Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Haradinaj: Ditë historike vendimi i sotëm për miratimin e Ligjit për Pagat në sektorin publik, urime Kosovë

2 Shkurt, 2019

 

Prishtinë, 2 shkurt 2019

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, e përshëndetë miratimin e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik nga ligjëvënësit e Kosovës, duke quajtur këtë një ditë historike për punonjësit e këtij sektori.

Ky Ligj, siç vlerëson kryeministri Haradinaj, vendosë rregull në sistemin e pagave dhe rreth 70 përqind të punonjësve në sektorin publik po e përjetojnë rritjen më të madhe të pagave të tyre.

“Po ashtu, me kalimin e pakos së ligjeve për administratën shtetërore dhe për zyrtarët publikë Kosova ka shënuar një arritje të madhe, duke përmbyllur një punë intensive të të gjitha institucioneve të vendit, në zbatim të programit të punës së Qeverisë, Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Agjendës së Reformave Europiane dhe Strategjisë Kombëtare për Zhvillim”, thekson kryeministri Haradinaj.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, falënderon deputetët për përmbylljen e kornizës ligjore, që konsiderohet si shtyllë e shtetit dhe funksionimit të tij që i jep vendit qeverisje të mire, zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit, si dhe përafron Kosovën me Bashkimin Europian.

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar sot në lexim të dytë Projektligjin për Pagat i cili mori 63 vota për dhe 1 abstenim.

Last modified: 2 Shkurt, 2019

Comments are closed.