Prishtinë, 15 shkurt 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, kanë bërë lansimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021. Ky projekt është finalizuar përmes projektit të financuar nga BE-ja, “Mbështetje për politikat e Kosovës dhe planifikimin strategjik”, në vlerë prej 2.585.000 euro. Projekti ka përfshirë mbështetjen për përgatitjen e Programit të Reformave Ekonomike 2016-2018 dhe programet e IPA II. Strategjia Kombëtare për Zhvillim është e përqendruar në katër shtylla: kapitali njerëzor, sundimi i ligjit, infrastruktura dhe konkurrueshmëria.
Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa, foli për rëndësinë e hartimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, e cila është aprovuar në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, më 22 janar të këtij viti.
“Strategjia është e destinuar për të mundësuar një zhvillim të qëndrueshëm, dhe është hartuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim dhe në përkrahje të plotë nga Zyra e Bashkimit Evropian”, tha kryeministri, duke falënderuar për mbështetje Zyrën e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit e vendeve të BE-së të pranishëm në këtë ceremoninë.
Kryeministri Mustafa tha se esenca e kësaj Strategjie është që ajo e kapërcen mandatin e kësaj Qeverie duke përfshirë një periudhë kohore deri në vitin 2021.
“Ne me këtë Strategji kemi bërë të qarta orientimet tona, e kemi bërë të qartë po ashtu edhe pozicionin tonë se zhvillimi ekonomik, promovimi i punësimit dhe rritja e mirëqenies, do të jenë themeli i qeverisjes së mirë të vendit për këto katër vite të mandatit të kësaj Qeverie, dhe se të gjitha këto bazohen në iniciativën private, në konkurrencën e tregut të hapur, si forca kryesore që sigurojnë prosperitet ekonomik dhe sigurojnë zhvillim”, tha kryeministri Mustafa, duke prezantuar në detaje përmbajtjen e kësaj strategjie të rëndësishme për Kosovën.
Ndërkaq, lidhur me temat aktuale në vend, kryeministri Mustafa tha se temë më e rëndësishme politike për këtë vend se sa zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës, ardhmëria e Kosovës në Bashkimin Evropian nuk ka.
“Vetë fakti që ne po punojmë fuqishëm në këto fusha, flet që ne fuqishëm jemi të përcaktuar që Qeveria ta bëjë punën e vet deri në fund të këtij mandati, dhe se institucionet e Republikës së Kosovës do të funksionojnë dhe të konstituohen sipas mandatit të Kushtetutës”, tha kryeministri Mustafa.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, njëherësh përfaqësues special i BE-së, Samuel Zhbogar, ka thënë se është i kënaqur që po e bashkëlanson Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, dokumenti i parë i këtij lloji në Kosovë, i mbështetur nga BE-ja, si një prej dokumenteve më të rëndësishme për Kosovën dhe udhërrëfyes për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.
“Besoj se Kosova ka arritur në një fazë në të cilën është e aftë që të përballet me problemet e veta. Është e nevojshme që të gjitha palët e interesuara në Kosovë të bashkojnë forcat për të drejtuar Kosovën në një rrugë të zhvillimit më të fuqishëm ekonomik. Kjo është po ashtu e vetmja mënyrë për të tejkaluar krizën aktuale politike, pasi interesi kombëtar duhet të vihet mbi të gjitha interesat tjera. Instrumentet sikurse Strategjia Kombëtare për Zhvillim, Programi i Reformave Ekonomike dhe Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim, janë mjetet e duhura për të adresuar çështjet e Kosovës dhe për të ecur përpara”, tha Zhbogar.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se Strategjia Kombëtare për Zhvillim është një dokument i gjallë, i cili do të plotësohet gjatë procesit të implementimit. “Qëllimi i këtij dokumenti është orientues për Qeverinë në planifikimet e ardhshme buxhetore. Ne qysh tash po punojmë në kornizat afatmesme të shpenzimeve bazuar në këtë strategji. Ne presim që bizneset të marrin parasysh në planet e tyre afatgjate, orientimet e Qeverisë të dhëna në këtë Strategji. Presim nga partnerët zhvillimor që të marrin parasysh prioritetet që i ka vendosur Qeveria përmes kësaj strategjie, e po ashtu edhe bankat zhvillimore, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Botërore, USAID-in dhe partnerët tjerë që na kanë mbështetur deri tash në rrugën e zhvillimit të Kosovës”, tha ministri Hoti, duke paralajmëruar tryeza tematike për fushat specifike të strategjisë.
Qemajl Marmullakaj, drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik në Zyrën e Kryeministrit, duke prezantuar Strategjinë Kombëtare për Zhvillim tha se ky është një dokument udhërrëfyes për planifikim të politikave dhe një dokument që Qeveria e Republikës së Kosovës e harton për herë të parë. “Strategjia Kombëtare për Zhvillim si proces ka filluar gjatë vitit 2014, duke bërë analizimin e dokumenteve strategjike në dispozicion që përfshijnë një mori dokumentesh nga institucionet qeveritare apo edhe mekanizmat ndërkombëtar, duke marrë parasysh edhe praktikat më të mira ndërkombëtare, të cilat kanë qenë të krahasueshme me Kosovën”, tha ndër të tjera Marmullakaj.
Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa
Kam kënaqësinë sot që t’iu informoj lidhur me përfundimin e hartimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, e cila strategji është aprovuar në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, më 22 janar të këtij viti.
Strategjia është e destinuar për të mundësuar një zhvillim të qëndrueshëm, dhe është hartuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim dhe në përkrahje të plotë nga Zyra e Bashkimit Evropian. Dëshiroj sot që të falënderoj Zyrën e Bashkimit Evropian për një mbështetje të tillë, dhe të falënderoj po ashtu edhe të gjithë përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Evropian që janë këtu, sepse ajo është tërësia dhe inputet të cilat ne i kemi marrë për këtë strategji.
Për herë të parë Republika e Kosovës e ka një Strategji Kombëtare të Zhvillimit, dhe esenca e kësaj Strategjie është që ajo e kapërcen mandatin e kësaj Qeverie, sepse e përfshin një periudhë kohore deri në vitin 2021.
Ne me këtë Strategji kemi bërë të qarta orientimet tona, e kemi bërë të qartë po ashtu edhe pozicionin tonë se zhvillimi ekonomik, promovimi i punësimit dhe rritja e mirëqenies, do të jenë themeli i qeverisjes së mirë të vendit për këto katër vite të mandatit të kësaj Qeverie, dhe se të gjitha këto bazohen në iniciativën private, në konkurrencën e tregut të hapur, si forca kryesore që sigurojnë prosperitet ekonomik dhe sigurojnë zhvillim.
Në këtë drejtim, roli i Qeverisë do të jetë në ofrimin e kornizës institucionale brenda së cilës zhvillohen aktivitetet ekomomike, me qëllim të sigurimit të kohezionit të brendshëm dhe ekonomisë, në përgjithësi dhe të shoqërisë.
Gjatë hartimit të Strategjisë por edhe të studimeve që ne i kemi bërë përpara, është konstatuar se ndër pengesat kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, është bashkërenditja e politikave zhvillimore dhe proceseve institucionale, të cilat është bërë përpjekje që të kapërcehen me këtë strategji.
Andaj edhe procesi i përpilimit të këtij dokumenti, është zhvilluar në aspektin konsultativ brenda mekanizmave qeveritar, përmes grupeve punuese, është bazuar në punën përgatitore dhe studimore nga Zyra për Planifikim Strategjik në vitin paraprak dhe në vitet tjera.
Dokumenti ka qenë i hapur për konsultime me publikun, janë marrë rekomandime të ndryshme dhe ide nga shoqëria civile, nga sektori privat dhe nga grupet tjera të interesit.
Përzgjedhja e prioriteteve dhe masave të kësaj Strategjie, janë bërë duke u bazuar kryesisht në pengesat zhvillimore të cilat janë konstatuar më parë. Është konstatuar se një prej pengesave themelore është përmasa, përkatësisht sasia e kapitalit me të cilin disponon Kosova, dhe niveli i produktivitet ose efiçiencës, dhe veçmas çështja e fuqisë punëtore, e cila do t’iu përgjigjet kërkesave të tregut të punës dhe do të jetë në harmoni me këto kërkesa.
Më konkretisht, të gjitha pengesat është konstatuar se ndikojnë negativisht në rritjen ekonomike, duke shkaktuar shtrembërime dhe dështime të tregut, duke dekurajuar investimet e sektorit privat dhe inovacionet, si dhe duke bërë që resurset e vendit me të cilat disponohen, të mos shpenzohen në mënyrën më të mirë, në mënyrën më efiçiente, dhe të jenë të efikasitetit të duhur dhe në pikëpamje të kohës dhe në pikëpamje të parametrave zhvillimor.
