Kryeministri Kurti priti në takim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 1 korrik 2021

Roli i NATO-s në Kosovë dhe bashkëpunimi me institucionet për sigurinë në vend u diskutuan në takimin mes Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për kontributin e çmuar të NATO-s në Kosovë dhe rëndësinë e KFOR-it për siguri dhe stabilitet në rajon. Ai ritheksoi përkushtimin e Kosovës për integrim në aleancën më të madhe të paqes e sigurisë në botë, NATO.

Kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin e NATO-s për përmirësimin e situatës me pandeminë COVID-19, si rezultat i menaxhimit të mirë institucional dhe për reformat e nisura në drejtësi e punësim.

Sekretari Stoltenberg vlerësoi angazhimin institucional për të garantuar sigurinë në vend dhe shprehu përkushtimin e vazhdueshëm të misionit të NATO-s për mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë.

Duke biseduar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Kryeministri theksoi punën dhe angazhimin e vazhdueshëm për avancimin e FSK-së në një ushtri moderne, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ai shprehu gatishmërinë e FSK-së për zgjerimin e partneritetit me NATO-n, për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë në nivel ndërkombëtar.

Ne takimin që u zhvillua në kuadër të vizitës një ditore në Kosovë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i KFOR-it, Franco Frederici dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors