I nderuar Kancelari Scholz,
E nderuara Presidentja von der Leyen,
Anëtarë të Procesit të Berlinit,
1. Procesi i Berlinit filloi në gusht të vitit 2014, pak pasi zgjerimi i BE-së pauzoi dhe Rusia aneksoi Krimenë.
2. Dhjetë vjet më vonë, siguria e Evropës nuk ka ndryshuar për të mirë, por përgjigjja ndaj invazionit të Rusisë në Ukrainë ka qenë ndryshe. Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia janë kandidatë të BE-së, Suedia dhe Finlanda i janë bashkuar NATO-s dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë përsëri në agjendën e BE-së.
3. Qe një dekadë, Procesi i Berlinit po luan një rol në përafrimin e vendeve të rajonit tonë bashkë dhe drejt BE-së. Pavarësisht sfidave të brendshme dhe të jashtme, Procesi i Berlinit mbetet një forcë shtyse për integrimin evropian dhe fija që i mban të lidhura gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo është ajo çka e njohim dhe festojmë këtu në Berlin.
4. Tregu i Përbashkët Rajonal (CRM) është një nga të arriturat më të mëdha të këtij procesi. Një momentum i ri është fituar pas kapërcimit të ngërçit brenda CEFTA-s. Tash mund të përparojmë me një ritëm të ndryshëm, me barazi në qendër dhe qytetarët si përfituesit e fundit.
5. Plani i Rritjes i BE-së është tani një Agjendë e miratuar e Reformave; zbatimi i tij duhet të ndjekë qasjen e “garës për në majë”.
6. Përgjatë një dekade, në Procesin e Berlinit është shënuar progres domethënës, por nevojiten më shumë veprime. Një paradoks u paraqit në janar të këtij viti, kur shtetasit e Kosovës mund udhëtojnë pa vizë në BE, por ende u mungonte liria e lëvizjes në Bosnjë dhe Hercegovinë.
7. Përderisa entiteti i Republikës Serbe refuzon ratifikimin e marrëveshjes së mobilitetit për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, të cilën vendi im ishte i pari në rajon që e ratifikoi në parlament, unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, do të lejojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen e lirë me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës.
8. Lidhshmëria është e domosdoshme për Procesin e Berlinit, por duhet të ruhemi nga ndikimi i huaj, veçanërisht nga Kina, e cila ka investuar thellë në fqinjin tonë verior, duke nënshkruar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë dhe një zotim për një të ardhme të përbashkët me Kinën.
9. BE-ja duhet të sigurohet që fondet e BE-së janë të lidhura me vlerat e BE-së – është Procesi i Berlinit ai që e afron rajonin tonë me BE-në, jo “Procesi i Pekinit”, i cili çon drejt BRICS-it.
10. Kosova ka qenë dhe do të jetë një zë i arsyeshëm dhe një flamurtar në këtë Proces, por nuk duhet të qëndrojmë të vetëm në shtyrjen përpara dhe mbrojtjen e vlerave themelore të BE-së.
Kancelar Scholz,
Presidente von der Leyen,
Pas dy muajsh do të shënojmë dy vjet prej kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Ndërsa ne deklarojmë se zgjerimi është përsëri në agjendë, ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit. Në këto tre vite e gjysmë të fundit, kemi shënuar rritje të jashtëzakonshme ekonomike, progres demokratik dhe stabilitet institucional, duke menaxhuar suksesshëm disa kërcënime serioze të sigurisë. Njohja e përparimit dhe të arriturave të Kosovës po ashtu afirmon përkushtimin e BE-së ndaj zgjerimit dhe vlerave të saj.
Ju falemnderit.
Last modified: 14 Tetor, 2024