Nju Jork, 26 shtator 2012– Në vazhdim të vizitës zyrtare në Nju Jork ku është duke përcjellur punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj kanë takuar ministrin e Punëvë të Jashtme të Botswanës, Phandu T. C. Skelemani.Kryeministri Thaçi njoftoi ministrin e Jashtëm me proceset politike nëpër të cilat ka kaluar Kosova në rrugëtimin e saj të shtetndërtimit, veçanërisht me procesin e përmbylljes së pavarësisë. Poashtu Kryeministri theksoi se Republika e Kosovës është shtet që ka marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit, si dhe është e përkushtuar në normalizimin e marrëdhënieve edhe me shtetin e Serbisë. Ky normalizim i marrëdhënieve është gjithmonë në pajtueshmëri të plotë me pavarësinë, integritetin, dhe sovranitetin e Kosovës, si dhe sipas parimeve evropiane. “Kosova tashmë është shtet i konsoliduar, demokratik që ka transmetuar seriozitet tek bashkësia ndërkombëtare, si dhe konsiderohet faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon” tha kryeministri Thaçi. “Republika e Kosovës ka për qëllim dhe vizion integrimin në Bashkimin Evropian, NATO, si dhe gjithashtu edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, prandaj është e përkushtuar që të punojë dhe të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur që të përmbush këtë vizion” theksoi Kryeministri Thaçi.Kryeministri Thaçi kërkoi nga ministri i Jashtëm Skelemani njohjen e shpejtë të Republikës së Kosovës nga shteti i Botswanës, si hap të nevojshëm për fillimin e ndërtimit të raporteve diplomatike ndërmjet dy vendeve.