – thekson kryeministri Thaçi


Image


Image

Prishtinë, 17 nëntor 2011
 
Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me projekt-buxhetin e Kosovës të vitit 2012, mbajtur në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës,

 
I nderuari kryetar i Kuvendit
Të nderuar deputetë
Kabinet qeveritar
Qytetarë të Republikës së Kosovës

 
Sot është një ditë shumë e rëndësishme për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, edhe për të gjithë ne, pasi që sot do të miratojmë buxhetin e Kosovës për vitin 2012.
 
Buxheti që do ta miratojmë sot është shumë domethënës për shumë arsye. Ky buxhet i sukseseve tona, është buxhet i premtimeve të mbajtura, dhe mbi të gjitha buxhet i dinjitetit të shtetit tonë demokratik dhe qytetarëve tanë.
 
Ky buxhet është dëshmia më e qartë se kjo qeveri është në shërbim të plotë të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të interesave të tyre.
 
Miratimi i buxhetit për vitin 2012, vjen si rezultat i punës dhe përpjekjeve të palodhshme të institucioneve tona për të ndërtuar një buxhet që garanton zhvillimin ekonomik të vendit, dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mirëqenies së qytetarëve tanë.
 
Ky buxhet është dëshmi e përpjekjeve tona që përmes zhvillimit ekonomik të punojmë për të çuar përpara përfshirjen sociale dhe për të rritur mirëqenien sociale të qytetarëve tanë.
 
Kjo ofertë financimi e paraparë për vitin 2012, është dëshmia më e mirë se kjo Qeveri është e përkushtuar që të punojë në dobi të të gjithë qytetarëve tanë, pa dallime etnike, qytetare, regjionale dhe në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
 
Ky buxhet është i bazuar në projeksione realiste të hyrave dhe shpenzimeve, në këtë kohë kur kriza ka kapluar shumë vende të Evropës, dhe garanton jo vetëm plotësimin  nevojave për qytetarët tanë, por njëkohësisht garanton edhe rritje të zhvillimit ekonomik.
 
Një veçori tjetër e këtij buxheti është se reflekton plotësisht politikat prioritare të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Pra, buxheti është ndërtuar duke u bazuar në politika mirëqeverisëse dhe sidomos në Planin dhe Vizionin për zhvillimin ekonomik të vendit, i cili reflekton më së miri angazhimin tonë për të ecur përpara në sektorët strategjikë, të cilët kanë ndikim drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në krijimin e një ambienti sa më të favorshëm për investimet të huaja direkte.
 
Të nderuar deputetë,
 
Ky buxhet reflekton rritjen e financimeve për sektorin e bujqësisë, përqendrohet në financimin e projekteve kapitale, duke përfshirë këtu edhe projektin më madhor rrugën Morinë-Merdar, si dhe investime tjera kapitale në fushën e infrastrukturës, arsimit, shëndetësisë, telekomunikacionit dhe energjetikës.
 
Buxheti i vitit 2012 është dëshmi e përkushtimit tonë të fuqishëm për të ruajtur qëndrueshmërinë fiskale dhe për të siguruar financim të plotë për të gjitha shërbimet publike të cilat janë në dobi të qytetarëve tanë, në këtë periudhë të vështirë ekonomike në të cilën po kalon jo vetëm Kosova dhe vendet e rajonit, por edhe vende tjera të zhvilluara të Evropës.
 
Në fakt, mund të themi me krenari, se përderisa shumë vende të Evropës janë ballafaquar me stagnim në zhvillimin e tyre, Kosova jo vetëm që nuk ka përjetuar ngecje e regres, por në vazhdimësi ka arritur të ruajë rritjen ekonomike stabile, e cila do të jetë e pranishme edhe në viteve në vijim.
 
Për këtë vit, rritja ekonomike do të jetë pesë përqind.
 
Kjo është dëshmi e politikave tona të matura dhe realiste, por është edhe refleksion i vitalitetit dhe aftësive të pamohueshme të qytetarëve tanë, për t’u përballur me vështirësi, duke pasur gjithmonë vizion për të ardhmen.
 
Të nderuar deputetë,
Kabinet qeveritar
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës

 
Para se të përfundoj fjalën time, më lejoni që të përmend edhe një fakt me shumë rëndësi.
 
Ky buxhet është ndërtuar në bashkëpunim të plotë me miqtë tanë ndërkombëtar, poashtu është harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që është një dëshmi e fuqishme e partneritetit tonë me këtë organizatë financiare ndërkombëtare, por edhe dëshmi se Kosova është në gjendje të jetë anëtare e barabartë dhe e përgjegjshme e institucioneve ndërkombëtare.
 
Të nderuar deputetë,
kabinet qeveritar,
qytetarë të Republikës së Kosovës

 
Në fund, dua të theksoj se ky buxhet është buxhet i zhvillimit ekonomik, i mirëqenies sociale, i reformave demokratike, forcimit të rendit dhe ligjit, integrimeve evropiane.
 
Të nderuar deputetë,
përfaqësues të të gjitha partive politike,

 
Unë dëshiroj që t’iu falënderoj për bashkëpunimin që keni treguar në procesin e sqarimit nga ministri i Financave, z.Hamzaj, që i keni bërë këtij buxheti.
 
Ju falënderoj për të gjitha kritikat, vërejtjet, sugjerimet, por edhe për mbështetjen tuaj.
 
Ju ftoj që ta miratojmë këtë buxhet, të kemi një debat dobiprurës, në shërbim të shtetit dhe të interesave të të gjithë qytetarëve.
 
Ky buxhet do të jetë në interes të shtetit, në interesin e të gjithëve.
 
Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors