Kryeministri Kurti mori sot pjesë në tryezën katërt të diskutimit me komunitetin sportiv


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image

 

Prizren, 13 qershor 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në tryezën e katërt të diskutimit me komunitetin sportiv, të mbajtur në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren, organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës.

Teksa shprehu kënaqësinë e veçantë që ishte në mesin e komunitetit sportiv, kryeministri tha se të gjithë jemi dëshmitarë se fëmijët, të rinjtë e të rejat tona, kanë shumë entuziazëm për të qenë aktivë në forma të ndryshme, kanë talent shpeshherë të pashpjegueshëm në fusha të llojllojshme, ndër vite kanë arritur rezultate të pamenduara më parë por që edhe janë bërë realitet.

“Pikërisht këto, entuziazmi, talenti dhe rezultatet janë përgjigja më e mirë për neve dhe për të gjithë të tjerët sa herë që gjejmë kohë për të menduar për të ardhmen e shtetit tonë’’, u shpreh ai.

Para të pranishmëve në këtë ngjarje, kryeministri tha se ndër vite duket sikur institucionet tona nuk kanë komunikuar mjaftueshëm me komunitetin sportiv e as komuniteti sportiv mjaftueshëm me njëri tjetrin në vetvete. Ndonjëherë, shtoi më tej ai, janë disa hapa të vegjël e disa të thjeshtë, si masa që mund të merren por që e lënë ndikimin e madh në komunitet.

‘’Po besoj se pikërisht tryeza e Sportit, kjo përvojë e komunikimit e diskutimit të sfidave dhe përvojave e ndarjes së mendimeve edhe ideve për të ardhmen është një nga hapat e vegjël që mund të na mundësojnë zhvillimin progresiv”, shpjegoi ai.

Duke listuar të arriturat në fushën e sportit përgjatë dy viteve, kryeministri theksoi se Nisma e Reformimit të Kornizës Ligjore në Sport, nxirja e qeverisjes së mirë të organizatave sportive, themelimi i Agjencisë Antidoping, rritja e mbështetjes financiare për sportin, përmirësimi i infrastrukturës fizike, programet ‘Kosova, shtet i xhudos’ dhe ‘Drejt malit’, organizimi i garave të ndryshme ndërkombëtare në Kosovë, të gjitha këto janë masa, të cilat i kemi ndërmarrë gjatë këtyre dy viteve e të cilat do të shërbejnë si mundësi për fëmijët e sotëm e të rinjtë e së ardhmes.

Bashkë me kryeministrin Kurti, në këtë tryezë të katërt me radhë, ishin të pranishëm edhe Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, Ismet Krasniqi, President i Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Besim Aliti, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Mirëdita të gjithëve ,
E nderuar zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Daulina Osmani,
E nderuara presidente e Komitetit Paraolimpik të Kosovës, znj. Njomza Emini,
I nderuar president i Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Ismet Krasniqi,
Të nderuar kryetarë dhe sekretarë të Federatave Sportive Shtetërore,
Të nderuar zyrtarë të institucioneve publike qendrore dhe lokale
Të nderuara media,
Të nderuar të pranishëm,

Më lejoni të ju them qysh në fillim se edhe mirë se keni ardhur edhe mirë se ju gjej këtu në Prizren.

Si zakonisht kam kënaqësinë e veçantë të jem në mesin e komunitetit sportiv. E mbaj mend që në vitin 2022, ka qenë në fillim të vitit, isha pjesëmarrës në tryezën e parë të Sportit që u pat mbajtur në Brezovicë, ndërsa kjo tani është e katërta me radhë. Fëmijët, të rinjtë e të rejat tona, të gjithë jemi dëshmitarë se kanë shumë entuziazëm për të qenë aktivë në forma të ndryshme, kanë talent shpeshherë të pashpjegueshëm në fusha të llojllojshme, ndër vite kanë arritur rezultate të pamenduara më parë por që edhe janë bërë realitet.

Pikërisht këto, entuziazmi, talenti dhe rezultatet janë përgjigja më e mirë për neve dhe për të gjithë të tjerët sa herë që gjejmë kohë për të menduar për të ardhmen e shtetit tonë. Pavarësisht kësaj ndër vite duket sikur institucionet tona nuk kanë komunikuar mjaftueshëm me komunitetin sportiv e as komuniteti sportiv mjaftueshëm me njëri tjetrin në vetvete. Ndonjëherë janë disa hapa të vegjël e disa të thjeshtë, si masa që mund të merren por që e lënë ndikimin e madh në komunitet. Po besoj se pikërisht tryeza e Sportit, kjo përvojë e komunikimit e diskutimit të sfidave dhe përvojave e ndarjes së mendimeve edhe ideve për të ardhmen është një nga hapat e vegjël që mund të na mundësojnë zhvillimin progresiv. Përkundër dallimeve që mund t’i kemi në qasje, përkundër mospajtimeve që ndonjëherë i kemi qëndrime, këto takime na rikujtojnë se qëllimin përfundimtar e kemi të njëjtë, me këtë rast ngritjen e Sportit në një nivel tjetër, nivel të ri të zhvillimit.

Tashmë e kemi dëshmuar shumë herë se atëherë kur talentëve tanë në sport u jepet mundësia ata bëhen edhe më të mirët në botë. Çfarë të gjithë ne e kemi obligim dhe duhet të punojmë shumë, është t’i krijojmë këto mundësi për të rinjtë tanë, mundësitë për të qenë të shëndetshëm përmes aktivitetit sportiv, mundësinë për të zhvilluar maksimalisht talentin e tyre në sport, mundësinë për të angazhuar në sportin qoftë si mjek, si administrator apo si trajner sepse ne e dimë që nevojitet jo vetëm një infrastrukturë fizike e material por edhe një mbështetje e madhe njerëzore për secilin sportist. Janë një mori kuadrosh të tjera të fushave të ndryshme që nevojiten të jenë rrotull sportistit në secilën fushë sportive.

Tash, përgjatë këtyre dy viteve, kemi parë aktivitete të reja, organizime të mëdha e programe afatgjata në sektorin e sportit, të cilët janë iniciuar e hartuar, e sot po zbatohen.

Nisma e Reformimit të Kornizës Ligjore në Sport, nxirja e qeverisjes së mirë të organizatave sportive, themelimi i Agjencisë Antidoping, rritja e mbështetjes financiare për sportin, përmirësimi i infrastrukturës fizike, programet ‘Kosova, shtet i xhudos’ dhe ‘Drejt malit’, organizimi i garave të ndryshme ndërkombëtare në Kosovë, të gjitha këto janë masa, të cilat i kemi ndërmarrë gjatë këtyre dy viteve e të cilat do të shërbejnë si mundësi për fëmijët e sotëm e të rinjtë e së ardhmes.

Për dy vite janë zhvilluar mbi 300 aktivitete sportive në Kosovë, kemi pasur pjesëmarrje në mbi 200 aktivitete ndërkombëtare. Mbështetjen për sportin krahasuar me vitet 2019 dhe 2020 e kemi rritur mbi 200 për qind. Buxhetin e federatave e gjetëm me 3 milionë euro, e sivjet kemi ndarë mbi 8 milionë euro. Pra, kemi një lloj trefishimi edhe sa i përket mbështetjes për sportin në përgjithësi edhe sa i përket buxhetit për federatat në veçanti.

Përtej kësaj, tashmë të gjithë e dini se Kosova është shtet kandidat për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Kjo kandidaturë, nëse rezulton të jetë e suksesshme, atëherë do të shënonte moment historik të rëndësishëm të zhvillimit të sportit, por jo vetëm.

Organizimet e ngjarjeve të tilla, përveç që janë mundësi për ta modernizuar dhe ngritur infrastrukturën fizike publike, si dhe për ta shtuar entuziazmin dhe përkatësinë shtetërore e afirmimin e shtetit, ato shërbejnë edhe si platformë perfekte qoftë për njohje ndërkombëtare apo edhe për afirmim të statusit ekonomik e politik të rajonit përkatës. kjo e fundit është në linjë direkte me politikën tonë rajonale dhe atë të Bashkimit Evropian.

