Kryeministri Thaçi: Po, Kosova është një storje e suksesit dhe kjo na bënë krenar të gjithëve

Prishtinë, 10 shtator 2012

Institucionet e Republikës së Kosovës për nder të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës kanë organizuar pritje solemne për mysafirë të larte  dhe korin diplomatik të akredituar në Kosovë.

Po ju sjellim të plotë fjalën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me këtë rast.

I nderuari president Ahtisaari
Shumë e nderuara dhe e respektuara presidente Jahjaga
I nderuar ambasador Wisner, Ishcinger
I nderuari zëvendëskancelari, Spindelegger
Faleminderit shumë z. Fule që u bashkëngjite në këtë mbrëmje dhe në këtë tubim madhështor,
I nderuari z. Reeker
Përfaqësuesi i EULEX-it, z. Marniak
I nderuari ministër i jashtëm i Ganës, z. Mumuni

Ju përshëndes të gjithëve ngrohtësisht në emrin tim personal, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe popullit të Kosovës, duke iu falënderuar të gjithëve për mbështetjen tuaj. 

Ministrja e integrimeve evropiane znj. Çitaku e përmendi që 13 vite pas kemi ndryshuar. Sigurisht që kam ndryshuar edhe unë dhe flokët më janë thinjur.

Po e shoh që edhe të tjerët kanë ndryshuar shumë,  mendoj se bashkërisht kemi ndryshuar, por e kemi ndryshuar edhe Kosovën shumë. S’mund ta imagjinojmë Kosovën e vitit 1998 me atë të vitit 2012. Prandaj kemi investuar shumë energji për të përmirësuar Kosovën, për të qenë Kosova e lirë, e pavarur dhe sovrane, dhe në rrugën e sigurt evropiane.

Kam pasur kënaqësinë që me shumicën prej jush të punoj tash e trembëdhjetë vite në konferenca të ndryshme ndërkombëtare dhe takime të ndryshme ndërkombëtare, para Rambujes, gjatë Rambujes, gjatë dialogut, procesit të shpalljes së pavarësisë, dhe tash të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë. Realisht, mua më keni ndryshuar shumë, por edhe unë ju kam ndryshuar juve.

Por kemi arritur sukses të përbashkët dhe ndihem shumë mirë dhe shumë krenar për këtë sukses. Për Kosovën ju siguroj dhe zotohem se do të ketë vetëm sukses në të ardhmen, me gjithë sfidat që do t’i kemi.

Si gjithmonë është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua që t’iu drejtohem, por posaçërisht është një ndjenjë e veçantë që jemi bashkë në këtë darkë, duke festuar suksesin e përbashkët.

Po, Kosova është një storje e suksesit dhe kjo na bënë krenar të gjithëve. Sonte, qytetarët e Kosovës, gjitha familjet kanë festë dhe i gëzohen këtij suksesi.

Më lejoni të theksoj edhe njëherë mirënjohjen më të lartë të Kosovës për shtetet e përfaqësuara sonte këtu, dhe për mbështetjen e vazhdueshme të tyre në konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Tani katër vite më vonë shpresat e qytetarëve dhe pragmatizmi ynë është shpaguar. Institucionet tona treguan maturinë dhe përkushtimin që janë të gatshme të dalin nga ombrella e mbikëqyrjes suaj, për të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë që i ka një shtet sovran, plotësisht i pavarur, dhe me integritet territorial të respektuar dhe të njohur ndërkombëtarisht.

Sot Republika e Kosovës po e mbyll një kapitull të rëndësishëm të historisë së saj, mirëpo po hap një kapitull të ri edhe më të rëndësishëm për shtetin e Kosovës, fillimin e një epoke të re të partneritetit të vërtetë me bashkësinë ndërkombëtare, si subjektivitet ndërkombëtar.

Sot kur po ju drejtohem, po ju drejtohem me të njëjtën shpresë dhe pragmatizëm që ju drejtova katër vite më parë, mirëpo tani ju drejtohem me zotimin se Kosova me përgjegjësitë që ka marrë me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, do të punoj edhe me më shumë përkushtim për forcimin e agjendës euro-atlantike, në rrugën tonë që të jemi anëtar të barabartë në familjen e Bashkimit Evropian dhe në NATO.

E di që nuk do të jetë udhëtim i lehtë, por udhëtimi do të jetë udhëtim i përbashkët dhe i sigurt. Udhëtimi do të ketë plot sfida, por do të jetë i suksesshëm.

Vizioni ynë është i drejtë, qëllimi ynë është i drejtë dhe do të kemi sukses.  Nuk do të kthehemi prapa, përkundrazi do të ecim përpara me plot shpresë, optimizëm dhe besim.

Të gatshëm për të falur, por kurrë për të mos harruar.

Prandaj kërkoj nga të gjithë ju, që kjo shpresë që Kosova dhe populli i saj kanë bartur në përkushtimin për të përmbushur agjendën e integrimit euro-atlantik, të mos shndërrohet në zhgënjim.

Kosova nuk duhet të vazhdoj të mbetet vendi më i izoluar në Evropë. Ne zotohemi se do të zbatojmë të gjitha reformat e nevojshme demokratike. Standardet duhet të vlejnë të gjitha për të gjithë. Qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së, sikur të gjithë qytetarët e vendeve të rajonit.

Jam shumë i nderuar sonte që jam i rrethuar nga njerëz të ndritur e të respektuar në gjithë botën.
Ky është privilegj edhe më i madh sepse ju jeni miqtë më të mirë të popullit dhe vendit tim.
Unë ju siguroj që qytetarët e Kosovës ju respektojnë dhe do të mbesin mirënjohës për gjithë jetën.

Ndërsa unë si kryeministër ju siguroj se Qeveria e Republikës së Kosovës do të punoj shumë dhe me ndershmëri për të justifikuar mbështetjen tuaj.

Të jeni të sigurt se ne nuk do t’iu zhgënjejmë kurrë.

Prandaj, theksoj edhe njëherë atë që e theksoj sot pasdite presidenti Obama: Arritja e sotme e Kosovës, është arritje historike.

Ju faleminderit të gjithëve për mbështetjen tuaj.

Në fund më lejoni që t’iu ftoj për një dolli, në shenjë  të mirënjohjes për ju, dhe të ardhmen euro-atlantike të Republikës së Kosovës.

Gëzuar! Ziveli! Cheers!

 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors