Prishtinë, 10 korrik 2024
Të nderuara zëvendëskryeministre, ministra dhe zëvendësministra,
Kjo është mbledhja e parë e gjashtëmujorit të dytë të vitit. Po punojmë përditë siç e jetoni dhe përjetoni ju ditën tuaj në fushëveprimtarinë tuaj anë e mbanë Kosovës.
Vetëm në gjysmën e parë të kësaj dite, me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia përuruam rinovimet 1.2 milionëshe në Klinikën e Urologjisë e cila ka qenë një prej klinikave me gjendjen më të keqe e në të cilën nuk ishte investuar që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. Pastaj, me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci ishim në Malishevë për korrje-shirje te bujku Asman Kryeziu, i cili djerrinën me 260 metra kub gurë e ka kthyer në 8 hektarë arë me grurë. Rendimenti këtë vit po duket të jetë i lartë. Pritjet tona janë që prodhimi i grurit të shtohet edhe për 140 mijë deri në 150 mijë tonë grurë, që do të thotë se do të mund të plotësojmë kërkesën e brendshme për konsum, pa pasur nevojë të importojmë apo të varemi nga importi.
Këtë vit, shënojmë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, kujtojmë masakrat e kryera në vendin tonë nga Serbia, por edhe përkujtojmë të gjitha viktimat e luftërave të viteve të 90-ta në Ballkan. Përkujtojmë me dhembje 8372 burrat e djemtë e Srebrenicës, të vrarë dhe të zhdukur nga Serbia, në masakrën më të madhe të ndodhur në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Fundjavën që lamë pas pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë, kadetë e veteranë të Akademisë Ushtarake në Beograd, parakaluan në një paradë në Prijedor, pa leje e pa pëlqim të shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, vetëm katër ditë para shënimit të përvjetorit të masakrës së Srebrenicës. Ndërkaq ne sot po i bashkohemi memorializimit të 11 korrikut si ditë e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, bazuar edhe në rezolutën që kemi miratuar në Kuvendin e Kosovës, që dënon gjenocidin në Srebrenicë, në rezolutën përkatëse të Parlamentit Evropian, e në vijim të rezolutës që u votua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 23 maj sivjet.
Ky është veprim fisnik e i duhur, në emër të Kosovës, të universales sonë njerëzore, e të dëshirës sonë për drejtësi dhe paqe. Që të mos harrohet e të mos përsëritet më gjenocidi, as në Bosnjë dhe Hercegovinë, as në Kosovë, e askund tjetër në rajonin tonë dhe në botë.
Prisjetimo se danas nevinih žrtava genocida Srbije u Srebrenici s dubokim poštovanjem. Neka im je vječna slava i neka njihova žrtva nikada ne bude zaboravljena.
Në nderim të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje.
U prehshin në paqe viktimat e Srebrenicës! Lavdi qëndresës dhe sakrificës njerëzore!
Last modified: 10 Korrik, 2024