Prishtinë, 29 nëntor 2018
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori sot pjesë në Inaugurimin e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, hapësirë kjo e destinuar për studentët e UP-së, inovatorët, ndërmarrjet inovative, në proces të parainkubimit dhe inkubimit dhe për të rinjtë e interesuar për përgatitje profesionale në fushën e inovacionit, për përmbushjen e kërkesave të tregut të punës në Republikën e Kosovës.
Kryeministri Haradinaj, tha me këtë rast se të gjithë në Kosovë e kuptojnë rëndësinë e arsimit dual, e kuptojnë se ne jemi vonë me arsimin dual dhe këtu po jepet shembulli i kujdesit nacional për arsimin dhe kjo të shërbejë si një nisje për këtë.
“Do ta kemi vështirë të mbetemi garues në tregun ekonomik në vend, qoftë edhe me taksa që i kemi vendosë, nëse nuk i zhvillojmë aftësitë tjera, që të mund të tërheqim investime”, tha kryeministri Haradinaj, duke thënë se pikërisht për këtë, arsimi dual është i rëndësishëm.
Kryeministri Haradinaj, tha se në Kosovë është një projekt, që meriton respekt, pra Parku Inovativ Trajnues në Prizren, që do të jetë edhe pikënisje për bizneset, të ideve inovative, ndërmarrësve të rinj, por edhe i sjelljes së ekspertizës nga jashtë; Zona Ekonomike Amerikane, që po ashtu duhet aktivizuar dhe kësisoj në të gjithë vendin të shpërndahen njësitë e qendrës së Inovacionit.
“Idetë tuaja duhet t’i mbështesim dhe të gjithë ju duhet të na konsideroni partnerë”, tha kryeministri Haradinaj.
Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj tha se e vetmja fuqi konkurruese në kohën e ekonomisë globale, në kohën e digjitalizimit, në kohën kur bota po shkon drejt kompjuteristikës, dronëve, robotëve, është rinia, e cila është promotori dhe gjeneratori kryesor i zhvillimit ekonomik.
“Po punojmë fuqishëm që ta ndryshojmë konceptin e mendimit ekonomik në vend”, tha ministri Beqaj, duke shtuar se me hapjen e kësaj qendre po tentojmë që ta lidhim botën akademike me biznesin, me jetën reale.
Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, prof.dr. Ahmet Shala, tha se Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë të UP do të jetë qendër ku inovatorët dhe hulumtuesit e profileve të ndryshme do të kenë mundësinë të paraqesin inovacionet e tyre dhe hulumtimet praktike nga lëmit e inxhinierisë mekanike, si: mekatronikë, automjete motorike, zhvillim i softuerëve inxhinierik, energji e ripërtritshme, robotikë, etj.
Në inaugurimin e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP, një fjalë e mbajti edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe Myrvete Badivuku-Pantina, prorektore e UP-së.
Më pas kryeministri Haradinaj ka vizituar laboratorët e Fakulteti të Inxhinierisë Mekanike dhe Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP.



