Prishtinë, 5 korrik 2011
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, priti sot në takim Komisarin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, ambasadorin Knut Vollebaek i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.
Gjatë kësaj vizite ambasadorin Knut Vollebaek po takohet me udhëheqës dhe përfaqësues të institucioneve, ku po diskutohet për çështjet që lidhen me komunitetet në Republikën e Kosovës.
Gjatë këtij takimi zëvendëskryeministri Kuçi dhe ambasadori Vollebaek diskutuan për të gjitha çështjet që ndërlidhen me komunitetet, duke përfshirë çështjet që kanë të bëjnë me arsimin e komuniteteve, gjendjen aktuale sa i përket kornizës ligjore për përdorimin e gjuhëve, si dhe pjesëmarrjen politike të komuniteteve në vazhdën e reformës zgjedhore e cila është në zhvillim e sipër në Republikën e Kosovës.
Temë diskutimi po ashtu ishte edhe dialogu që po zhvillohet në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë si dhe bashkëpunimi regjional.
Zëvendëskryeministri Kuçi ritheksoi gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të punuar për integrimin e komuniteteve e sidomos integrimin e pakicave në sistemin e edukimit por pa anashkaluar fushat tjera, kurse Ambasadorit Vollebaek u zotua për përkrahje dhe bashkëpunim për institucionet e Republikës së Kosovës nga ana e OSBE.