Paris, 11 nëntor 2023
Në ditën e dytë të Forumit të Paqes, që po mbahet në Paris, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një diskutim në kuadër të temës “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt”, i cili është moderuar nga Pascal Boniface, Drejtor i Institutit francez për Çështje Ndërkombëtare dhe Strategjike (IRIS).
Pasi falënderoi të pranishmit në këtë panel, kryeministri Kurti tha se është nder dhe kënaqësi që është këtu vetëm pak ditë pasi kanë marrë raportin për vendin nga Bashkimi Evropian, në të cilin Kosova përmendet si vend që po bën progres ekonomik e demokratik.
Kryeministri Kurti foli për progresin demokratik dhe zhvillimit ekonomik me theks te shtimi i punësimit për 34%, rritjes së eksporteve dhe investimeve të huaja të cilat janë dyfishuar në vitet e fundit, dhe të ardhurat tatimore që janë rritur me 2/3 pa ndërruar politika fiskale.
Ai tha se ky progress është i mirë edhe për sigurinë, për shkak se kur ke pjesëmarrje ekonomike dhe demokratike të qytetarëve, secili është më i sigurt dhe i gjithë vendi është më i sigurt.
Duke folur për kërcënimet dhe rreziqet ndaj sigurisë, ai tha se nuk janë vetëm të brendshme por edhe të jasthme. Me këtë rast, ai përmendi sulmin terrorist dhe paralamilitar të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçani që erdhi nga Serbia, me të cilin synuan përshkallëzimin e situatës në një përmase të madhe në mënyrë që krijojnë preteksin që të futet ushtria serbe në Kosovë. Ai shtoi se megjithatë shumica e sulmuesve dhe kryesit e këtij akti terrorist vazhdojnë të jenë lirë në Serbi, përfshirë këtu edhe liderin e atij grupi Milan Radoiciq, që ka pranuar publikisht se ai ka udhëheq me këtë lloj sulmi, dhe që është arrestuar por është liruar më pak se 24 orë më pas.
Gjatë këtij diskutimi, u trajtua edhe lufta ndaj korrupsionit, për çka ka thënë se korrupsioni përtej që është vjedhje, padrejtësi, dhe i dëmshëm ndaj ekonomisë dhe vetë shoqërisë, ai po ashtu përfaqëson kërcënim nacional ndaj sigurisë, sepse autokratë të ndryshëm duan ta përdorin atë plagën e korrupsionit për përpjekjet e tyre të destabilizimit.
“Pra kur ke një lider të korruptuar, një udhëheqës të korruptuar të një departamenti kudo, në ministri apo në agjenci shtetërore, ke një lloj cenueshmërie për sigurinë nacionale. Duhet ta shohim rrezikun e korrupsionit edhe në aspektin e sigurisë kombëtare, jo vetëm në kuptim të shkelës së ligjit apo dëmit ndaj ekonomisë”, deklaroi kryeministri.
Ndërkaq, duke folur për pritshmërinë ndaj BE-së në raport me Kosovën, kryeministri Kurti tha se aktualisht ka dy premtime. I pari që vjen nga presidentja e Komisionit Evropian, von der Leyen, për sa i përket planit të rritjes prej 6 miliardë euro për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai tha se dëshiron të sheh shumë projekte zhvillimore, infrastrukturore, ndihme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndihmë në arsim e pastaj ndërlidhje me vendin e punës. I dyti, që vjen nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, që 2030 është viti në të cilin BE dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor bëhemi bashkë në këtë rrugëtim të gjatë. Pra kemi një kohë, kemi edhe substancë dhe besoj se duhet ta përdorim këtë që të futemi në këtë shteg që është i pakthyeshëm, shtoi ia.
Në fund të diskutimi kryeministri Kurti gjithashtu foli edhe për raportet me Serbinë dhe marrëveshjet e dakorduar për normalizimin e tyre, të cilat nuk po gjejnë zbatim të plotë për shkak të refuzimit të Serbisë, dhe për situatën në katër komunat në veri të vendit dhe rrugën ligjore drejt shpalljes dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme atje.