Qeveria e Kosovës shpreh falënderimin për mbështetjen e ndërtimit të shtetit nga ana e Grupit Drejtues Ndërkombëtarë

Prishtinë, 13 korrik 2011

Qeveria e Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi ka zhvilluar mbledhjen e vet të rregullt.

Në fjalën e hapjes, kryeministri Hashim Thaçi, në emër të Qeverisë së Kosovës, ka shpreh falënderimin për Grupin Drejtues Ndërkombëtarë, që edhe një herë ka rikonfirmuar mbështetjen e vet për procesin e ndërtimit të shtetit të Kosovës. Kjo është edhe një mbështetje për angazhimin e institucioneve tona për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Kryeministri ka njohur kabinetin qeveritar, se java e kaluar është shënuar edhe me fillimin e punimeve për zgjerimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, sipas marrëveshjes për koncesinim të këtij aeroporti. Presim që investimet që do të bëhen në aeroport, do ta shndërrojnë atë në një nga aeroportet më moderne dhe më të mëdha në rajon, ka vlerësuar kryeministri Thaçi.

Dje në Mitrovicë është prezantuar projekti për riparimin e palestrës sportive, ndërtimi i qendrës së biznesit dhe ndërtimi i një qendre multifunksionale. Këto projekte do të financohen me  14.5 milionë euro nga Komisioni Evropian  dhe 8.5 milion euro nga  Qeveria e Kosovës, ka thënë kryeministri.

“Lajmi për ndarjen e mjeteve për mbështetjen  e reformave në drejtësi dhe në reformën e administratës publike, për periudhën 2011-2013, nga Komisioni Evropian për Kosovën, në vlerë prej 203 milion euro, është edhe një dëshmi se Kosova është duke ecur në rrugën e drejtë, në rrugën e integrimit  dhe zhvillimit.”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik; Projektligjin për Deklarimin dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave; Projektligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare; dhe Projektligjin për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

Strategjia Nacionale dhe Plani i Veprimit për Sigurinë në Bashkësi dhe Strategjia për Zhvillimin e Ndërmarrjeve të Mesme dhe të Vogla, kanë marrë miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme.

Në mbledhje është aprovuar edhe vendimi për përcaktimin e përgjegjësive dhe procedurave të zbarkimit të Forcës së Sigurisë jashtë vendit, si dhe është miratuar kërkesa për ndarjen e mjeteve për fondin special operativ të AKI-së.

Qeveria ka aprovuar emërimin e Zana Kotorrit në pozitën e sekretarit të përgjithshëm ne Ministrin e Komuniteteve dhe Kthimit dhe emërimin e Kapllan Halimit në pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Në kuadër të përgjegjësive të veta ligjore dhe kushtetuese, Qeveria e Kosovës e ka propozuar Enver Halimin për anëtarë të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors