Prishtinë, 30.01.2013
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka shqyrtuar një varg çështjesh dhe ka aprovuar vendime nga përgjegjësit e saja kushtetuese dhe ligjore.
Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar Projektligjin për Produkte Medicinale dhe Pajisje Medicinale.
Me këtë Projektligj parashihet të përcaktohen rregullat dhe procedurat për prodhimin, kontrollin e cilësisë, klasifikimin, autorizimin për marketing, regjistrimin, importin, tregtinë, farmakovigjilencën, hulumtimet klinike, mbikëqyrjen, dhe përcaktimin e çmimeve produkteve medicinale për përdorim te njerëzit dhe për prodhimin, kontrollin e cilësisë, klasifikimin, regjistrimin, vigjilencën, hulumtimet klinike, mbikëqyrjen dhe përcaktimin e çmimeve pajisjeve medicinale për përdorim te njerëzit në Republikën e Kosovës.
Në mbledhje është aprovuar edhe Projektligji për Blegtorinë.
Ky Projektligj përcakton kushtet dhe praktikat blegtorale, për një mbarështim të mirë të kafshëve në fermë, metodat dhe teknologjitë e mbarështimit të kafshëve, kushtet për hartimin dhe miratimin e programeve racore, ndryshimet dhe ruajtja e cilësive blegtorale, ruajtja e ndryshueshmërisë gjenetike dhe racat autoktone, shërbimet shkencore dhe profesionale në blegtori, banka gjenetike për kafshët, organizatat e mbarështuesve të kafshëve, tregu dhe tregtimi i materialeve racore, inspektimi dhe fondet e nevojshme për këtë qëllim.
Kabineti qeveritar ka aprovuar Rregulloren për organizmin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Kjo Rregullore përcaktohet organizimi i brendshëm dhe sistematizimi i vendeve të punës në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Është miratuar edhe Rregullorja për organizmin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Çështja kryesore e trajtuar me këtë Rregullore është rregullimi i kornizës ligjore për funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e të gjitha strukturave në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Rregullorja për Ndërmjetësim të Kontesteve në fushën e të Drejtës së Autorit dhe të Drejtave të Përafërta në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka marr sot aprovimin e kabinetit qeveritar.
Kjo Rregullore, përcakton procedurat e ndërmjetësimit në mes të shoqatave kolektive dhe përfaqësuesve të përdoruesve, në kontestet e parapara me nenin 176, paragrafi 1, të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta. Për më tepër kjo rregullore përcakton nivelin, llojin e edukimit, dhe kushtet tjera që një ndërmjetësues duhet t’i plotësoj për të hyrë në listën e ndërmjetësuesve.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar Vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 65,885.80 për mbulimin e shpenzimeve të punës së Sekretarisë së Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për vitin 2013.
Gjithashtu është miratuar edhe Vendimi për themelimin e Komisionit për licencimin e mallrave dhe shërbimeve strategjike në këtë përbërje:
• Izer Arifi/MTI – Kryesues
• Behram Mazreku/MTI – zëvendës kryesues
• Hysni Shabani/FSK – anëtar
• Brahim Kokollari /FSK – anëtar
• Bujar Haxhidauti/DK – anëtar
• Bujar Pefqeli/DK – anëtar
• Driton Gashi/MPB – anëtar
• Mensur Hoti/MPB – anëtar
• Berat Jashari/MPJ – anëtar
• Visar Rrecaj/MPJ – anëtar
Komision do të jetë përgjegjës për aprovimin, anulimin, pezullimin, modifikimin dhe revokimin e licencave të dhëna për eksport, import, shërbime dhe transit të mallrave strategjike.
Kabineti qeveritar, ne mbledhjen e sotme ka miratuar Vendimin për themelimin e Qendrës Kulturore të Kosovës për Diasporën dhe Mërgatën, me seli në Stamboll – Republika e Turqisë. Qendra Kulturore e Kosovës për Diasporën dhe Mërgatën në Republikën e Turqisë, konform Ligjit për Diasporën dhe Mërgatën do të ushtrojë këto përgjegjësi:
• promovojë njohuri të përgjithshme për Kosovën;
• nxisë dhe zhvillojë njohuri për gjuhët, kulturën dhe trashëgiminë kulturore të Kosovës, të përcaktuar me këtë ligj dhe me akte të tjera nënligjore;
• nxisë bashkëpunimin shkencor, teknik, teknologjik, sportiv dhe ekonomik në mes Kosovës dhe mërgimtarëve;
• ofron mërgimtarëve informata dhe udhëzime për investimet në Kosovë, lehtësimet fiskale, organizime kulturore e arsimore, takime me bashkatdhetarët dhe strukturat udhëheqëse të Kosovës dhe shteteve përkatëse ku jetojnë, përkrahje nëpërmjet diasporës për komunikim me strukturat politike të vendeve përkatëse për zhvillimin e demokracisë e ekonomisë në Kosovë dhe fushata të opinionit publik për Kosovën në vendet mikpritëse;
• mbështetë dhe organizojë të rinjtë dhe grup moshat e ndryshme të mërgimtarëve, veprimtaritë kulturore, edukative e sportive, mënyrat dhe format e informimit të rregullt e të gjithanshëm;
• nxisë investimet e kapitalit të mërgimtarëve në vendlindje;
• promovojë avancimin në fushën e arsimit dhe edukimit që burojnë dhe dalin nga ky ligj; dhe
• kryen detyra tjera të përcaktuara nga Qeveria dhe legjislacioni tjetër në fuqi.
Statuti i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka“dhe Statuti i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” janë miratuar sot në mbledhjen e kabinetit qeveritar dhe të njëjtit do të dërgohen në Kuvendin e Kosovës për aprovimin përfundimtar.
Strategjia Kombëtare dhe Planit i Veprimit për Parandalimin e Krimit 2013-2017, e aprovuar sot në mbledhjen e kabinetit qeveritar, është hartuar duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Kodin Penal te Republikës se Kosovës, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kjo Strategji ka për qellim ndërtimin e mekanizmit me qëllim parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar dhe dukurive negative, përmes rritjes se bashkëpunimit ndërmjet institucioneve që janë përgjegjëse për parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar .
Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Vendimin për shpronësimin e pronave të paluajtshme në trasenë e ndërtimi të Autostradës Morinë-Merdarë në zonat kadastrale Bërnicë e Epërme dhe Trudë, Komuna e Prishtinës.
Është miratuar edhe Vendimi për nismën e lidhjes së marrëveshjes ndërkombëtare për Statusin e anëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve respektive.
Vendimet për përmbushjen e obligimeve të pakryera financiare nga viti paraprak për projekte kapitale dhe për aprovimin e transfereve nga programi i shpenzimeve të paparashikuara në shumat individuale të kërkuara deri në vlerë prej 20,000 euro, janë miratuar në mbledhjen e sotme Qeverisë së Kosovës.
Përmes për themelimin Vendimit për themelimin e Task Forcës kundër falsifikimit dhe piraterisë në fushën e të drejtës së autorit Qeveria ka propozuar në këtë përbëje:
• Drejtori i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, Kryesues – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit-Kryesues;
• Kryeinspektori i Inspektoratit të Tregut – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë-Zëvendës-kryesues;
• Drejtori i Zyrës për Pronësi Industriale – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë;
• Drejtori i Drejtorisë për Zbatimin e Ligjit- Dogana e Kosovës;
• Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike – Policia e Kosovës;
• Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike – Policia e Kosovës;
• Kryeshefi i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar –Ministria e Drejtësisë.
Edhe Vendimi për themelimin e Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, i miratuar sot, parasheh këtë përbërje:
• Artan Demolli – MTI – kryesues
• Ruzhdi Shehu – MTI- anëtar
• Blerim Hajdari – Agjencia e Ushqimit dhe Veterinë- anëtar
• Islam Pacolli – Oda Ekonomike e Kosovës- anëtar
• Lumnije Ajdini – Aleanca Kosovare e Bizneseve-anëtar
• Selatin Kaçaniku – Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit-anëtar
• Driton Zhubi – Eksperti pavarur-anëtar.
Qeveria ka vendosur që të ndajë shumën prej 5 mijë eurove për të mbuluar shpenzimet e varrimit të zyrtarit të komunikimit në Zyrën e Kryeministrit, Hamdi Sopa.
