Fjalimi i kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi para Grupit Ndërkombëtar Drejtues (GND)

Prishtinë, 12 korrik 2011

Të nderuar përfaqësues të Grupit Ndërkombëtar Drejtues,
I nderuari Përfaqësues Ndërkombëtar Civil, z. Pieter Feith,
Zonja dhe Zotërinj,

Është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua që t’ju drejtohem në këtë mbledhje të Grupit Ndërkombëtar Drejtues (GND). Më lejoni të theksojë edhe njëherë mirënjohjen më të lartë të Kosovës për shtetet e përfaqësuara sot këtu për mbështetjen e vazhdueshme të tyre në forcimin e shtetësisë së Kosovës.

Edhe pse vetëm një vit ka kaluar nga adresimi im i fundit para përfaqësuesve të GND-së më duhet të them se përkundër sfidave me të cilat përballemi, Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha mendimin e vet këshillëdhënës për shpalljen e pavarësisë së Kosovës duke e bërë të qartë se shpallja jonë e pavarësisë nuk ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare; 76 shtete kanë njohur sovranitetin tonë; Kosova është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore dhe ne kemi besim se do të bëhemi anëtar edhe të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) deri në fund të këtij viti.

Besoj se jeni mirë të informuar për krizat institucionale me të cilat jemi përballur vitin e kaluar kur Gjykata Kushtetuese kishte marr vendimin e vet për çështjen e shkeljes së Kushtetutës nga ana e Presidentit. Si rrjedhojë e kësaj, ne është dashur që të ndërmarrim një proces të gjatë dhe të komplikuar të zgjedhjeve të parakohshme të cilat juridikisht përfunduan në shkurt të këtij viti.

Më vonë, Gjykata Kushtetuese është përballur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri nga ana e kuvendit dhe edhe njëherë kishte gjetur se kishte mungesë të pajtueshmërisë me rregullat dhe procedurat, kështu që edhe njëherë presidenti është dashur të jep dorëheqje përsëri. Krizat përfunduan vetëm pasi u arrit marrëveshja politike ndërmjet të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së për zgjedhjen e një presidenti të paanshëm, zonjës Atifete Jahjaga dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme në vitin 2013.

Marrëveshja parashikon ndryshimet në kushtetutë që kanë të bëjnë me zgjedhjen e presidentit dhe gjithashtu në miratimin e ligjit të ri për zgjedhjet. Puna në miratimin e këtyre ndryshimeve është në proces e sipër dhe të gjitha palët janë duke punuar së bashku që ta realizojnë këtë.  Të gjitha këto sfida institucionale dhe politike kanë marr shumë kohë dhe energji, megjithatë unë jam i kënaqur se ne mundem t’i dëshmojmë botës se demokracia jonë është duke funksionuar dhe se rendi dhe ligji kushtetues janë duke u respektuar.

Për momentin, ne kemi një stabilitet institucional dhe qeveria ime është plotësisht e zotuar që të implementojë prioritetet strategjike të parashikuara me planin tonë ekonomik. Duke pasur parasysh kohën të cilën e kemi humbur, ne kemi përshpejtuar punën tonë në nxjerrjen e ligjeve të reja dhe në implementimin e tyre për të siguruar që raporti i Progresit i BE-së për këtë vit të jetë pozitiv.

Agjenda integruese në Bashkimin Evropian është prioriteti kryesor i yni dhe ne kemi të gjitha arsyet për të besuar se këtë vit Kosova do të pranojë qartësi më konkrete sa i përket perspektivës së saj evropiane. Për ne, kjo nënkupton pranimin e Strategjisë për Liberalizimin e Vizave, hyrjen në marrëdhënie kontraktuale ndërmjet të Kosovës dhe BE-së dhe lidhjen e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me BE-në.

Republika e Kosovës ka dëshmuar vetën si faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon. Për të promovuar dhe përshpejtuar këtë më tutje ne kemi pranuar të fillojmë dialogun konstruktiv me Serbinë.