Çdo investim që duhet të bëhet në kuadër të Lojërave Mesdhetare, duhet të përfundohet në afatin kohor prej 6 vitesh. Kjo kornizë kohore është avantazh shumë i madh i joni, përkrah planifikimeve ekzistuese që i kemi apo të cilat synojmë që t’i bëjmë më vonë.

Ky nuk është një projekt i lehtë për tu realizuar me sukses, mirëpo kjo nuk duhet të na ndalë në qëllimin tonë të përbashkët për zhvillim të sportit dhe të shtetit në përgjithësi.

Uroj shumë që kjo nismë do të ecë përpara dhe që Kosova me komunat e saj do të mikpritëse e shumë delegacioneve sportive të shteteve anëtare në Lojërat Mesdhetare.

Natyrisht, kjo është edhe në kuadër të angazhimit tonë që sa më shumë sportistët tanë të jenë të pranuar në aktivitet, organizime ndërkombëtare dhe në këtë aspekt ka një bashkëpunim të ngushtë midis Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në njërën anë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në anën tjetër, sepse siç e dimë na shfaqen pengesa nga më të ndryshmet, disa të menduara e disa të paimagjinueshme në pjesëmarrjen tonë jashtë vendit.

Kemi një botë e cila sa i përket kundërshtarëve tanë nuk vuan nga ashpërsia, por ne duhet të jemi sa më aktiv dhe gjithashtu të shfrytëzojmë sa më shumë mundësitë që i kemi dhe mundësitë që duhet t’i krijojmë ashtu që të marrim pjesë kudo që na ftojnë e duam, dhe të korrim suksese sepse pjesëmarrja jonë nuk është vetëm benefit për neve, por edhe kontribut për sportin rajonal, evropian e botëror.

Krejt në fund dua t’ua them një sekret timin që sidomos muajve të fundit po mundohem, në angazhimet politike që janë shumë stres, më shumë është lojë e nervave se sa lojë e punës, një ndër mënyrat qysh po pushoj në mbrëmje është po shkoj në ndonjë ngjarje sportive, edhe t’u them të drejtën jam përpjekur t’ia bëjë një lloj shqyrtimi vetvetes, pse kur po dal prej një ndeshje që s’po luaj vet, vetëm po shikoj, po dal shume i çlodhur.

Tash për tash, shpjegimi i vetëm që kam është se me sport për dallim prej politikës ka rregulla, e mua më ka marrë malli për rregulla.

Në politikë nuk ka shumë rregulla, e kur po shkoj në mbrëmje me Daulinën ose Hajrullaun në këto ndeshje, ku edhe po e mbështes sportin tonë ose ekipe të veçanta ose përfaqësuesen tonë, aty kur i bie arbitri filikaqës edhe thotë që topi është jashtë vijës, është shumë e qartë që është jashtë vijës. Pra nuk ka dilema, nuk vjen dikush me thanë “jo po ka qenë brenda”. Të gjithë e pamë, nëse dikush ka dyshime, shikon edhe xhirimin.

Me fjalë të tjera, sporti është jo vetëm shëndet dhe dëshmi e aftësive, po në të njëjtën kohë është edhe disiplinë dhe është rregull. E ne po i ndjekim të gjitha rregullat edhe në këtë kohë kur sidomos pas këtij invazionit rus në Ukrainë, kur luftërat që kemi menduar se i takojnë shekullit të kaluar janë rishfaqur në kontinentin evropian dhe ku po na duhet rregulla, po na duhet disiplina, sporti po jep një kontribut, së paku të unë, ndoshta ndihmon edhe te kolegët në qeveri, që ata që janë tribina janë në tribina e ata që janë në fushë janë në fushë. Nuk ke aso problemesh që në gjysmën e dytë të lojës dikush të thotë “jo, jo, luaj edhe unë, jo vetëm që shikoj”.

Pra, unë ju falënderoj për të gjitha këto ngjarje sportive ku ne jemi dëshmitarë edhe konsumatorë që përjetojmë edhe kënaqësi shpirtërore prej lojës së bukur dhe të arriturave mbresëlënëse të sportistëve tanë në të gjitha fushat.

Ju falemnderit.

 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors