Zyra e Kryeministrit

Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 216-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës

14 Gusht, 2024


Prishtinë, 14 gusht 2024

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,

Këtë javë po përballemi përsëri me temperatura tejet të larta. Ministria jonë e Shëndetësisë mbrëmë, në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik ka ndërmarrë disa masa mbrojtëse për shëndetin e qytetarëve. Ato përfshijnë:

– Rekomandimin që të ndryshohen oraret e punës për të shmangur punët në orët më të nxehta të ditës, nga ora 11:00 deri në 16:00;
– Aplikimin e orarit fleksibil të punës, që nënkupton lejimin e punëtorëve që të fillojnë punën më herët në mëngjes ose të punojnë nga shtëpia kur ka mundësi;
– Shtatzënat të lirohen nga puna gjatë orëve të pikut të nxehtësisë nga 11:00 — 16:00, ose të punojnë nga shtëpia;
– Ndalimin e punës për qytetarët e prekur me sëmundje kronike përbrenda të njëjtit orar, pra nga ora 11:00 — 16:00, apo sërish të punojnë nga shtëpia;
– Ndalimin e punimeve në sektorin e ndërtimtarisë, që janë të ekspozuar në diell ndërmjet orës 11:00-16:00;
– Sigurimin e kontrolleve mjekësore për të punësuarit që tregojnë shenja të stresit nga nxehtësia dhe që i janë ekspozuar nxehtësisë ekstreme;
– Ndërkaq fermerët dhe bujqit dhe punëtorët në këto sektorë, të planifikojnë zhvillimin e tyre në mëngjes herët ose pasdite vonë për të shmangur ekspozimin në nxehtësinë e madhe.

U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që t’i përmbahen rekomandimeve të institucioneve të shëndetësisë dhe t’i shmangen vapës së madhe. Kurse institucionet publike dhe bizneset private i ftoj që t’i zbatojnë me përpikëri këto rekomandime që janë në shërbim të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve.

Temperaturat e larta gjithashtu rrisin rrezikun e zjarreve dhe përhapjen e tyre të shpejtë. Përballë kësaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që faktori njeri të jetë faktor në shuarjen e zjarreve, e kurrsesi shkaktar i tyre. Zjarrvëniet e qëllimta apo nga pakujdesia përveçse janë vepra penale dhe që dënohen me ligj, ato kanë potencial të madh të tragjedive njerëzore dhe pasojave mjedisore të pamatshme. Në këtë ballafaqim, vendi ynë, shoqëria jonë, tashmë e ka përjetuar një humbje të dhimbshme javën që lamë pas. Zjarrfikësi Sefadin Osmanaj humbi jetën në krye të detyrës. Ngushëllimet tona për familjen Osmanaj, janë apeli ynë më i zëshëm kundër zjarrvënieve dhe për bashkëpunimin me institucionet e vendit në identifikimin e hershëm dhe reagimin e menjëhershëm në rast të zjarreve në natyrë.

Për nivelin e seriozitetit të rrezikut nga zjarret në këto ditë të nxehta vere dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në menaxhimin dhe shuarjen e tyre, folëm dje një takim konsultues e koordinues edhe me komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutaş. Ndihma e KFOR-it është shumë e rëndësishme në këtë çështje. Me komandantin Ulutaş, diskutuam edhe për hapjen e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme, për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, rezultatet përkatëse të këtyre raporteve të cilat I kemi ndarë dje menjëherë edhe me komandantin KFOR-in, Gjeneralin Ulutaş dhe me ekipin e tij, në frymën e konsultimeve dhe koordinimit të vazhdueshëm që kemi. Qeveria e Republikës së Kosovës, dhe unë si kryeministër, besojmë thellësisht se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë, si dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Ne do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës nuk është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal, dhe urat e saj duhet të janë normale që do të thotë të hapura.

Ndërkaq sot, në mbledhjen e 216-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, do të marrim disa vendime të rëndësishme dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve tanë.

Nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike do të ndajmë 12.3 milionë euro për fushat që kemi prioritet, përkatësisht shëndetësinë, arsimin, dhe ndërmarrjet publike.

Për shëndetësi, do të ndajmë 1.7 milion euro për blerjen e pajisjeve të reja dhe funksionalizim të Poliklinikës në Podujevë.

Për arsim do të ndajmë 6.5 milionë euro për të kompletuar shumën e nevojshme për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore. Pra, edhe këtë vit do të subvencionojmë tekstet mësimore për nxënësit e shkollave. Përkushtimi ynë në sigurimin e arsimit të barabartë dhe të qasshëm për të gjithë është i palëkundur.

Ndërkaq për ndërmarrjet publike, do të ndajmë 4 milionë euro dedikuar për mbështetje ndaj Trepçës, në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale ku ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë pagat nga xehja e nxjerrë. Duket se ka tepër shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka.

Ju faleminderit.

Last modified: 15 Gusht, 2024

Comments are closed.