Strasburg, 15 mars 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në takimin e 10-të të Komitetit të përbashkët Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në.
Në këtë mbledhje ai foli për rolin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për Kosovën, edhe para shpalljes së pavarësisë, dhe popullin e Kosovës, për vlerat demokratike që ndajmë me Bashkimin Evropian, për respektimin e të drejtave të njeriut, aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe zbatimin e marrëveshjes së MSA-së. Ai po ashtu veçoi disa nga arritjet kryesore në luftimin e krimit dhe korrupsionit, reformat e ndërmarra dhe përmirësimet e shënuara gjatë gati dy viteve të qeverisjes.
Më poshtë mund të gjeni adresimin e plotë të kryeministrit Kurti:
Të nderuar bashkëkryesues të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë, z. Romeo Franz dhe znj. Mimoza Kusari – Lila,
I nderuar Shef i Njësisë për Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë në Komisionin Evropian, z. Vassilis Maragos,
I nderuar Këshilltar i Lartë për Ballkanin Perëndimor, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm, Z. Clive Rumbold,
E nderuara raportuese e përhershme e Parlamentit Evropian për Kosovën, znj. Viola Von Cramon,
Të nderuar anëtarë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit,
Zonja dhe zotërinj,
Është nder të jem sot këtu në Parlamentin Evropian dhe t’i drejtohem këtij komiteti të përbashkët të dy parlamenteve tona.
Sistemet e demokracisë janë mbështetur në shumë mjete, por kryesisht në parlamente për të ngritur vlerat demokratike dhe i kanë mbrojtur këto vlera në emër të atyre që nuk ndajnë të njëjtin podium. Ndër parlamentet më të njohura në botë, Parlamenti Evropian, ka një histori të fuqishme të hedhjes së dritës mbi betejat që mbeten jashtë syve të shumë njerëzve dhe nderimit të rezistencës së jashtëzakonshme të njerëzve të zakonshëm.
Kosova ka qenë pranuese e bindjes së thellë të këtij institucioni për të mbrojtur demokracinë. Me rezolutat dhe raportet e tij, deputetët e Kuvendit u kanë bërë thirrje të gjitha vendeve anëtare të BE-së që të njohin shtetin e pavarur, i kanë bërë thirrje Këshillit të heqë regjimin e vizave për qytetarët tanë dhe të avokojë në përgjithësi për një perspektivë më të fortë evropiane për vendin dhe rajonin tonë. Frytet e kësaj mbështetjeje janë të dukshme. Vetëm javën e kaluar, Këshilli i Bashkimit Evropian, në mënyrë unanime vendosi në favor të regjimit të udhëtimit pa viza të Kosovës, duke na afruar të jemi pjesëmarrës të plotë të Evropës.
Mbështetja që kemi pasur nga Parlamenti është para pavarësisë së vendit tonë. Një nga mënyrat më të dukshme dhe vendimtare që Parlamenti ka mbështetur luftën e palodhur dhe të guximshme për të drejtat e njeriut në mbarë botën është nëpërmjet Çmimit Sakharov – i cili iu dha për herë të parë Nelson Mandelës dhe disidentit sovjetik Anatoli Marchenko në 1988, duke u bërë nderi kryesor i Bashkimit për betejën për të drejtat dhe liritë e njeriut. Lufta e Kosovës për të drejtat e njeriut u nderua dy herë me këtë çmim; i pari prej të cilëve iu dhurua shkrimtarit dhe të burgosurit politik për plot 28-vite Adem Demaçit në vitin 1991 dhe i dyti, shtatë vite më vonë, presidentit Ibrahim Rugova. Nëpërmjet kësaj pune për të njohur dhe mbrojtur ata që i rezistojnë shtypjes, Parlamenti ka mishëruar citimin e shumëcituar – por gjithnjë të vërtetë – të Martin Luther King-ut se “padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo.”
Duke ilustruar rolin historik të Parlamentit Evropian për të njohur dhe vlerësuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të kontinentit, këtë vit i njëjti çmim i është dhënë Popullit të Ukrainës për “mbrojtjen, demokracinë, lirinë dhe sundimin e ligjit”. Sot ne qëndrojmë në solidaritet me ata që luftojnë për liri në mbarë botën. Ne qëndrojmë në solidaritet me Ukrainën. Mendimet dhe simpatia jonë shkojnë për viktimat e agresionit rus dhe ne besojmë se i vetmi fund i drejtë i kësaj lufte mund të jetë me një fitore të Ukrainës.
Nga përvoja jonë një çerek shekulli më parë, ne e dimë se sa vuajtje dhe humbje mund të shkaktojë fqinji agresiv dhe sa sakrifica nevojiten për luftën çlirimtare. Njohja për luftën për të drejtat e njeriut që Kosova mori pikërisht nga ky Parlament, ka qenë një shtyllë e rëndësishme në historinë e suksesit të vendit tonë. Dhjetë vite pasi Ibrahim Rugovës iu dha Çmimi Saharov, ne shpallëm pavarësinë tonë. Në 15 vitet tona si vend i pavarur, të shënuar muajin e kaluar, ne kemi ndërtuar një vend me institucione demokratike, ku partitë opozitare fitojnë zgjedhjet, ku të njëjtat zgjedhje janë të drejta dhe ku lufta për të respektuar të drejtat e njeriut për të cilën kemi luftuar aq shumë dhe për t’u bashkuar me demokracitë më të përparuara në angazhimin për të pasur të drejtat e njeriut është tipari qendror me të cilin ne qeverisim. Në 15 vite si shtet ne kemi treguar se jemi një vend i udhëhequr në thelb nga vlerat evropiane dhe një vend që punon drejt një të ardhmeje evropiane.
Rruga drejt të ardhmes për të nxitur këto vlera evropiane është duke rritur afërsinë tonë me BE-në. Një pengesë e fortë për një afërsi të tillë ka qenë regjimi i gjatë i vizave siç e dimë. Ky parlament dhe disa deputetë shumë të zëshëm kanë bërë thirrje për liberalizimin e vizave ndër vite dhe kanë insistuar në rëndësinë e kësaj teme. Vitin e kaluar ne kemi punuar së bashku me Komisionin, Shtetet Anëtare dhe Presidencën Çeke për të siguruar që liberalizimi i vizave të sillet në rendin e ditës të Këshillit. Parlamenti Evropian mbeti gjatë gjithë kohës një zë konstruktiv dhe mbështetës. Pas progresit që kemi treguar në fushat e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në zbutjen e migrimit të parregullt, Liberalizimi i Vizave – pas pezullimit për më shumë se katër vite në Këshill – u soll përfundimisht në rendin e ditës të grupit të punës të vizave. Ai u votua nga Këshilli në dhjetor pas trialogut të suksesshëm midis Parlamentit Evropian dhe Këshillit, gjithashtu u përmbyll dhe u votua më 12 janar 2023. Javën e kaluar festuam vendimin e Këshillit për të mbështetur Liberalizimin e Vizave për Kosovën. Ndërsa presim hapat e mbetur që përfshijnë miratimin e këtij Parlamenti, ne besojmë dhe shpresojmë që qytetarët tanë do të jenë në gjendje, ashtu si pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të udhëtojnë pa viza në Evropë duke filluar nga 1 janari 2024.
Krahas liberalizimit të vizave, viti i kaluar shënoi një tjetër hap të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve tona me Bashkimin Evropian. Më datë 15 Dhjetor ne kemi aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në BE. Në vitin 2003 në Selanik, Bashkimi Evropian bëri një premtim kuptimplotë për mbështetje të qartë për Perspektivën Evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Samiti i Selanikut ishte i qartë, ai premtoi përgatitje për integrim në Strukturat Evropiane dhe anëtarësim përfundimtar në Bashkimin Evropian. Kjo perspektivë është rikonfirmuar me Deklaratat e Sofjes, Zagrebit, Brdo-s dhe së fundmi në Tiranë në dhjetor të vitit të kaluar. 20 vjet pas Samitit të Selanikut, Kosova mbetet i vetmi vend pa status kandidat, edhe pse – do të argumentohej objektivisht – e meritonte atë.
Prandaj, ne besojmë se Kosova është e gatshme të hyjë në vlerësimin e kërkuar të rreptë, të drejtë dhe meritokratik të Komisionit. Aplikimi i Kosovës vjen gjashtë vite pas zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kjo e bën vendin që e ka zbatuar MSA-në më shumë përpara aplikimit të saj. Gjatë 20 viteve të fundit Kosova gjithashtu është përafruar me acquis të BE-së përmes PSA-së. Për më tepër, për më shumë se shtatë vite Kosova zyrtarisht është duke e harmonizuar legjislacionin e saj me acquis të BE-së dhe ka ndërtuar kapacitetet e saj institucionale të BE-së përmes MSA-së. E gjithë puna e lartpërmendur, dhe më shumë, na jep një bazë solide dhe shpresë të përgjegjshme për pyetësorin e statusit të kandidatit.
Edhe pse statusi ynë si vend mbetet i kontestuar nga pesë shtete anëtare, realiteti dhe e ardhmja jonë – në zemër të Ballkanit – mbetet në mënyrë të pakontestueshme evropiane. Parimi i BE-së “Diversiteti në njohje dhe unitet në angazhim”, i cili rezultoi i frytshëm me MSA-në dhe liberalizimin e vizave, duhet të shtrihet edhe në procesin e anëtarësimit me Kosovën.
Sa i përket dialogut me Serbinë, ne jemi të përkushtuar, konstruktiv dhe krijues. Ne besojmë se Marrëveshja Themelore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbën një avancim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Ne i qëndrojmë parimit universal që marrëveshja mbështet si ai i respektimit të integritetit territorial, heqja dorë nga kundërshtimet për anëtarësimin e Republikës sonë në organizatat ndërkombëtare, shkëmbimi i misioneve diplomatike nëpërmjet ambasadorëve të plotfuqishëm, njohja e simboleve shtetërore, pasaportave, etj. Sa i përket të drejtave të pakicave në Kosovë, ne jemi të bindur se kushtetuta jonë – e cila parasheh zbatimin e drejtpërdrejtë të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut dhe traktateve të tjera ndërkombëtare – ofron kornizën e duhur për respektimin e të drejtave të pakicave dhe forcimin e tyre sipas nevojës.
Të nderuar deputetë,
Në pothuajse dy vite të mandatit të qeverisë sonë, ne kemi demonstruar me vendosmëri dhe sukses vullnetin për të luftuar krimin dhe korrupsionin, si dhe për të zbatuar në mënyrë efektive reformat në drejtësi dhe në administratën publike. Përkushtimi ynë për një transparencë dhe progres më të madh u vu në dukje siç duhet nga organe të njohura ndërkombëtare si indeksi i Transparency International dhe Raporti i Komisionit të BE-së për vendin.
Në një kohë ku demokracia është nën kërcënim të madh, Kosova e ka ndërtuar veten të jetë vendi më demokratik në rajon siç maten me standardet ndërkombëtare për Sundimin e Ligjit, Qeverisjen e Mirë, Demokratizimin, Kundër Korrupsionit dhe Lirinë e Medias. Ne kemi përjetuar përparim të dukshëm në dy vitet e fundit, duke përmirësuar renditjen tonë me 20 vende në Transparency International dhe 17 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit. Raporti i Freedom House i javës së kaluar riafirmoi edhe një herë këtë përparim. Sipas raportit, Kosova renditet e para në Ballkanin Perëndimor, e dyta në Evropë dhe e treta në botë për përparimin e bërë në të drejtat politike dhe liritë civile.
Demokracia jonë e forcuar dhe stabiliteti politik që rezultoi u shndërrua në një divident makroekonomik. Ne përjetuam një rritje ekonomike dyshifrore prej 10.7% në vitin 2021 dhe vazhduam të rritemi në vitin 2022 me rreth 4% pas zbritjes së inflacionit. Këtë vit kemi pasur një rritje prej 17% të të hyrave buxhetore në krahasim me vitin e kaluar. IHD-të tona u rritën me 44%, ndërsa eksportet tona u rritën me 23%, të ardhurat nga taksat me 22%, dhe të ardhurat doganore me 11%.
Ne kemi zbatuar shumë reforma të vonuara prej kohësh, të cilat janë rekomanduar në mënyrë të përsëritur nga BE-ja që nga viti 2012. Viti i kaluar ishte shumë i suksesshëm edhe kur bëhet fjalë për rendin e ditës evropian, zbatimin e Programit Kombëtar të Stabilizim Asociimit dhe fokusin e fortë në rendin e ditës të Reformës Evropiane. Kosova është gjithashtu vendi i dytë që ratifikoi tre marrëveshjet nga Procesi i Berlinit të nënshkruara nëntorin e kaluar, ndërsa me miratimin e 2/3 të parlamentit u bë gjithashtu vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që i ratifikoi ato. Ne jemi të vendosur fort për bashkëpunimin rajonal.
Të nderuar deputetë,
Përafrimi ynë i CFSP-së për sanksionet kundër Rusisë, solidariteti ynë me Ukrainën, solidariteti ynë i treguar nga evakuimi i pothuajse 1900 refugjatëve afganë, përkushtimi ynë për sundimin e ligjit, demokracinë, lirinë e medias, reformat tona të mundimshme dhe orientimi ynë euroatlantik, janë të gjithë tregues të rëndësishëm të demokracisë dhe aleancën sonë me BE-në. Kosova çdo ditë po dëshmon se është një vend jo vetëm i ndërtuar mbi vlerat evropiane, por një vend që i përkrah ato në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe shoqërisë dhe e ardhmja e të cilit është evropiane.
Faleminderit.
Last modified: 17 Mars, 2023