Andaj, nevoja për të siguruar norma vjetore më të larta të rritjes ekonomike, për rritje të të ardhurave, dhe si rrjedhojë e kësaj për rritje të punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve, do të zhvillohet paralelisht me masat të cilat do të ndërmerren për rritje ekonomike dhe me kohezion social.
Kjo Strategji do të mundësojë krijimin e veprimeve të përbashkëta ndërmjet institucioneve të ndryshme, institucioneve financiare, donatorëve, pastaj parandalimin e proceseve të dyfishta institucionale që siguron efiçiencë më të lartë të punës, orientimin e përkrahjes nga partnerët zhvillimor, si dhe vendosjen e një baze të fuqishme orientuese për institucionet e Kosovës dhe llogaridhënie qytetare.
Mua më vjen mirë që këtu së bashku me ne sot janë edhe përfaqësuesit e institucioneve financiare, përfshirë edhe të Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, me të cilët kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm.
Jemi siguruar që Strategjia Kombëtare për Zhvillim, të jetë në harmoni të plotë me proceset tjera strategjike, siç është procesi i integrimit në Bashkimin Evropian përmes zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, programi për Reforma Ekonomike, etj., kjo sepse prioritetet e parapara me këtë Strategji, janë të sinkronizuara me prioritetet e reformave ekonomike dhe institucionale të nevojshme për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, që koincidon edhe me strategjinë e re të Bashkimit Evropian “Evropa 2020”, dhe ciklin e ri të planifikimit të asistencës të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit.
Në pikëpamje të strukturës së saj, Strategjia Kombëtare për Zhvillim është e ndarë në disa shtylla, që mund të them se janë shtylla themelore:
– Në atë të kapitalit njerëzor, sepse konsiderojmë se aty do të bëjmë ndryshime dhe adaptime të domosdoshme për të orientuar zhvillimin ekonomik;
– Në sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, sepse konsiderohet që parakusht themelor i ardhjes së investimeve të jashtme dhe stabilitetit ekonomik është funksionimi i shtetit ligjor dhe siguria e bizneseve para ligjit;
– Zhvillimin e industrive konkurruese, që ka të bëjë edhe me industrializimin e vendit tonë pas procesit të privatizimit;
– Dhe me zhvillimin e infrastrukturës, si bazë themelore e funksionimit të ekonomisë dhe të degëve dhe të fushave të ndryshme ekonomike.
Të nderuar pjesëmarrës,
Miratimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim padyshim konsideroj se shënon një hap përpara në planifikimin e politikave dhe sistemit të monitorimit në Kosovë dhe do të ndihmojë në përcaktimin e planifikimit afatgjatë të politikave zhvillimore të Qeverisë.
Në këtë aspekt, bashkëpunimi dhe angazhimi nga të gjithë ne do të jetë i domosdoshëm, andaj duke iu falënderuar të gjithë juve që jeni sot këtu, kërkoj që të jemi të hapur, të jemi inventiv, dhe ta kuptojmë se kjo Strategji mund të jap një kontribut të madh në zhvillimin ekonomik të Kosovës duke përcaktuar prioritetet e prioriteteve në disa fusha të caktuara të zhvillimit, të cilat ne i kemi konsideruar se duhet t’iu japim përparësi gjatë kësaj periudhe deri në vitin 2021, përkatësisht që fokusimin tonë ta bëjmë në implementimin cilësor të resurseve, të cilat i disponon Kosova dhe të tregut që ofron Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim, që është një marrëveshje shumë e rëndësishme për ne.
Dhe në fund të bëj një digresion. Ne sot patëm edhe një takim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, së bashku dhe me Odën Ekonomike Amerikane, Odën Ekonomike Gjermane dhe me Odën Ekonomike të Kosovës, në të cilën u prezantuan shumë biznese me ofertat e tyre për punësim të të rinjve dhe llogaritet që vetëm ky panair do të ofroj mundësi për punësimin e mbi 500 të rinjve, që bëjnë 500 familje, dhe pastaj në një proporcion gjeometrik do të zgjerohet rrjeti edhe më shumë.
Në dalje u pyeta nga mediat, që thanë se ne tash jemi të interesuar për tema politike, dhe unë konsideroj se temë më e rëndësishme politike për këtë vend se sa zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës, ardhmëria jonë në Bashkimin Evropian nuk ka. Vetë fakti që ne po punojmë fuqishëm në këto fusha, flet që ne fuqishëm jemi të përcaktuar që Qeveria ta bëjë punën e vet deri në fund të këtij mandati, dhe se institucionet e Republikës së Kosovës do të funksionojnë dhe të konstituohen sipas mandatit të Kushtetutës.
Faleminderit.