Prishtinë, 13 shkurt 2013
Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së, ka mbajtur sot takimin e radhës.
Në një konferencë për media menjëherë pas takimit, kryetari i Komisionit, Agim Çeku ka vlerësuar pozitivisht rrjedhën e aplikimit deri më tani.
“Ne sot konstatuam që deri më dje, më 12 shkurt, janë tërhequr krejtësisht 42 mijë e 729 aplikacione për njohjen e statutit të veteranit, kurse janë dorëzuar deri më sot 32 mijë e 507 aplikacione. Kurse për invalid të luftës janë tërhequr 5 mijë e 126 aplikacione, dhe janë dorëzuar 3 mijë e 684 aplikacione. Ndërsa, për njohjen e statusit të dëshmorit të kombit, janë tërhequr 3 mijë e 232 aplikacione, dhe janë dorëzuar 2 mijë e 60 aplikacione’ ka thënë Çeku.
Kryetari i Komisionit poashtu ka bërë thirrje që edhe për dy javët e mbetura, të gjithë ata që në çfarëdo forme kanë kontribuar në luftë, të aplikojnë për t’iu njohur zyrtarisht statusi i tyre.
Poashtu, komisioni sot ka marrë vendim për kategorizimin e pjesëmarrësve të luftës, të cilët do të ndahen në veteranë, në dëshmorë të kombit, invalid të luftës, si dhe kategoria e pjesëmarrësve tjerë, ku do të hyjnë të gjithë përfaqësuesit politik dhe pjesëmarrësit tjerë që nuk kanë qenë të armatosur, por kanë kryer detyra të ndryshme për UÇK-në.
Pas mbylljes së afatit për aplikim, zyret komunale do të ndajnë aplikacionet në bazë të njësive , brigadave dhe kategorive, më pas do të dorëzohen në Sekretari, e më pas Komisioni do të ftoj zinxhirin komandues për të dëshmuar statusin e aplikuesve.
“Pas verifikimit, të gjitha listat do të publikohen. Opinioni do ta din, kujt i është njohur statusi, dhe do të bëhen publike, me qëllim që të ftohen të gjithë ata që kanë vërejtje, i ftojmë që të ankohen, të sjellin dëshmi, dhe komisioni do të shqyrtoj të gjitha ankesat. Qëllimi i këtij procesi është të dihet numri i saktë i pjesëmarrësve të UÇK-së, mos t’i lihet askujt në hak” ka shtuar z. Çeku.