E them me kënaqësi të madhe se dialogu për çështje praktike ndërmjet të Serbisë dhe Kosovës është duke ecur mirë dhe ne veç kemi arritur marrëveshje fillestare teknike në fushën e lirisë së lëvizjes, regjistrit civil dhe njohjes së diplomave universitare.

Dëshiroj të shpreh falënderimin tonë për lehtësimin e këtij dialogu nga ana e BE-së. Ky rol nënkupton mbështetjen e pazëvendësueshme për këtë proces.
Dialogu dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore për ne janë vlera të civilizimit dhe ne do të vazhdojmë t’i mbështesim ato.
Sigurisht, marrëdhëniet me Serbinë mbeten sfiduese për shkak të kaluarës, megjithatë nëpërmjet të dialogut ne jemi të interesuar që të hapim një faqe të re dhe të arrijmë rezultatet të cilat do të përmirësojnë jetën e qytetarëve të rëndomtë në të dyja shtetet.
Të dyja shtetet kërkojnë anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe unë konsideroj se është në interesin më të mirë të Grupit Ndërkombëtar Drejtues që Kosova dhe Serbia të shkojnë drejt anëtarësimit të plotë dhe të barabartë në BE.
Zonja dhe Zotërinj;

Ne, së bashku me ndihmën e mirëpritur dhe udhëzimin e pranuar nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar Z.Pieter Feith, jemi përqendruar në implementimin e detyrimeve të dala nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen e Statusit të Kosovës të Presidentit Martti Ahtisaari. Ne kemi kompletuar shumicën e detyrimeve tona nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës për shkak se qeveria dhe institucionet tona janë duke demonstruar gjithnjë e më tepër kapacitetet e shtetit funksional. 

E di se ende kemi punë për të bërë. Ne duhet të forcojmë sundimin e ligjit dhe të rrisim mirëbesimin e qytetarëve tanë. Ne duhet të rrisim nivelin e bashkëpunimit ekonomik. Ne duhet të realizojmë potencialin tonë të plotë të decentralizimit dhe të sigurojmë qytetarët tanë se qeveria e tyre është përgjegjëse për nevojat e tyre.  Për më tepër, ne duhet të forcojmë lidhjet ndërmjet të shumë grupeve etnike në Kosovë dhe të bëjmë tolerancën dhe respektin për kulturën e njëri tjetrit pjesë përbërëse të jetës së shtetit tonë.

Në bashkëpunim me Zyrën Ndërkombëtare Civile ne kemi krijuar strukturat për përballjen me këto sfida dhe unë zotohem se jemi të përkushtuar që t’a bëjmë Kosovën një rrëfim suksesi dhe shembull i zhvillimit, paqes dhe stabilitetit.

Duke marrë parasysh të arriturat tona dhe zotimin tonë të dëshmuar për Planin Ahtisaari, dëshiroj të theksoj se unë kam mirëpritur përpjekjet e Z.Feith për të filluar me procesin e përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur e cila pastaj do të pasohet me një prani dhe rol më të fuqishëm të Bashkimit Evropian (BE). Prania më e madhe e BE-së në Kosovë do të jetë një përkrahje edhe më e madhe për realizimin e qëllimit tonë për anëtarësimin në BE.
Kosova mbetet e zotuar për implementimin e plotë të Planit Ahtisaari dhe ne dëshirojmë të përfundojmë zotimet tona sa më shpejtë që është e mundur. Ne të gjithë pajtohemi se procesi i decentralizimit dhe themelimi i komunave me shumicë serbe ka qenë një sukses në pjesën jugore të Kosovës dhe tani dëshirojmë që kjo të ndodh gjithashtu edhe në pjesën veriore.

