Zyra e Kryeministrit

Autostrada Vërmicë-Merdarë, projekti më i madh dhe më modern ndërtimor në historinë e Kosovës – thekson kryeministri Thaçi

12 Nëntor, 2011

12 nëntor 2011

Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e inaugurimit të 38 kilometrave të parë të Autostradës Vërmicë-Prishtinë-Merdarë

E nderuara presidente e Kosovës, zonja Jahjaga,
I nderuar kryeministër i Shqipërisë, z. Berisha,
I nderuari dhe i respektuari kongresmen, miku i madh i Kosovës, z. Engël,
I nderuari ambasador i SHBA-ve, z. Dell
Ambasadorë të nderuar,
Të nderuar përfaqësues të Konsorciumit Bektell – Enka
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,

Kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emerin tim t’ju drejtohem me rastin e inaugurimit të përfundimit të punimeve të 38 kilometrave të para të autosdratës Vërmicë-Merdarë.

Fillimisht dëshiroj të përkujtoj atë që e kam theksuar me rastin e nisjes së punimeve: se kjo rrugë ka rëndësi të veçantë jo vetëm për qytetarët e Kosovës, për shtetin e Kosovës dhe për Shqipërinë, por edhe për gjithë rajonin.

Prandaj, më lejoni të shpreh admirimin dhe respektin e lartë për punën madhështore që është bërë për vazhdimin e kilometrave të para të Rrugës së Kombit në Kosovë, që me krenari mban emrin e presidentit Ibrahim Rugova.

Kjo Autostradë paraqet projektin më madhor në historinë e Kosovës, një investim strategjik për zhvillimin infrastrukturor dhe ekonomik të vendit.

Është një projekt integrues, që Kosovës dhe qytetarëve të saj do t’u ofrojë mundësitë më të mira për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe kapitalit.

Me këtë rast, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës shpreh falënderim të veçantë për përfaqësuesit e Kompanisë ndërtuese Bektell – Enka.

Keni bërë një punë madhore dhe vepra juaj është tani pjesë e historisë së Kosovës.

Zonja dhe zotërinj,
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Ka kaluar një dekadë që kur kemi lënë mbrapa nesh telat me gjemba, kufijtë e frikshëm, kalimet e ndaluara dhe dëbimet  e dhunshme.

Lamë mbrapa historinë e padrejtë: Kufijtë që ndanin.

Pra, për këtë ditë është bërë luftë e drejtë dhe çlirimtare.

Për këtë ditë janë çarë shkëmbinj e shembur bjeshkë.

Vetëm që njëherë e përgjithmonë prapa nesh të mbesin robëria dhe izolimi.

Pa lirinë e Kosovës ky projekt nuk do të jetësohej.

Sot ëndrra po e bëhet realitet.

Prandaj, të gjithë  i gëzohemi natyrshëm kësaj autostrade, ashtu si i gëzohemi lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Përmes saj do të përpiqemi ta zëmë kohën e humbur dhe ta korrigjojmë padrejtësinë dhe prapambetjen shekullore.

Kjo është autostradë e humanizimit të natyrës sonë.

Kjo është Autostrada e jetës së re.

Autostradë në shërbim të qytetarëve.

Në të do të qarkullojnë bashkëkombasit tanë, qytetarët e rajonit dhe të botës, bashkatdhetarët tanë.

Në të do të lëvizin lirshëm njerëzit për t’i përmbushur funksionet e jetës, në përpjekje për ta ngritur dhe ndërtuar ëndrrën e lumturisë njerëzore dhe familjare.

Në të do të lëvizin punëtorë e studentë, të rinj e të reja, biznesmenë e profesionistë të tjerë, farmerë, familjarë e turistë në kërkim të ëndrrës dhe synimit të tyre –  suksesit, progresit dhe mirëqenies.

Zonja dhe zotërinj,

Ky është projekti i Kosovës së re. I  Kosovës Evropiane.

Projekti më i madh dhe më modern ndërtimor në historinë e Kosovës.

Projekti i vullnetit të qytetarëve dhe vizionit politik të shtetit tonë.

Ky projekt është civilizim dhe emancipim, që ndanë përjetësisht epokat, botën e re nga e vjetra.

Është projekt i shekullit të ri, i lirisë, pavarësisë dhe intergrimit.

Projekt i gjeneratës dhe mentalitit të ri mirëqeverisës.  

Është projekti i evropianëve të rinj.

Projekt që hap dhe demokratizon kufij – që thyen barrierat e së kaluarës, dhe hap horizontin e së ardhmes.

Kjo është autostrada më moderne në rajon.

Punimet e këtij segmenti janë mbyllë me afat rekord.

Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,

38 kilometërshi i Autostradës, Kosovën e gjen shtet të njohur nga 85 vende të botës.

Kosova e pavarur dhe demokratike  ka perspektivë të qartë dhe po hyn e sigurt në etapën e modernizimit.

Ne që kemi besuar në projektin madhor të çlirimit të Kosovës dhe të pavarësisë së saj, do të jemi këmbëngulës edhe në realizimin e projektit të tretë madhor, atë të integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike.

Urime dhe e gëzofshim Autostradën e re.

Last modified: 12 Nëntor, 2011

Comments are closed.