Prishtinë, 13 mars 2024
Të nderuar anëtarë të kabinetit, zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra,
Të dashur qytetarë,
Marsi i përvjetorëve po vazhdon.
Sot në mëngjes bëmë homazhe në përvjetorin e 25-të të masakrës në Tregun e gjelbër në Mitrovicës. Ditëve në vijim, e deri në përfundim të muajit, do të përkujtojmë Masakrën e Krushës së Vogël dhe Krushës së Madhe, Masakrën e familjes Berisha në Suharekë, Masakrën e Izbicës, Masakrën e Familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu në Podujevë, Masakrën e Belegut e Masakrën e Pastasellës.
Në këtë mbledhje të radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e 193-ta, po takohemi për herë të fundit para përvjetorit të tretë të qeverisë sonë dhe para shënimit të 25-vjetorit të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë.
Me synim të qartë dhe aspiratë të gjallë për t’u anëtarësuar vet në NATO, dje i uruam 25-vjetorin e anëtarësimit në NATO të tri shteteve të ish “Bllokut Lindor”, Polonisë, Çekisë e Hungarisë. Kurse, një javë më parë e uruam edhe Suedinë që u bë anëtarja më e re, e 32-ta, e aleancës euro-atlantike, për të ridëshmuar se një NATO e fuqishme do të thotë një Evropë më e sigurt dhe me gjasa më të mëdha për paqe në kontinent.
Po në këtë muaj, në Ditën Ndërkombëtare të Grave, pak pas mesnatës, një grua, nga radhët e komunitetit serb në Kosovë, që bartë pozitë të lartë drejtuese në nivelin komunal, në një komunë me shumicë serbe, u bë cak i elementeve e grupeve kriminale. Natasha Tomaniq, nënkryetarja e Komunës së Zveçanit, 8 Marsin e nisi me lajmin se pronës së saj private i është vënë zjarri. Provat e grumbulluara nga ekzaminimi i vendit të ngjarjes flasin për zjarrvënie të qëllimshme. Dëmi financiar llogaritet të jetë rreth 40 mijë euro. Por, qëllimi i sulmit nuk ishte financiar, sado që dëmi do të jetë barrë. Frikësimi dhe terrori, ishin synimet ndaj nënkryetares Tomaniq dhe të gjithë serbëve të Kosovës, veçanërisht në veri në vendit, të cilët duan integrimin në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës, sepse ashtu mirëqenia tyre është më e mirë.
E megjithatë, pavarësisht se bëhet fjalë për një grua nga komuniteti serb në Kosovë që bartë pozitë zyrtare në institucionet publike të Kosovës, heshtja e komunitetit ndërkombëtar edhe pesë ditë pas sulmit, sa vjen e bëhet më shurdhuese. Një heshtje e tillë është sa dekurajuese aq edhe inkurajuese. Dekurajuese për njërën palë, viktimën. Inkurajuese për palën tjetër, agresorin.
Sepse, sulmi ndaj nënkryetares së Zveçanit, Tomaniq nuk ndodhi në vakum. Njëjtë siç pamjet e kriminelit e terroristit Millan Radoiçiq, duke terrorizuar komunitetin serb dhe pastaj takimin me Ambasadorin e Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po ashtu nuk ndodhën në vakum.
Në njërën anë, këto paraqesin përpjekjen e vazhdueshme të Serbisë, në bashkëpunim me Federatën Ruse, për destabilizimin të Kosovës dhe të rajonit tonë, por janë edhe pasojë direkte e mos ndëshkimit të Serbisë për sponzorimin dhe orkestrimin e sulmit terrorist të paramilitarëve nga Serbia në Banjskë. Millan Radoiçiq është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi e nga Serbia.
Që nga 24 shtatori ne kemi kërkuar që të merren masa për agresionin e Serbisë ndaj Kosovës. Kemi kërkuar ekstradimin e terroristëve, që vranë rreshterin, Heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku në Kosovë. Deri sot Serbia nuk është përballur me asnjë pasojë për sulmin terrorist, pa çka se përfshirja e saj direkt është bërë e njohur publikisht e botërisht.
Tani kur kontinenti ynë, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po i dëshmon Rusisë dhe të gjitha autokracive në botë, përkushtimin për të luftuar dhe mbrojtur demokracinë me çdo kusht, Kosova po dëshmon progresin më të madh demokratik në rajon.
Për çdo vend në Evropë dhe botë, progresi që ka dëshmuar qeverisja jonë në këto tri vite, do të ishin tregues më se të qartë dhe më se të mjaftueshëm për t’u konsideruar partner dhe aleat i denjë i aleancës transatlantike.
Natyrisht, qeveria jonë nuk ka alternativë tjetër dhe nuk mund të bëjë më shumë pos qeverisjes së mirë;
Nuk ka alternativë tjetër pos sundimit të ligjit.
Nuk ka alternativë tjetër pos avancimit të demokracisë, të drejtave, lirive dhe vlerave themelore, dhe
Nuk ka alternativë tjetër, pos rreshtimit të palëkundur ndaj aleancës transatlantike.
Qeveria jonë trajton çdo qytetar të Republikës të barabartë para ligjit dhe angazhohet për punë dhe mirëqenie për të gjithë.
E me fqinjët duam marrëdhënie të mira fqinjësore, paqe e reciprocitet e respekt të ndërsjellë.
Po punojmë ndershëm në të drejtën tonë, jemi në rrugën e duhur dhe të rreshtuar drejtë.
Si popull e si qeveri, si orientim e si besim, punojmë dhe angazhohemi përherë për të shtrënguar e avancuar lidhjet e forta dhe të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Italinë, Francën dhe Turqinë, dhe të gjitha shtetet demokratike e ato të cilat na kanë ndihmuar në çlirim, pavarësim dhe zhvillim të vendit tonë.
Të nderuar kolegë nga Qeveria jonë, gazetarë të medieve, të dashur qytetarë të Republikës,
Në dy vitet e fundit, Qeveria jonë përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, unë si Kryeministër, anëtarët e Qeverisë veç e veç, Presidentja, Kryeparlamentari, delegacioni i Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, deputetët e tjerë të Kuvendit, të gjithë, kemi qenë të angazhuar në një proces shumë të vështirë lobimi për ta bërë realitet anëtarësimin e Republikës sonë në Këshillin e Evropës. Nuk kemi lënë gurë pa lëvizur e njeri pa takuar. Megjithatë, pasi që kërkesa për anëtarësim është proceduar tutje në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në muajin maj të vitit të kaluar, Komiteti përgjegjës i Asamblesë Parlamentare ka bërë një vlerësim të hollësishëm të kuadrit institucional e ligjor sa i përket demokracisë, të drejtave të njeriut e standardeve të qeverisjes së mirë.
Një raport i Juristëve Eminent (dokument zyrtar i KiE-së) ka konstatuar që Kosova është një shtet me kuadër të qëndrueshëm të institucioneve demokratike. Raporti i ka listuar disa kushte ndër të cilat ka qenë edhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për Manastirin e Deçanit, të vitit 2016. Raporti është publik dhe mbetet një dokument që nuk mund të ndryshohet apo përjashtohet nga rruga jonë për në KiE; do mbetej aty si listë kushtesh sot, pas një viti, pas dhjetë vitesh.
Pas një procesi masiv të takimeve, vizitave e të komunikimeve, na është bërë e qartë që nga shumë kushte që i kemi pasur për anëtarësim në Këshillin e Evropës, disa janë konstatuar që janë plotësuar e disa janë listuar si çështje jo-urgjente, por njëri mbetet dhe nuk do të hiqet: zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen që lidhet me Manastirin e Deçanit. Qeverisë i është bërë e qartë nga Komiteti i Asamblesë Parlamentare, nga grupet politike kryesore në Asamble Parlamentare që përfaqësojnë parlamentet e shteteve anëtare, nga shtetet e QUINT-it, që ne duhet të zgjedhim ndërmjet dy opsioneve: të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në KiE këtë vit, apo heqjen e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit dhe rrjedhimisht heqjen dorë nga një qëllim demokratik e shtetndërtues i Republikës sonë.
E provuam me datën 5 mars për herë të fundit që ta shtyjmë miratimin e opinionit për anëtarësim në Komitetin në fjalë, por pa sukses. U bindem që duhet të zgjedhim njërin opsion, nuk ka një zgjidhje të tretë. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës nuk na pëlqen ai vendim i çuditshëm e i padrejtë, e ndërkohë ka edhe procese tjera gjyqësore pezull për këtë çështje, teksa ne si qeveri nuk kemi më mjete legale e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk do e ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë. Në anën tjetër, nuk ka dyshim që anëtarësimi i Kosovës në KiE do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe një hap gjigand për Republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në BE për Kosovën e pavarur.
Në ushtrimin e gjykimit për këtë çështje, jam prirë nga arsyeja e shëndoshë. Askush nuk ka të drejtë t’ia ndalë Republikës së Kosovës të drejtën për të qenë shtet i barabartë me çdo shtet tjetër të kontinentit tonë. Askush nuk ka të drejtë t’ia humbasë qytetarëve të Republikës të drejtën që të ndihen qytetarë evropianë duke pasur të drejtën për t’iu qasë Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut e dhjetëra mekanizmave të tjerë që e përbëjnë makinerinë demokratike pan-evropiane të Këshillit të Evropës.
Shtet i konsoliduar e i barabartë në kontinentin evropian je para se gjithash duke qenë anëtar i Këshillit të Evropës. Mbi të gjitha, kërkohej një vendim i arsyeshëm, fatkeqësisht jo i drejtë në plotninë e tij; por, megjithëkëtë për të arritur një qëllim shumë më madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët, ne duhet bërë një hap përpara me maturi e përgjegjësi si një vend i pavarur e sovran.
Andaj, sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese kurse ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese për këtë çështje Këshillit të Evropës. Me 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit atje, kah mesi i prillit është Asambleja Parlamentare e KiE dhe në fund të majit është Këshilli i Ministrave në KiE që vendos për anëtarësimin tonë.
Ju faleminderit.
Last modified: 13 Mars, 2024