Prishtinë, 20 qershor 2011
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Kelmendi, Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, me rastin e vdekjes së znj.Nekibe Kelmendi, ish-ministre e Ministrisë së Drejtësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Në telegram thuhet:
E nderuara familje Kelmendi,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
E nderuara kryesi e Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Me pikëllim të madh mora lajmin që aktivistja shumëvjeçare e Kosovës, ish-ministrja e Drejtësisë në mandatin e kaluar qeveritar, deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj.Nekibe Kelmendi ka ndërruar jetë.
Znj.Kelmendi ishte ndër aktivistet dhe intelektualet më aktive të Kosovës, që gjithë jetën e saj e vuri në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, duke qenë e angazhuar në institucionet e Kosovës deri në momentet e fundit të jetës.
Znj.Kelmendi si nënë dhe bashkëshorte, përjetoi tmerret e dhunës dhe të gjenocidit të regjimit serb mbi popullin e Kosovës, duke përjetuar vrasjen e bashkëshortit dhe fëmijëve të saj. Edhe në këtë gjendje, znj.Kelmendi gjeti forcën që të vazhdojë përkushtimet e saj për të mirën e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj.
Si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, kam pasur fatin që të punoj bashkë me ministren Kelmendi, në mandatin e kaluar qeveritar. Në kujtesën time, znj.Kelmendi do të mbetet përherë një bashkëpunëtore e sinqertë, e angazhuar në forcimin dhe konsolidimin e shtetit demokratik të Kosovës, për të cilin ajo dhe familja e saj sakrifikuan shumë.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kelmendi, Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Republikës së Kosovës