Ne nuk kemi kohë për të humbur nëse me të vërtetë dëshirojmë që decentralizimi të ndodh në veri e cila do të na shpijë drejt themelimit të komunës së re, Mitrovicës së Veriut. Ne besojmë se tani është momenti i duhur për të vepruar në mënyrë të vendosur në veri:  BE-ja kurrë nuk ka pasur një ndikim më të madh ndaj Serbisë se sot dhe prania e KFOR-it në veri e ka fuqinë për të siguruar një mjedis të sigurt dhe qëndrueshëm, ndërsa institucionet e Kosovës janë të zellshme për rivendosjen e rendit dhe ligjit në këtë zonë.

Bëj thirrje për përkrahjen e juaj me qëllim të jetësimit të kësaj. Ne nuk bën që të humbim këtë momentum. Nëse dështojmë të veprojmë tani rrezikojmë që të dështojmë në përpjekjet tona që të përfundojmë pavarësinë e mbikëqyrur. 

Përderisa përgatitemi për këtë detyrë të fundit të Planit Gjithëpërfshirës të Statusit, mendoj se është  adekuate që t’i bëjmë vetës disa pyetje:  A është Plani Ahtisaari Plan tejet ambicioz për Kosovën veriore?  Dhe a provokon Mitrovica e ndarë e Veriut ndarjen?  Nëse kjo detyrë e rëndësishme është jashtë mundësive tona, ne duhet të jemi kreativ dhe të gjejmë zgjidhje tjera. Në këtë rast, për mua një opsion është që të shqyrtojmë mundësinë e kthimit në një komunë të Mitrovicës siç ka qenë më parë në të kaluarën kur shqiptarët dhe serbët kanë jetuar së bashku pa ndonjë vështirësi.  Nuk shoh ndonjë arsye përse kjo të mos jetë kështu përsëri duke pasur parasysh se tani Kosova dhe Serbia janë duke punuar së bashku në normalizimin e marrëdhënieve të tyre.

Për më tepër, Mitrovica e bashkuar do t’i prezantojë botës një shoqëri tolerante, shumetnike të cilën ne me përkrahjen e GND-së jemi të përkushtuar që ta zhvillojmë në Kosovë.  Në Mitrovicën e bashkuar ne mund të krijojmë një Këshill ku Serbët kanë pushtet për të gjitha çështjet në Mitrovicën e Veriut duke siguruar që serbët do të vazhdojnë të kenë zë të fuqishëm në çështjet e tyre komunale. 

Ruajtja e unitetit të Mitrovicës do të ishte një parandalues për retorikën ndarëse të cilën e kemi ndëgjuar nga ata zëra të papërgjegjshëm të cilët thërrasin për ndarje të Kosovës në baza etnike.  Ndarja do të ishte dështim për Kosovën dhe për Grupin Ndërkombëtar Drejtues.

Zonja dhe Zotërinj,

Dëshiroj të ju siguroj se Kosova është e zotuar ndaj decentralizimit dhe vetëqeverisjes lokale.  Ne besojmë se qeveria e cila është e afërt me popullin ofron përgjegjësi më të madhe ndaj popullit dhe për nevojat e komunitetit.

Edhe nëse gjatë mbledhjes së sotme vendosni të mbyllni Zyrën Ndërkombëtare Civile, përfundoni pavarësinë e mbikëqyrur dhe të ribashkoni Mitrovicën, unë zotohem se qeveria ime do të mbetet e përkushtuar për themelimin e komunës së Mitrovicës së Veriut kur të jetë koha e duhur për këtë dhe kur kushtet të lejojnë një gjë të tillë.

Dhe e di se kur të vjen koha e duhur, Kosova mundet të llogaris në juve që të përfundojë pavarësinë e mbikëqyrur.  Përderisa lëvizim drejt këtij momenti, i cili ne besojmë se do të vie shumë shpejtë, unë ju bëj thirrje që të përkrahni institucionet e Kosovës që të vendosin rendin dhe ligjin në pjesën veriore të Kosovës para se formalisht të vendosni për mbylljen e Zyrës Ndërkombëtare Civile.  Kur të mbyllet Zyra Ndërkombëtare Civile duhet të mbyllet përgjithmonë dhe GND duhet të përmbyll të gjitha detyrat e mbetura ashtu që të mundemi të hapim një kapitull të ri në historinë e Kosovës.

