Prishtinë, 28 janar 2013
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim ministrin shtetëror të Punëve të Jashtme të Pakistanit, z. Malik Amad Khan, një ditë pasi që Republika e Kosovës dhe Republika Islamike e Pakistanit kanë nënshkruar marrëveshjen zyrtare për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.
Kryeministri ka vlerësuar lart njohjen e pavarësisë së Kosovës, që Republika Islamike e Pakistanit e bëri vitin e kaluar. Ky akt do të nxisë bashkëpunimin e gjithanshëm të Kosovës me Pakistanin duke avancuar marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve.
Në takim është biseduar edhe për mundësitë e bashkëpunimit në mes të dyja vendeve në fushat e ekonomisë, këmbimit tregtar dhe të arsimit.
Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri pakistanez Malik Amad Khan janë pajtuar se Kosova dhe Pakistani kanë hapësirë të gjerë të bashkëpunimit të gjithanshëm institucional, kulturor dhe social.
Edhe ministri i shtetit për Punë të Jashtme i Pakistanit, Malik Amad Khan, ka shprehur kënaqësinë për nënshkrimin e marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve dhe ka theksuar se ky është vetëm hapi i parë i bashkëpunimi të gjerë në mes të dyja vendeve.
