Prishtinë, 12 mars 2025
Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar përfaqësues të medieve këtu në sallë,
Më lejoni që të nisë këtë mbledhje me një dedikim për fotoreporterin, Alban Bujari, i cili u nda nga jeta në fund të muajit që lamë pas. Në mbledhjen e rregullt para kësaj, ai ishte këtu, në mesin tuaj, në mesin tonë, prapa kamerave. Në ditë si këto e vërejmë dhe e ndjejmë më së shumti mungesën e Albanit. Trashëgimia e tij, kontributi i tij, do ta mbajë gjallë gjithmonë. Ngushëllime edhe një herë familjes Bujari, miqve dhe kolegëve të tij. Pushoftë në paqe!
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra,
Të nderuar punonjës të kryeministrisë,
Shumë të dashur qytetarë,
Dje kemi marrë një lajm shumë të mirë nga ambasada jonë në Gjermani. Pas më shumë se 17 vjetëve është arritur zgjidhja me autoritetet përkatëse gjermane lidhur me çështjen e regjistrimit të shtetasve të Kosovës. Shumë bashkatdhetarë, padrejtësisht janë detyruar të regjistroheni si shtetas të Serbisë në dokumentacionin gjerman, një gjë që nga sot nuk do të përsëritet më.
Dua të shpreh mirënjohjen e thellë për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila ka punuar me përkushtim për të negociuar dhe siguruar këtë ndryshim të rëndësishëm e aq të nevojshëm. Falë angazhimit të tyre me Kancelarinë Federale të Gjermanisë dhe ministritë përkatëse, tani është miratuar një udhëzim që siguron që të gjithë qytetarët e Kosovës të regjistrohen vetëm si shtetas të Republikës së Kosovës. Ky ndryshim ka hyrë në fuqi në të gjitha landet gjermane dhe mbi 5,200 qendra të Regjistrit Civil.
Andaj, të nderuar bashkatdhetarë tanë në Gjermani, ju bëjmë thirrje që të verifikoni dhe nëse është nevojshme të korrigjoni regjistrimin e shtetësisë në dokumentet tuaja. Për çdo ndihmë ose informacion shtesë, kontaktoni ambasadën tonë në Berlin ose misionet konsullore në Düsseldorf, Frankfurt, Hamburg, Münich ose Stuttgart.
Falënderojmë shtetin mik e partner gjerman për eliminimin e këtij problemi.
Vazhdojmë të punojmë së bashku për të siguruar respektimin dhe njohjen e të drejtave të qytetarëve tanë kudo në botë!
Të nderuar kolegë nga kabineti qeveritar,
Të nderuar gazetarë,
Gjatë këtij mandati, përfshirë edhe vendimet në këtë mbledhje, Qeveria jonë i ka miratuar gjithsej 2,226 vendime, në mandatin e parë të plotë katërvjeçar e që nëse i llogarisim 880 ditë pune – i bie nga dy vendime e gjysmë në ditë. Prej këtyre vendimeve, 319 kanë qenë miratime të projektligjeve dhe padyshim që kemi dëshmuar një nivel të lartë të aktivitetit legjislativ dhe ekzekutiv nën qeverisjen tonë, me një fokus të fortë në zbatimin e politikave dhe qeverisjen zhvillimore e demokratike.
E para nesh në mbledhjen e sotme i kemi 23 propozim-vendime. Në mesin e tyre, me rëndësi të veçantë do të jetë shqyrtimi i nismës për lidhjen e Marrëveshjes Kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes ndërmjet vendit tonë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me këtë marrëveshje do të angazhohemi për avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në planifikim të mbrojtjes, qëndrueshmëri strategjike dhe ngritje të kapaciteteve strategjike ushtarake. Për këtë do të flasë më gjerësisht në konferencën për media pas mbledhjes ministri ynë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Përkrah ministrit Maqedonci do të jetë ministri ynë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili ka dy pika të rëndësishme sot, që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërkufitar me Shqipërinë dhe Malin e Zi në kuadër të fondeve IPA 2 dhe 3. E në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, Republika jonë do të avancojë tutje marrëdhëniet e saja edhe me Mbretërinë e Bashkuar në fushën juridike me tri nisma, e për këto do të na njoftojë më shumë gjatë mbledhjes ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ju falemnderit!
Last modified: 12 Mars, 2025