Zonja dhe zotërinj,

Ne nuk duhet të vendosim ndonjë lidhje ndërmjet të mbylljes së Zyrës Ndërkombëtare Civile dhe misionit të EULEX-it. EULEX-i do të vazhdojë të funksionojë normalisht për shkak se ftesa jonë për këtë mision ende mbetet në fuqi. EULEX-i është duke na ndihmuar në zhvillimin e sundimit të ligjit dhe mandati i tij ekzekutiv është një garanci tjetër për qytetarët e Kosovës se askush nuk është mbi ligjin dhe se hetimet komplekse duhet vazhduar pa ndonjë ndërhyrje politike.

Ne kemi mësuar shumë nga EULEX-i dhe institucionet e Kosovës që janë përgjegjëse për sundimin e ligjit kanë përmirësuar dukshëm kapacitetet e tyre. Për këtë arsye në muajt në vijim, unë dëshiroj të shoh EULEX-in duke i dhënë institucioneve të Kosovës më shumë pushtet ekzekutiv dhe të marr përsipër një rol më të madh mentorues dhe monitorues.

Kjo bartje e përgjegjësive nga mbikëqyrja ndërkombëtare në kontrollin vendor gjithashtu ka të bëjë edhe me aranzhimet e sektorit të sigurisë. KFOR-i ka filluar që të zvogëlojë forcat e veta. Në të njëjtën kohë Forcat e Sigurisë të Kosovës  janë duke punuar me mentorët e vet në arritjen e kapacitetit të plotë operacional. KFOR-i nuk duhet të lë ndonjë zbrazëtin prapa vetit dhe FSK-ja duhet të jetë e gatshme të marrë përsipër detyrat e veta. Kosova dëshiron dhe ka për qëllim të jetë anëtare e plotë e NATO-s. Ky duhet të jetë vizion i përbashkët i të gjithë juve që jeni të pranishëm këtu për shkak se NATO ka dëshmuar që nga themelimi i vet se anëtarët e vet gëzojnë paqe dhe stabilitet.

Mirëpres diskutimin e ideve me juve anëtar të Grupit Ndërkombëtar Drejtues në atë se si duhet menaxhuar tranzicionin nga ombrella e sigurisë së KFOR-it drejt elementit të sigurisë në të cilin Kosova ka rol udhëheqës dhe mundet të plotësojë zbrazëtin të cilën NATO do ta lë prapa vetës pasi të shkojë sikurse që mirëpres edhe diskutimet për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në aleancën më të fuqishme ushtarake në botë.

Të nderuar përfaqësues,
Zonja dhe zotërinj,

Ne jemi duke punuar fuqishëm për të siguruar miqtë dhe aleatët tanë se ne pranojmë plotësisht dhe jemi të zotuar që të forcojmë shtyllat themelore të shoqërisë sonë: multietnicitetin, sundimin e ligjit, ekonominë e tregut dhe institucionet e pjekura të qeverisjes demokratike.

Zotohem se jemi të përkushtuar për këtë program. Ne jemi të vetëdijshëm për gjendjen tonë unike në botë dhe se kemi obligim të ofrojmë shërbime për të gjithë qytetarët tanë në gjithë territorin tonë.

Të nderuar përfaqësues,

Me lejoni të ju përkujtoj se si kryeministër respektoj dhe mirëpres lartë këshillën dhe përkrahjen tuaj për vendin tim. Mund të llogaritni në zotimin e qeverisë së Republikës së Kosovës për realizimin e detyrimeve tona për qeverisje të mirë, sundim të ligjit, luftë të pakompromis kundër të gjitha dukurive negative, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenie sociale dhe perspektivë të qartë për integrim euroatlantik.

Ne çmojmë të gjitha që ju keni bërë dhe vazhdoni të bëni për vendin tonë.

Ju faleminderit për vëmendje.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors