Prishtinë, 15 shkurt 2013
Në vazhdim gjeni të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi
I nderuari rektor Gashi
Të nderuar prorektorë
Të nderuar dekanë
E nderuara presidente Jahjaga
I nderuari kryeparlamentar Krasniqi
Të nderuar zëvendëskryeministra
Ministra
I nderuari kryetar Mustafa
I nderuari z. Zhbogar
Të nderuar ambasadorë
Të gjithë ju mësimdhënës
Studentë
Zonja dhe zotërinj
Më lejoni që në emrin tim personal dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës sot t’iu uroj në dy përvjetor të rëndësishëm, 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe 43 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”.
Nuk është rastësi fillimi i shënimit të përvjetorit të pestë të pavarësisë së Kosovës pikërisht me këtë akademi. Ashtu si shpallja e Pavarësisë së Kosovës, që është akt unik dhe origjinal, edhe historia e Universitetit të Prishtinës është histori e papërsëritshme e origjinale.
Nuk ka ndonjë universitet në botë që mund të krahasohet me rolin promotor të Universitetit të Prishtinës, dhe kontributin e tij në Lëvizjen Kombëtare, që nga themelimi e deri në Pavarësinë e Kosovës.
Në pak universitet të botës ka ndodhur ngjashëm me Universitetin e Prishtinës, që lidershipi dhe idetë shtetformuese të jenë të lidhura aq ngushtë si në këtë tempull akademik.
Prandaj, në emër të institucioneve të Kosovës dhe në emrin tim, ju shpreh mirënjohje të thellë për institucionin tuaj, me veprimtari afër gjysmë shekullore.
Në 43 vjetorin e themelimit, uroj që Universiteti i Prishtinës të vazhdoj të jetë simbol në misionin akademik, shkencor, humanist dhe teknologjik për përparimin e shtetit të Kosovës.
Zonja dhe zotërinj
I nderuari rektor Gashi
Sot ka filluar kremtja e Pavarësisë së Kosovës. Para pesë vjetësh Kosova e realizoi ëndrrën e saj shekullore. Më 17 shkurt 2008 Kosova u shpall shtet i pavarur, i lirë dhe demokratik.
Ky akt madhështor ishte shprehje e respektimit të vullnetit të qytetarëve të vendit. Pavarësia e Kosovës është kryevepër e synimeve, idealeve , përpjekjeve dhe sakrificave të vazhdueshme të brezave të tërë.
Më 17 shkurt 2008 Kosova arriti atributin më të lartë të organizimit politik-krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran.
Kosova institucionalizoj organizimin më të lartë shoqëror- shtetësinë e saj.
Asnjë periudhë historike, sado e rëndë, e hidhur dhe e errët të ketë qenë, nuk ka arritur të shuaj ëndrrën e lirisë.
Për lirinë e Kosovës u sakrifikuan breza të tërë.
Në Universitetin e Prishtinës, u përpunua, lindi dhe u artikulua fuqishëm kërkesa për Republikën e Kosovës, më 1968-1981.
Universiteti i Prishtinës i mbijetoi edhe goditjet që iu bënë, me dëbimin e studentëve, profesorëve, nga objektet arsimore më 1991, duke treguar vendosmërinë dhe pjekurinë e vetorganizimit dhe mbijetesës.
Në Universitetin e Prishtinës u thyen tabu dhe koncepte për bllokimin e jetës politike në demonstratat e 1 tetorit të vitit 1997.
Nga Universiteti i Prishtinës dolën kuadro e lidership që me sukses themeluan dhe udhëhoqën projektin politiko-ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe në përgjithësi të skenës politike kosovare.
Nga Universiteti i Prishtinës dolën ide, projekti dhe lidershipi që vunë themelet e shtetësisë së Kosovës dhe institucioneve të saj.
Prandaj sot, në pesë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kujtojmë me respekt dhe me nderime të gjithë ata profesorë që ranë për lirinë e Kosovës.
Respekt dhe nderim shprehim për të gjithë studentët , pedagogët, dijetarët dhe intelektualët që në këtë Universitetit i kultivuan idealet e lirisë, e që sot nuk janë në mesin tonë.
Mbi bazën e filozofisë kombëtare dhe fuqinë e dijës që mbajti me dekada Universiteti i Prishtinës në vizionin për Universitet modern, respektojmë të gjithë ata njerëz që kontribuuan.
Zonja dhe zotërinj
Të gjithë ndihemi krenar që Universiteti ynë sot mban emrin e arkitektit të mendimit politik dhe ideatorit të Pavarësisë së Shqipërisë, figurës emblematike dhe madhështore të Lëvizjes Kombëtare, “Hasan Prishtina”, emër që të gjithë e respektojmë me nder.
Kosova sot po fillon kremtimin e Pavarësisë si shtet i lirë, demokratik dhe i pavarur. Duke qenë shtet i ri, demokraci e re, ne kemi shënuar të arritura me të cilat mund të ndihemi krenar secili nga ne.
Shteti i Kosovës po forcohet dhe po konsolidohet gjithnjë e më tepër.
Po forcohet subjektiviteti ndërkombëtar i saj. Kemi arritur rreth 100 njohje ndërkombëtare. Jemi anëtarësuar në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, dhe Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim Evropian.
Do të anëtarësohemi edhe në organizma tjerë rajonal dhe ndërkombëtar.
Para pak muajsh përmbyllëm me sukses mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë. Ishte ky një vlerësim i lartë ndërkombëtar për shtetit tonë të ri. Ky vlerësim do të duhej të na bënte të ndihemi mirë dhe krenar, të gjithëve, pa dallim etnie apo partie.
Është shembulli më i mirë sot, kur të gjithë jemi këtu në tempullin e dijes, të gjitha institucionet, të gjitha partitë politike, gjithë komuniteti ndërkombëtar që është prezent në Kosovë.
Ky është sukses mbi të gjitha që unë ia dedikoj qytetarëve të Kosovës. falënderoj qytetarët për besimin dhe mbështetjen në angazhimet tona. Kosova ka shënuar të arritura edhe në zhvillimin ekonomik, në ngritjen e infrastrukturës, rritjen e pagave dhe mbrojtjen institucionale të të gjitha kategorive sociale.
Kosova si një shtet funksional, me të arritura të gjithëmbarshme, sot me të drejt konsiderohet si rrëfim i suksesshëm i shtetndërtimit.
Zonja dhe zotërinj
Brenda një periudhe 14 vjeçare Kosova realizoi dy objektiva të mëdha historike. Çlirimin dhe pavarësinë. Kosova mbi të gjitha është shtet që prodhon paqe, fqinjësi të mirë dhe stabilitet në rajon.
Kosova me udhëheqjen e Bashkimit Evropian, dhe mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka nisur procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë, me besim që së shpejti Pavarësia e Kosovës të njihet edhe nga ky shtet fqinj, dhe me synimin e evropianizimit të të gjithë rajonit.
Kosova është një rrugë të mbarë për përmbushjen e kritereve për t’u anëtarësuar në institucionet euro-atlantike, në Bashkim Evropian, NATO dhe në rrugë të drejtë drejt anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Kosova do t’i kryej obligimet e veta për t’i implementuar të gjitha kriteret demokratike karshi standardeve të BE-së, siç kërkon vazhdimisht edhe nga Bashkimi Evropian të mos vonohet me Kosovën.
Në pesë vjetorin e pavarësisë, Kosova evropiane , Kosova e shekullit njëzet e një, është shtet me perspektivë të sigurt, për të gjithë qytetarët e saj.
Në pesë vjetorin e Pavarësisë, Kosova është e sigurt në rrugën drejt objektivit të tretë historik, anëtarësimit të saj në NATO dhe Bashkimi Evropian.
Në pesë vjetorin e pavarësisë, të gjithë ne besojmë në realizimin edhe të këtij objektivi. Besojmë se jemi duke punuar të gjithë bashkërisht, si skenë politike, institucionale, me një objektiv dhe qëllim të përbashkët, edhe ndërkombëtare, me besimin e përbashkët e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës
Urime edhe njëherë përvjetori i Universitetit të Prishtinës! Urime përvjetori i Pavarësisë së Kosovës!, Urime juve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës!
Faleminderit