Kryeministri Mustafa: Republika e Kosovës i ka përvetësuar vlerat e lirisë dhe të demokracisë të cilat nuk mund t’i rrënojë askush

Prishtinë, 17 shkurt 2016

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në parakalimin e kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe njësive të Policisë së Kosovës, me rastin e shënimit të 8-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa tha se kjo ditë është kurorëzim i aspiratës për liri, pavarësi dhe demokraci, është ditë e përkujtimit të sakrificës së shumë gjeneratave që u flijuan për këtë ide dhe dëshmorëve e martirëve të vendit të bekuar. 

“Republika e Kosovës po e shënon Ditën e Pavarësisë në sheshin e komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti, këtu pranë Ibrahim Rugovës, që me simbolikën e hapit të tij, shënon vizionin e ecjes përpara të këtij vendi, shënon rrugëtimin e vështirë por të vendosur të këtij populli, shënon miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe orientimin euroatlantik të qytetarëve të Kosovës. Është kjo ecje mbi vështirësitë kah një e ardhme e sigurt”, tha kryeministri Mustafa.

Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa.

Sot, në këtë ditë të bukur me diell, po e shënojmë së bashku ditëlindjen e tetë të shtetit tonë, si festën më të madhe dhe më të rëndësishme për çdo njeri dhe për çdo qytetar që e do vendin e tij, që e do flamurin dhe simbolet shtetërore, që e respekton ndjenjën e të qenurit i lirë dhe i pavarur në tokën e tij.

Kjo ditë është kurorëzim i aspiratës për liri, pavarësi dhe demokraci, është ditë e përkujtimit të sakrificës së shumë gjeneratave që u flijuan për këtë ide dhe tashmë realitet, të dëshmorëve e martirëve të vendit tonë të bekuar. 

Republika e Kosovës po e shënon Ditën e Pavarësisë në sheshin e komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti, këtu pranë Ibrahim Rugovës, që me simbolikën e hapit të tij, shënon vizionin e ecjes përpara të këtij vendi, shënon rrugëtimin e vështirë por të vendosur të këtij populli, shënon miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe orientimin euroatlantik të qytetarëve të Kosovës. Është kjo ecje mbi vështirësitë kah një e ardhme e sigurt.

Jemi të lumtur se Pavarësia e Kosovës tashmë është realitet, të cilin e kanë pranuar 111 vende, pjesë e të cilave janë vendet më të fuqishme, më demokratike e më të zhvilluara të globit.       

Jemi krenar që Republika e Kosovës është shtet i gjithë qytetarëve të saj, është shtet i vlerave dhe përkushtimit të tyre, është një sukses i përbashkët i kosovarëve dhe aleatëve të tyre.

Të gjithë se bashku do t’i jemi përgjithmonë mirënjohës aleatëve perëndimor për përkrahjen e tyre për liri dhe shtetndërtimin tonë.

Të dashur qytetarë,

Në këto 17 vite liri dhe tetë vite pavarësi, Kosova ka bërë reforma të thella strukturore, ka vënë baza të forta të zhvillimit të ekonomisë së tregut, ka ndërtuar institucione sipas kritereve evropiane, infrastrukturë bashkëkohore, por ajo që është më e rëndësishme, është se ka  bërë hapa të rëndësishëm dhe të vendosur në integrimet euroatlantike. Ka bërë edhe hapa në themelimin e ushtrisë së saj.

Kosova nënshkroi marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, e cila ia hap dyert për bashkëpunim të ngushtë ekonomik, për forcim të shtetit të së drejtës, për thellim të bashkëpunimit rajonal dhe për avancim të demokracisë.

Ndryshimet e bëra me shumë mund dhe sakrificë gjatë këtyre viteve, janë ndryshime dhe të arritura shekullore të këtij vendi.

Të nderuar qytetarë,

Edhe në këtë përvjetor, Kosova mori mesazhe të qarta të përkrahjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që vlerësojnë sukseset tona dhe përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për një shtet të zhvilluar në të gjitha fushat e jetës.

Me mbështetjen nga partnerët tanë evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne kosovarët e kemi më të lehtë ta konsolidojmë familjen dhe shtetin tonë. Por, duke kryer secili punën dhe detyrat tona, me përgjegjësinë më të lartë qytetare, atdhetare e shtetërore.

Sot, Republika e Kosovës i ka përvetësuar vlerat e lirisë dhe të demokracisë dhe këto vlera nuk mund t’i rrënojë askush, sepse ato mbrohen nga qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

Qeveria që unë drejtoj e njeh mirë vullnetin e qytetarëve të saj, dhe do ta respektojë këtë vullnet,  duke mbështetur mekanizmat për sundimin e rendit dhe të ligjit.

Mbi këtë vullnet, Republika e Kosovës do të kryejë reforma të nevojshme politike, ekonomike e sociale dhe do të punojë pareshtur për përafrimin me standardet euro-atlantike.

Kjo Qeveri e ka mandatin e qartë, ka legalitetin dhe legjitimitetin që t’u shërbej qytetarëve, atyre të cilët ia dhanë besimin me shumicën e votave, në një proces demokratik dhe të pranuar nga i gjithë spektri politik kosovar dhe asnjëherë nuk do të devijoj nga ky mision.

Ju ftoj që të gjithë së bashku, pa dallim, ta shënojmë Ditën e Pavarësisë së Shtetit tonë duke shprehur mburrjen dhe krenarinë për të arriturat e vendit tonë, të bindur se nuk ka asgjë më të çmueshme sesa të qenit të lirë dhe i pavarur në tokën tonë.

Urime Dita e Pavarësisë,
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës.

 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors