Prishtinë, 01 shtator 2017
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar sot Bashkësinë Islame të Kosovës, me rastin e Festës së Kurban Bajramit.
Duke përcjell drejtuesve të Bashkësisë Islame urimet më të përzemërta për këtë festë të rëndësishme, kryeministri Mustafa vlerësoi lartë rolin e BIK-ut në edukimin e qytetarëve, tolerancën që kjo bashkësi ka treguar dhe rolin e saj për paqe dhe prosperitet.
“Po shfrytëzoj rastin që edhe këtu në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës t’ju uroj gjithë besimtarëve mysliman Festën e Bajramit, një festë e cila na bënë gjithë neve bashkë, një festë në të cilën ne i lutemi Zotit për paqe, për prosperitet, për mirëqenie. Festë që simbolizon sakrificën dhe solidaritetin në të mirë të njerëzimit dhe të vendit tonë. Unë vlerësoj lartë rolin e Bashkësisë Islame të Kosovës në edukimin e qytetarëve tanë, në kultivimin e tolerancës dhe mirëkuptimit, që kjo bashkësi ka treguar dhe rolin e saj në unitetin e qytetarëve tanë dhe prosperitetin e Kosovës. Prandaj falënderoj Bashkësinë Islame të Kosovës, falënderoj qytetarët tanë dhe ju uroj këtë ditë të madhe, këtë festë e cila të gjithë neve na bënë bashkë”, tha kryeministri Mustafa.
