Prishtinë, 30 korrik 2011
Në vazhdim po e prezantojmë të plotë deklarimin e Kryeministrit Hashim Thaçi pas takimit:
Sapo përfunduam një takim të përbashkët me shefin e EULEX-it z.De Marnac, që fokus kryesor kishte zhvillimet e fundit në veri të vendit, dhe domosdoshmërinë e koordinimit të veprimeve tona për vendosjen e rendit dhe ligjit atje.
Më lejoni, të bëj të qartë edhe një herë se veprimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në veri të vendit, më saktësisht në pikën 1 dhe 31, për të siguruar zbatimin e masave reciproke dhe vendosjen e sundimit të ligjit atje, kanë qenë dhe janë veprime krejtësisht legjitime dhe askush nuk mund ta vëjë në pikëpyetje ligjshmërinë e tyre.
Unë e kam thenë dhe po e ripërsëris se vendosja e rendit dhe ligjit në veri të vendit nuk është e drejtuar kundër qytetarëve të komunitetit serb të Kosovës, që jeton atje.
Në fakt, qëllimi ynë i vetëm është që duke vendosur rendin dhe ligjin, t’iu ofrojmë qytetarëve të Kosovës që jetojnë në veri të vendit të njëjtat mundësi dhe shërbime, si për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Njerëzit që jetojnë atje, janë të dërmuar nga krimi dhe kontrabanda e papenguar në 12 vitet e fundit.
Ata duan, dhe meritojnë të jetojnë një jetë normale në kuadër të respektimit të ligjit dhe jo të jetojnë në një hapësirë ku ligji është i zëvendësuar me kontrabandë dhe kriminalitet.
Komuniteti ndërkombëtar, miqtë tanë evropianë dhe SHBA-të, gjithmonë e kanë ditur se ne nuk do të mund të jemi indiferent dhe përjetësisht të tolerojmë që një pjesë e territorit tonë të jetë vrimë e zezë jo vetëm e Kosovës, por edhe e Evropës.
Durimi ynë është edhe keqkuptuar dhe keqpërdur.
Së fundi, ne me vendosmërinë tonë kemi arritur t’i japim fund status quos-ë së hidhur, e cila e ka mbajtuar peng jetën normale të qytetarëve që jetojnë në veri, dhe për më tepër ka mbajtur peng të ardhmen euro-atlantike të Kosovës.
Që nga 25 korriku, Kosova ka hapur një kapitull të ri, që bazohet në respektim të ligjit dhe të sovranitetit shtetëror në tërë territorin e vendit.
Nuk mund as të mendohet që të bëjmë ndonjë hap mbrapa.
Opinioni i gjerë publik e di mirë se ne jemi munduar që përmes dialogut me Serbinë të zgjidhim shumë probleme praktike.
Miërpo, përderisa ne kemi kërkuar bashkëpunimin me Serbinë, kjo assesi nuk ka nënkuptuar se Serbisë do t’i jipet e drejta e vetos për vendosjen e rendit dhe ligjit në Kosovë.
Z. De Marnac,
Me lejoni që edhe një herë të shpreh mirënjohjen time të thellë, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emër të qytetarëve të saj, për faktorët ndërkombëtarë prezentë në Kosovë dhe ndihmën e tyre.
Pavarësisht rrethanave, partneriteti i ynë mbetet çelësi kyç për forcimin e shtetësisë sonë dhe integrimin në strukturat euro-atalantike.
Mirëpo, ndonjëherë ndodhë që përkundër objektivave të përbashkëta që kemi, dinamika drejt përmbushjes së qëllimeve tona të përbashkëta të jetë e ndryshme.
Ndoshta një situatë pikërisht e tillë, ka ndodhur edhe me veprimet e fundit të ligjshme tona në shërbim të vendosjes së masave reciproke në pikën 1 dhe 31 dhe shtrirjen e sundimit të ligjit në veri të vendit.
Tani, unë dua të sqaroj një gjë e cila është shumë e rëndësishme për t’u kuptuar drejtë nga partnerët tanë evropianë para së gjithash.
Kosova nuk ka dyshim në rrugën e saj për integrim në BE dhe në NATO, përkundër faktit se BE-ja ka dështuar që deri më tani ta trajtojë Kosovën njësoj sikur shtetet tjera aspiruese për anëtarësim.
Në anën tjetër, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mirëpirtur bashkëpunimin e ngushtë me EULEX-in, në shërbim të forcimit të sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës.
Po e theksoj, në gjithë territorin e Kosovës dhe jo vetëm në një pjesë të caktuar.
Unë jam i sigurt se EULEX do të bëj veprime konkrte në të ardhmen të cilat janë në përputhje të plotë me vetë mandatin e misionit, dhe që janë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet tjera në fuqi.
Unë i kam ofruar përsëri bashkëpunim të plotë EULEX-it që bashkërisht, në mënyrë të civilizuar dhe demokratike, të punojmë që të vendosim rendin e ligjin edhe në veri të vendit.
Për ne, nuk ka alternativë tjetër, sepse kjo është nevojë fundamentale për ekzistencën e shtetit tonë.
Në fund, dua që përsëri të ftoj qytetarët e Kosovës për qetësi, gjakftohtësi dhe përmbajtje nga provokimet e strukturave paralele në veri të vendit.
Qytetarët duhet të kenë besim të plotë në kapacitetet shtetërore të Kosovës, në kapacitetet e mekanizmave ndërkombëtar që janë prezent në Kosovë dhe që janë përgjegjës gjithashtu për sundim të ligjit dhe sigurimin e ambientit të sigurt, pra në EULEX-in dhe në KFOR-in.
Faleminderit!
Deklarimi i shefit të Misionit të EULEX-it, Xavier de Marnhac, pas takimit me kryeministrin Thaçi:
Faleminderit z. kryeministër, është mirë që jam këtu bashkë me juve në këtë kohë të ndjeshme për Kosovën dhe rajonin.
Më lejoni që së pari të shpreh shqetësimin tim të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës. Misioni i EULEX-it i bashkohet partnerëve të shumtë ndërkombëtarë në thirrje për vetëpërmbajtje dhe qetësi gjatë kësaj kohe. Civilët e pafajshëm, KFOR-i dhe EULEX-i janë sulmuar gjatë ditëve të fundit, dhe kjo thjesht është e papranueshme. Nuk do të tolerohet asnjë formë e dhunës dhe frikësimit. Kjo përfshin prishjen e rendit publik dhe pengimin e sundimit të ligjit.
E kuptoj frustrimin rreth situatës në veri, duke përfshirë mungesën e sundimit të ligjit dhe të kontrollit doganor. EULEX-i dhe BE-ja i kanë parasysh këto frustrime.
E vetmja rrugë përpara në gjetjen e një zgjidhje për situatën aktuale është nëpërmjet dialogut. Është nëpërmjet dialogut, siç thatë ju, që të dy palët së bashku mund të zgjidhin çështjet themelore të ditës. Dhe më lejoni të shtoj se EULEX-i ka mbështetur gjithmonë rivendosjen e kontrollit të plotë të doganave në tërë Kosovën.
Dua që të dini se gjatë ditëve të kaluara, EULEX-i së bashku me KFOR-in ka ruajtur praninë e tij në veri, duke përfshirë në Portat 1 dhe 31. Ne kemi vendosur një numër të fuqishëm të patrullave të policisë në Mitrovicë për të ruajtur sigurinë personale për të gjithë banorët, në veçanti në zonat shumetnike. Duke pasur parasysh tragjedinë e vrasjes së një oficeri të Policisë së Kosovës më 26 korrik, dhe i përsëris ngushëllimet Kosovës për këtë ngjarje tragjike, EULEX-i menjëherë nisi një hetim së bashku me homologët kosovar, si pjesë e një serie të hetimeve lidhur me ngjarjet e kësaj jave.
Sot në mëngjes pata takim me gjeneralin Buehler, dhe kemi rënë dakord që EULEX-i dhe KFOR-i do të punojnë së bashku për të rivendosur lirinë e lëvizjes. Çdo rezistencë ndaj lirisë së lëvizjes në veri të Kosovës është e paligjshme dhe nuk do të tolerohet, dhe unë kërkoj nga të gjithë njerëzit të i shmangen përfshirjes në akte të tilla.
Për derisa zhvillimet aktuale meritojnë vëmendjen tonë të lartë, më lejoni të shtoj se puna e rëndësishme në shumë fusha të tjera është duke vazhduar. Si pjesë e perspektivës evropiane të Kosovës, siç e përmendët dhe ju z. kryeministër, EULEX-i është duke punuar me homologët e tij për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve gjyqësore të Kosovës, dhe të sigurojë të gjithë qytetarët e saj me një të ardhme të sigurt. Dua ta bëj shumë të qartë se EULEX-i ka respekt shumë të madh për Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Këto nuk janë qëllime që mund të arrihet brenda natës, dhe kërkojnë bashkëpunim të ngushtë dhe këmbëngulje. Ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të punuar së bashku në të ardhmen e afërt, në mënyrë që institucionet e Kosovës të bëhet vetë-qëndrueshme dhe populli i Kosovës të përmbush fatin e tij.
Ju falënderoj përsëri, z. kryeministër.