Prishtinë, 8 korrik 2016
Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, priti në takim lamtumirës shefen e Zyrës së UNICEF-it në Prishtinë, Laila Omar Gad.
Zëvendëskryeministri Kuçi falënderoi znj. Gad për punën dhe kontributin e saj në Kosovë, si dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me te dhe misionin e UNICEF-it në Kosovë.
Zëvendëskryeministri Kuçi vlerësoi lartë punën e UNICEF-it në Kosovë, veçanërisht në hartimin e legjislacionit dhe zbatimit të standardeve ndërkombëtare, duke e siguruar znj. Gad që Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në krijimin e mekanizmave mbrojtës për të drejtat e fëmijëve dhe zbatimin e tyre në praktikë.
Nga ana e saj, shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Laila Omar Gad, njoftoi zëvendëskryeministrin Kuçi për punën e UNICEF-it në garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së tyre, si dhe përfshirjen e standardeve ndërkombëtare në legjislacion e zbatueshëm në Kosovë dhe zbatimin ën praktikë të tyre.
