Zyra e Kryeministrit

Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 198-të të Qeverisë

2 Prill, 2024


Prishtinë, 2 prill 2024

Të nderuar anëtarë të kabinetit, zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra,
Të dashur qytetarë,

Ditën e sotme e filluam me homazhe në Gjakovë, në përvjetorin e 25-të të masakrës, vrasjes dhe djegies së fëmijëve dhe grave të familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi.

Ishim edhe në Kralan, ku në mes të 2 dhe 4 prillit të vitit 1999, forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, torturuan mijëra burra dhe djem shqiptarë, posaçërisht qindra sosh të rrethuar me tanke në një fushë, pa ujë dhe pa ushqim. I liruan pas dy ditësh rrahje e keqtrajtimi. Më 4 prill, nga ta i ndaluan 86 prej tyre, ndër të cilët edhe 11 të mitur. Që nga ajo ditë, askush nga ta më nuk është parë i gjallë. Madje, edhe dy prej tyre, që ishin duke udhëtuar për Shqipëri pas dëbimit, i kanë vrarë rrugës dhe emrat e tyre janë te lepidari në Kralan sot. 18 prej të vrarëve janë gjetur në afërsi të liqenit Peruçac në Bajina Bashta të Serbisë. Nga atëherë, shumica nga ta janë të zhdukur.

Është evidente që policët dhe ushtarët e Serbisë kanë pasur urrejtje aq të madhe dhe plan aq të detajuar para se ta kryejnë krimin, e për ta kryer krimin, sa që preokupimin më të madh e kanë pasur si t’i zhdukin trupat. Djegiet, zhdukjet, rrëmbimi i kufomave, hedhja në puse e pasuar me eksplozive, e forma të tjera ҫ’njerëzore të dëmtimit e zhdukjes së kufomave, e dëshmojnë këtë.

Gjatë ditëve të kaluara kemi përkujtuar Masakrën e Krushës së Vogël dhe Krushës së Madhe, Masakrën e familjes Berisha në Suharekë, Masakrën e Izbicës, Masakrën e Familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu në Podujevë, Masakrën e Belegut në Deçan dhe Masakrën e Pastaselit në Rahovec. Dje ishim në Lybeniq të Pejës, për të përkujtuar masakrën e 1 prillit të vitit 1999. Në shumë nga këto masakra kemi ende të zhdukur.

Ne përditë i kujtojmë sakrificat e këtyre familjeve, që në ankthin e pritjes i kanë rritur fëmijët e tyre. Në mbledhjen e kaluar e miratuam një masë të re, për të shtuar mbështetjen për këto familje. Nëpërmjet Agjencisë për Barazi Gjinore, kemi hapur thirrjen për subvencione për gra dhe vajza, që përbëjnë familje të ngushtë të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, të evidentuar në listën e pensioneve për persona të zhdukur. Andaj, nga këtu u bëj thirrje edhe njëherë, që të përfitojnë nga kjo mundësi, që përmes vetëpunësimit të arrijnë pavarësinë ekonomike e të rrisin mirëqenien e tyre e të familjes së tyre.

Për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet, meqenëse shpesh herë kemi shpërputhje të të dhënave nga burime të ndryshme, kemi funksionalizuar Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, për të cilin tashmë janë hapur 25 pozita. Aty ka shumë punë e do të bëjmë shumë punë. Andaj, ju bëj thirrje ekspertëve të fushës, që të aplikojnë në pozitat e hapura dhe të kontribuojnë në këtë proces kaq të rëndësishëm për Republikën tonë, për historinë tonë dhe për të ardhmen tonë.

Krahas thirrjes për të deponuar sa më shumë dëshmi për krimet e kryera kudo në Kosovë në Institutin e themeluar, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikë, që t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë.

Nuk kemi mangësi vetëm tek shpërputhja e të dhënave, por edhe thjeshtë edhe tek mungesa e tyre.

Për herë të parë, në këtë regjistrim të popullsisë është përfshirë pyetësori i dëmeve nga lufta 1998/’99 në ekonomitë familjare. Qytetarët do të mund t’i deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruara, si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, të zhdukur, të plagosur apo të burgosur. Më saktësisht kjo periudhë përkufizohet prej 28 shkurtit 1998, pra Qirezi e Likoshani deri më 12 qershor 1999, pra fillimi i tërheqjes së trupave të Serbisë nga Kosova sipas Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake të Kumanovës. Ky regjistrim, që fillon të premten, më datë 5 prill, përveçse do të na japë një pasqyrë të së tashmes, gjithashtu do të na sigurojë një evidencë të së kaluarës, që të mos kemi të dhëna të ndryshme për faktet e njëjta dhe gjithashtu të mos kemi mungesë të të dhënave për ato që i dimë, sepse i kemi jetuar, përjetuar dhe familjarët vazhdojnë t’i vuajnë më së shumti edhe sot e kësaj dite.

Për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, ne kemi zhvilluar bazën ligjore, e cila kishte munguar për shumë kohë dhe kemi rritur kapacitetet e institucioneve për adresim efikas të këtyre.

Në Policinë e Kosovës në të kaluarën, krimet e luftës janë trajtuar në sektorë në kuadër të Hetimeve të Krimeve të Rënda, me gjithsej 19 zyrtarë. Me strukturën e re të miratuar tashmë në Policinë e vendit tonë, e kemi ngritur në nivel të Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Luftës me 41 hetues. Pra, më shumë se qind për qind ngritje e zyrtarëve përkatës. Përderisa gjatë vitit 2023 hetuesit e krimeve të luftës i kanë intervistuar 191 dëshmitarë, me rritjen e numrit të hetuesve, vetëm në këta muaj të parë të vitit 2024 janë intervistuar 169 dëshmitarë të krimeve të luftës.

Kemi mundësuar gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës që në vitin 2019. Gjatë këtij mandati kemi bërë ndryshimet e nevojshme ligjore, Kodi i Procedurës Penale pra, që kriminelët serbë të luftës të përballen me drejtësi. Andaj, nga këtu i bëj thirrje edhe njëherë sistemit tonë të drejtësisë, për adresim më urgjencë të rasteve të krimeve të kryera gjatë luftës.

Po e ritheksojmë, këto krime nuk vjetrohen, mirëpo dëshmitarët janë gjithnjë e më të moshuar dhe besoni në shumë prej këtyre varrezave, ku janë martirët e dëshmorët e kombit, po bashkëngjiten edhe varret e të mbijetuarve, të cilët në këto vitet e fundit kanë ndërruar jetë.

Andaj, është çështje urgjente adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës, sidomos për shkak se me kalimin e viteve jemi duke i humbur dëshmitarët. Dëshmitë janë aty, mirëpo jemi duke i humbur dëshmitarët, sepse u bë çerekshekulli nga lufta e fundit në Kosovë.

Me përgjegjësinë më të lartë institucionale, duhet të vazhdojmë me përkushtim adresimin e krimeve të luftës, para drejtësisë dhe para historisë. Të angazhohemi për paqe sot e për jetë më të mirë për brezat e rinj, për më të vegjlit, për ata, që do të vijnë pas nesh. Me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë, sot e përuruam Repartin e Pediatrisë në Mitrovicë, pas tetë vjet bllokimi. Është një investim prej 1 milion euro, me ç’rast nga një dhomë me shtatë shtretër, do t’i kemi 11 dhoma, njëra prej tyre me kujdes intenziv, me 25 shtretër. Janë shtatë pediatër dhe 15 infermierë dhe synojmë ta rrisim numrin e pediatërve që do të angazhohen, për shkak se 12 sosh janë tashmë në pritje në Kosovë.

Prej këtij investimi rreth 1 milion euro, përafërsisht gjysma është për infrastrukturë dhe inventarë, ndërkaq gjysma tjetër është për pajisjet mjekësore, moderne të teknologjisë së fundit. Gjithçka është e re në këtë repart dhe ndriçimi adekuat, tavanet e larta, pajisjet moderne, mjekët, infermierët, specialistët, të cilët janë aty duke shërbyer me përkushtim dhe i mirëpresim të gjithë pacientët për kontroll, padyshim që na jep shpresë që edhe sakrifica e atyre para 25 vjetëve, nuk ishte e kotë, meqenëse vendi ynë po shënon progres në çdo aspekt. Ajo çfarë na nevojitet është edhe drejtësia. Pra, jo vetëm progres socio-ekonomik, demokratik e kulturor, por edhe drejtësi, sepse drejtësia i mbyllë plagët, të cilat vazhdojnë të kullojnë, sepse janë të hapura.

Ndërkaq sot, në këtë mbledhjen e 198-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të marrim edhe vendime të tjera për rritje të mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillim të Republikës tonë, me theks të veçantë në dy prej tyre: atë për ndarjen e 4 milionë eurove për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në komunën e Mitrovicës Veriore, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, dhe propozimin për miratim të Programit për Performancë të Lartë Sportive “Super Sportistët”, për cfarë do të flasin në konferencë për medie ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.

Propozim-vendimi i parë është vetë shpjegues. Ndërkaq, ky programi “Super Sportistët” ka për qëllim mbështetjen e top talentëve përgjatë rrugëtimit të tyre drejt suksesit sportiv ndërkombëtar. Për ciklin olimpik 2024-28, buxheti i këtij programi është 4 milionë euro. Kështu, sportistët krahas shpërblimeve që i marrin për rezultatet e tyre, me programin “Super Sportistët” do të mbështeten edhe përgjatë karrierës aktive drejt rezultateve kulmore.

Me këto dy vendime edhe një herë dëshmojmë interesimin tonë për përmirësimin e jetës dhe mirëqenies së qytetarëve tanë në katër komuna në veri dhe përkushtimin tonë për mbështetje të sportistëve vendorë dhe sportit vendor drejt sukseseve të reja e të shumta.

Kjo nuk do të thotë që pikat e tjera të shumta, që i kemi paraparë për sot, janë më pak të rëndësishme. Andaj, le ta fillojmë mbledhjen që ato t’i kthejmë në vendime të rëndësishme për qytetarët dhe vendin tonë.

Ju faleminderit.

Last modified: 3 Prill, 2024

Comments are closed.

×