Qeveria e Republikës së Kosovës miraton edhe pesë projektligje të reja

Prishtinë, 6 korrik 2011

Qeveria e Republikës së Kosovës, nën drejtimin  e kryeministrit Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e vet të rregullt në të cilën ka miratuar një varg projektligjesh dhe vendimesh nga fusha e vetë e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Në hapje të mbledhjes së kabinetit qeveritar, kryeministri Hashim Thaçi ka përshëndetur thirrjen që Konferenca e Vendeve Islamike, që në përputhje me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendet anëtare të kësaj konference ta njohin pavarësinë e Kosovës.

“Organizata e Konferencës Islamike ka 57 shtete anekënd botës dhe një numër i tyre e ka njohur pavarësinë e Kosovës, andaj besojmë që ftesa e aprovuar nga Organizata e Konferencës Islamike do të përshpejtohet njohja e pavarësisë së Kosovës edhe nga vendet tjera anëtare të kësaj organizate. Besojmë gjithashtu se kjo do të ndikojë edhe në rritjen e njohjeve nga të gjitha ato shtete që janë në proces të shqyrtimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës”, ka thënë kryeministri Thaçi në fjalën e tij të hapjes së mbledhjes së sotme të Qeverisë.

Kryeministri Thaçi gjithashtu ka njohur kabinetin qeveritar, se Kosova tashmë ka siguruar votat e mjaftueshme për anëtarësim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Institucionet tona tashmë kanë proceduar kërkesën për fillimin e procedurave për anëtarësim në këtë institucion të rëndësishëm financiar.

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka aprovuar edhe pesë projektligje që rregullojnë fusha të ndryshme të jetës në Kosovë. Janë aprovuar këto projektligje:
1.    Projektligji për Mbrojtjen e Informatorëve;
2.    Projektligji për Zjarrfikëje dhe Shpëtim;
3.    Projektligji për Tregti me Jashtë;
4.    Projektligji për Masat Mbrojtëse në Importe; dhe
5.    Projektligjin për Partneritet Publiko-Privat.

Kabineti qeveritar ka aprovuar vendimin për miratimin e Nismës për Rishikimin Strategjik të Shpenzimeve si dhe vendimin për Kornizën e politikave për zhvendosjen nga zona e fushës së re të mihjes që do të rezultojë me zgjerimin e sipërfaqeve të mihjeve për eksploatimin e linjitit për termoelektranën “Kosova e Re”

Pas informatës për procesin e zgjedhjes së sekretarëve të përgjithshëm, Qeveria e Kosovës ka aprovuar vendimin për emërimin e  Nagip Skënderit për sekretar të përgjithshëm në Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Arben Çitakut për sekretar të përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors