Kryeministri Mustafa mori pjesë në tryezën e organizuar me përfaqësues të medieve dhe të shoqërisë civile


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 9 shkurt 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në tryezën e organizuar me përfaqësues të medieve dhe të shoqërisë civile në Kosovë.

Gjatë tryezës, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, janë diskutuar zhvillimet aktuale në vend, proceset që priten në vijim si dhe janë dëgjuar pikëpamjet e opinionistëve dhe përfaqësuesve të tjerë të shoqërisë civile lidhur me perspektivën e zhvillimeve në Kosovë.

Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa.

Të nderuar të pranishëm, ju falënderoj për ardhjen tuaj.

Sot kemi menduar që të bashkëbisedojmë, të ndajmë mendimet bashkërisht, lidhur me zhvillimet në Kosovë.

Ne për një periudhë të gjatë, edhe unë, edhe zëvendëskryeministri Thaçi, jo vetëm në cilësinë e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit, por dhe të liderëve të dy subjekteve më të mëdha politike në vend, të koalicionit qeverisës, kemi përcjell opinionet e juaja, pikëpamjet e juaja, pa marrë parasysh se sa në momente të caktuara i parapëlqejmë apo jo, ne me respekt sillemi ndaj tyre, dhe kemi konsideratë ndaj çdo opinioni që ju e keni dhënë dhe e jepni.

Ne vlerësojmë lartë rolin e shoqërisë civile, rolin e medieve, rolin e organizatave të bizneseve, dhe mendojmë se bashkëbisedimi ynë dhe gjetja e rrugëve të përbashkëta për të dalë nga situatat në të cilat në momente të caktuara mund të vije një vend, është me rëndësi themelore.

Unë sot jam para jush me zotëri Hashim Thaçin, liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, mund të them edhe me rivalin më të madh të LDK-së, sepse ne si parti politike gjithmonë kemi qenë rivalët më të mëdhenj. Kemi 15 muaj që jemi partnerë të koalicionit dhe jam i bindur se edhe për mua edhe për të do të ishte më lehtë që njëra palë të ishte në pozitë dhe tjera në opozitë, sepse do të drejtonim edhe më lehtë subjektet tona. Mirëpo, po ashtu, mund të them se realiteti është tjetër. Se si rezultat i zgjedhjeve ne kemi marrë detyrimin tonë që të qeverisim me vendin, jo për t’u konfrontuar me njëri-tjetrin, por, për të qeverisur në një fazë tepër të rëndësishme të Kosovës, dhe në një moment të cilin ne do të përmbyllim një tranzicion afatgjatë në të gjitha fushat e jetës dhe veprimtarisë në Kosovë. Dhe mendoj se pikërisht këtu qëndron edhe filli i problemit, i cili ka nxitur animozitete në skenën politike, mirëpo këto animozitete nuk kanë mbetur vetëm si të tilla, ato tani janë shndërruar në pengesë të funksionimit të institucioneve demokratike, dhe kemi nevojë që ne të gjejmë zgjidhje të përbashkët lidhur me këtë.

Dje ne kemi pasur një bisedë tek Presidentja e Republikës së Kosovës. Unë dëshiroj që të falënderoj edhe Ambasadorin Amerikan, përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e tyre dhe për angazhimin e tyre për një dialog të tillë. Mendoj se dialogu i ndihmon vendit, është mënyra e vetme që ne të paraqesim argumentet tona dhe të gjejmë zgjidhjet tona. Mirëpo, po ashtu, konsideroj se ne deri më tani kemi qenë në pamundësi që të prezantojmë këto argumente, edhe para jush si shoqëri civile dhe si organizata të cilat kanë një rol të veçantë në shoqëri, mirëpo edhe para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për arsye të pengesave që janë bërë në funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Unë dëshiroj që të ndalem vetëm në disa momente të cilat do të ishin të rëndësishme për ne.

Theksoj se Republika e Kosovës është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, është kompromis i shumicës autoktone shqiptare, pas një shekulli përpjekjesh dhe sakrificave për liri e demokraci.

Republika e Kosovës është projekt i përbashkët i qytetarëve të saj dhe aleatëve të tyre, në mënyrë të veçantë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe i vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Nga data 12 qershor 1999, Serbia është vetëm fqinji ynë verior, me të cilin kemi konteste për çështje të caktuara, por i kemi të mbyllura njëherë e përgjithmonë relacionet e varësisë së ndërsjellë nga Serbia. Kosova shtet i pavarur, është shtet sovran dhe është realitet i pakthyeshëm.

Republika e Kosovës është orientuar drejt integrimeve euroatlantike. Ky orientim është natyror, është garancia e të ardhmes së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, dëshiroj të theksoj se gati 17 vjet pas çlirimit, mendoj se është e pavend të flitet për rikthimin e Serbisë në Kosovë, kurse është nën nivel tendenca për ndarjen e qytetarëve Republikës së Kosovës dhe subjekteve politike që i votojnë në tradhtarë dhe patriotë. Sepse një gjë të tillë nuk ka të drejtë askush ta bëjë.

Duke qenë se ne kemi qenë të mbështetur nga aleatët tanë, ne kemi marrë përsipër edhe obligime ndërkombëtare, sidomos për garantimin e të drejtave të popullatës jo shumicë, përkatësisht pakicave që ne ju themi nganjëherë, dhe ata që të bëhen pjesë e projektit tonë, pjesë e shtetit sovran dhe të pavarur të Kosovës. Mendoj se një gatishmëri e tillë nuk do t’i shkaktoj dëm askujt, asnjë qytetari të Republikës së Kosovës, asnjë subjekti politik në Kosovë. Se ne, edhe në pikëpamje të traditës, edhe në pikëpamje të detyrimeve që i kemi bërë për themelimin e shtetit të Kosovës dhe për ndërtimin e tij, na takon t’iu ofrojmë këto mundësi qytetarëve të cilët nuk janë shumicë në Kosovë. Këtë e kërkojnë aleatët tanë, dhe po ashtu me këtë ne i nderojmë ata për kontributin që e kanë dhënë, dhe për vlerat e demokracisë të cilat ata i zhvillojnë jo vetëm në Kosovë por edhe në vendet tjera.

Ne kemi gjetur gjuhë të përbashkët me të gjitha pakicat në Kosovë. Mund të them se dialogu i cili është zhvilluar disa vite, ka kontribuar që ne të integrojmë popullatën jo shumicë, sidomos serbët, në institucionet e Republikës së Kosovës. Është i vetmi mandat në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në të cilin ne kemi të përfaqësuar serbët nga të gjitha territoret e Kosovës, dhe është mandati i parë ku ne kemi arrit që komunat veriore që janë me shumicë serbe, të integrohen, të pranojnë ligjet e Kosovës, rregullat e Kosovës, të implementojnë buxhetet e tyre sipas rregullave që i përcakton Ministria e Financave dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Unë mendoj se këto janë të arritura, të cilat ne nuk mund t’i mohojmë, të cilat  duhet t’i pranojmë, dhe mbi të cilat duhet edhe më tutje të ndërtojmë sovranitetin dhe të ndërtojmë zhvillimin e vendit tonë.

Po ashtu, vlerësoj se pengimi i punës së institucioneve të Republikës së Kosovës, nuk është alternativë. Dhuna nuk mund të jetë alternativë e zhvillimeve në vend, e ofrimit të zgjidhjeve, sepse dhuna rrezikon funksionalitetin e Kosovës, dëmton imazhin tonë, dhe kurajon kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës.

Unë dëshiroj vetëm të ndalem pak në disa prej çështjeve që opozita, por mund të them edhe disa nga ju, mund t’i konsideroni si të arsyeshme për kundërshtim. Është fjala për Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, dhe për demarkacionin, përkatësisht shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Unë s’po hyj në historiatin e Marrëveshjes, sepse ju të gjithë e dini se ajo burimin e ka në Marrëveshjen e parë të vitit 2013, e ka në Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, dhe ajo që është arritur me këtë Marrëveshje të Parimeve ka qenë që Asociacioni duhet të themelohet sipas mendimit që do ta jap Gjykata Kushtetuese, dhe sipas Ligjeve të Republikës së Kosovës. Gjykata Kushtetuese e ka dhënë opinionin e vet lidhur me këtë, unë nuk dëshiroj që ta komentoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por dëshiroj vetëm të them se përkushtimi ynë si Qeveri është që Asociacioni mund të themelohet vetëm mbi bazën e parimeve, përkatësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, çështjet janë shumë të qarta. Kosova s’mund të humb asnjë metër katror të territorit të saj, dhe unë jam i bindur se askush nuk mund të besoj se 80 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në rastin kur do të bëhej ratifikimi i kësaj Marrëveshjeje, do të pranonin që një metër katror e Republikës së Kosovës t’i jepet Malit të Zi. Ndërkaq, ekzistojnë të gjitha instrumentet që ne të vërtetojmë çdo pretendim për dyshime në saktësinë e përcaktimit të kufirit, kemi edhe opinionin e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kemi ekspertët ndërkombëtarë të cilët mund të japin opinionet e tyre, prandaj fjala është vetëm për gatishmërinë që ne të bisedojmë në bazë të argumenteve dhe të pranojmë argumentet lidhur me këtë çështje.

Unë edhe pse jam i bindur se motivet nuk qëndrojnë në këto marrëveshje, janë motive krejtësisht politike dhe pushtetore, unë mendoj se megjithatë para qytetarëve por edhe para jush si shoqëri civile, ne duhet të argumentojmë çdo dyshim, çdo motiv, dhe të jemi të qartë për atë se çfarë kërkohet, në mënyrë që vendi mos të bjerë në gjendje të pakëndshme, të mos japim këtë pasqyrë para opinionit ndërkombëtar, por të krijojmë mundësi që në Kuvendin e Republikës së Kosovës të zhvillojmë debat me argumente, sepse dhuna e cila po shprehet në Kuvend dhe jashtë Kuvendit, flet se aktorët e kësaj dhune nuk po shprehin gatishmëri që të ulen dhe me argumente të flasin për këto probleme, ose për këto akuza, dhe shtrohet pyetja se sa këto akuza janë të vërteta apo të pavërteta.

Sa i përket legalitetit dhe legjitimitetit të organeve të institucioneve të Republikës së Kosovës, unë mendoj se ato e kanë legalitetin e tyre dhe legjitimitetin e fituar në zgjedhjet e vitit 2014. Unë nuk dëshiroj sot të flas lidhur me numrat dhe lidhur me votat, sepse ato janë të qarta dhe janë të sakta, dhe të njohura për opinionin, mirëpo, po ashtu, nuk shoh asnjë arsye që ata të cilët sot nuk e parapëlqejnë vendin e tyre që e kanë marrë si rezultat i votës së qytetarëve të Republikës së Kosovës, të mundohen që përmes dhunës të imponojnë zgjidhje tjetër, sepse zgjidhja mund të bëhet vetëm mbi bazën e vullnetit të qytetarëve, mbi bazën e zgjedhjeve të rregullta, të cilat do të ndodhin në vitin 2018, si zgjedhje nacionale, dhe në vitin 2017 si zgjedhje lokale.

Ne kemi punuar gjatë kësaj periudhe si koalicion qeverisës në prioritete të veçanta. I kemi dhënë përparësi themelore zhvillimit ekonomik, dhe unë mendoj se kemi krijuar trende pozitive dhe shpresëdhënëse të zhvillimit, tërheqjes së investimeve të huaja direkte, sidomos me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim.

Kemi përmbushur gati të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe pres që edhe vizat të liberalizohen këtë vit. Si rezultat i qeverisjes së mirë kemi marrë premtime për  fonde nga Korporata e Sfidave të Mileniumit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është hera e parë që Kosova merr fonde nga kjo korporatë. Kemi lidh marrëveshje për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, që është investimi më i madh privat i cili ka ndodh pas lufte në Kosovë prej mbi një miliard euro. Kemi tendenca pozitive sa i përket rritjes ekonomike, sa i përket investimeve të huaja direkte. Kemi, po ashtu, edhe një situatë shumë stabile të sektorit financiar dhe bankar, dhe marrëdhënie shumë të mira me institucionet financiare ndërkombëtare, dhe kemi ecuri të mira sa i përket kushteve të financimit të bizneseve, të cilat nuk kanë qenë shumë të përshtatshme deri më tani. Janë bërë përpjekje maksimale që të ndalet evazioni fiskal, kontrabandimi, të luftohet korrupsioni, të luftohet krimi i organizuar, mirëpo për këtë lipset edhe më shumë kohë dhe përpjekje të përbashkëta të cilat ne duhet t’i bëjmë.

Si partner të koalicionit ne jemi zotuar se do të përmbushim marrëveshjet tona për të siguruar stabilitetin dhe vazhdimësinë e punës së institucioneve të Republikës së Kosovës, Presidentit, Parlamentit dhe Qeverisë. Së shpejti do të zgjedhim Presidentin e vendit, duke respektuar në tërësi Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Natyrisht se përmbushja e të gjitha angazhimeve tona dhe prioriteteve tona, që janë pjesë edhe e Programit të Qeverisë edhe Marrëveshjes së partive të koalicionit, po hasin në vështirësi për shkak të gjendjes aktuale dhe bllokimit të punës së Kuvendit të Kosovës dhe të ushtrimit të dhunës jashtë Kuvendit.

Dhe unë konsideroj se është e dobishme që ne sot të ndajmë mendimet, opinionet dhe preokupimet tona të përbashkëta së bashku me ju, duke pas parasysh rolin që shoqëria civile, mediat, bizneset dhe asociacionet e bizneseve i kanë në vendin tonë.

Ju faleminderit.


Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi.

Faleminderit shumë i nderuar kryeministër Mustafa,

Të nderuar të pranishëm.

Unë do të mundohem që të jem sa më i shkurtër që të jetë e mundur pasi që kryeministri i potencoi të gjitha çështjet që ne i kemi prioritete si institucione të Republikës së Kosovës. Por në të njëjtën kohë më lejoni të shprehë kënaqësinë e veçantë që të takohemi sot me ju, si përfaqësues të shoqërisë civile, për të diskutuar për zhvillimet në Kosovë, për funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, për prioritetet shtetërore, për rrugën që e kemi përpara dhe natyrisht opinionet e respektuara tuaja për neve si vendimmarrës të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ne vazhdojmë të shohim rolin e shoqërisë civile si një rol të pazëvendësueshëm në shoqëri, në afirmimin e vlerave dhe traditave tona, në të njëjtën kohë të mëshiruar edhe me vlerat euroatlantike.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme që shoqëria civile të jap kontributin e vet në qartësimin e proceseve natyrisht edhe në fuqizimin e të gjitha këtyre përpjekjeve që i kemi. Gjithashtu, është jashtëzakonisht i rëndësishëm roli i shoqërisë civile në ruajtjen dhe rritjen e transparencës së punës së institucioneve të Republikës së Kosovës dhe llogaridhënies.

Prandaj, ne jemi të bindur se ky diskutim mes institucioneve të vendit dhe shoqërisë civile është jetik për zhvillimin e politikave, për zhvillimin ekonomik, për konsolidimin e vendit tonë dhe fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. E përmendi edhe kryeministri ne jemi në një koalicion, në një partneritet bashkëqeverisës duke u bazuar edhe në profilin politik të partive tona të qendrës së djathtë. Por, gjithmonë me prioritete të përbashkëta të interesit shtetëror. Natyrisht se jemi dëshmitarë të gjithë, të dy çështjeve të diskutueshme, në rastin e nxjerrjes së disa elementeve parimore sa i përket formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Qeveria e Kosovës, e potencoi kryeministri, e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që ka vërejtur se disa elemente të parimeve për themelimin e këtij Asociacioni nuk janë në frymën kushtetuese, por Gjykata Kushtetuese e lejon themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe kërkon që të respektohet plotësisht Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Ne e kemi mirëpritur dhe do ta zbatojmë në tërësi këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe mendoj se ky vendim është obligues për të gjithë spektrin politik, institucional dhe të gjithë njerëzit që kanë qenë pjesëmarrës të këtij procesi.

Pasi që ne jetojmë këtu dhe e dëgjojmë njëri-tjetrin edhe drejtpërdrejtë edhe në debate dhe përmes mediumeve të ndryshme, e lexojmë dhe dëgjojmë njëri-tjetrin, e shikojmë edhe në mediume elektronike, ka pasur opinione se pse tash ky Asociacion. Unë dua ta potencoj  se Asociacioni, pasi që këtu kemi njerëz që kanë qenë në atë proces, buron nga dokumenti i presidentit Ahtisaari. Mbi bazën e dokumentit të presidentit Ahtisaari e kemi shpallur Kosovën e pavarur dhe sovrane. Pastaj ka vazhduar procesi i negociatave në Paris, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Atë proces si kryeministër e kam udhëhequr unë në rrafshin politik, ka qenë përfaqësuese edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe ka luajtur një rol jashtëzakonisht pozitiv në këtë proces të rëndësishëm, duke qenë pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë.

Dëshiroj edhe njëherë të falënderoj kryeministrin Mustafa, që në atë kohë ishte lider i opozitës, për rolin konstruktiv dhe mbështetjen që Marrëveshja e prillit 2013, e ka fituar në Kuvendin e Republikës së Kosovës sepse edhe unë i vetmuar nuk do të mund të arrija asgjë pa një mbështetje konstruktive pikë së pari të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që ka qenë lidere opozitare dhe pjesëmarrjes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Prandaj, tash vazhdojmë me idenë e themelimit të këtij Asociacioni që është edhe burim i marrëveshjes së prillit të vitit 2013. Këtu ka një kontinuitet, kjo çështje nuk është që ka dal në këtë kohë dhe në një formë a formën tjetër të gjithë kemi pasur përgjegjësitë tona.

Sa i përket çështjes së dytë, Demarkacionit, ne kemi nënshkruar marrëveshjen, një marrëveshje kjo që është e vullnetit të mirë në mes të dy shteteve, një marrëveshje kjo e bazuar në të gjitha dokumentet relevante të proceseve politike që ka kaluar Kosova që nga viti ’45 e tutje, por duke u bazuar edhe në Kushtetutën e vitit 1974 për të vazhduar në Marrëveshjen e Kumanovës që e ka sjellë NATO-n në Kosovë, për të vazhduar me dokumentin e presidentit Ahtisaari, mbi kufijtë e të cilit është shpallur edhe pavarësia e Kosovës. Ratifikim në Kuvendin e Kosovës nuk do të ketë pa u sqaruar në imtësi çdo vërejtje dhe çdo sugjerim. Ne kemi kërkuar që natyrisht të japë kontributin e vet i gjithë spektri politik dhe çdo qytetar. Besojmë fuqishëm se Komisioni ka bërë një punë profesionale, është i njëjti Komision që e ka kryer demarkacionin edhe me Maqedoninë. Gjithashtu janë respektuar hartat e NATO-s, dhe jo harta tjera me rastin e arritjes së kësaj marrëveshjeje. E ka potencuar kryeministri shpeshherë dhe tani e potencojmë vazhdimisht, e kemi ftuar edhe çdo qytetar që ka vërejtjen më të vogël të paraqitet dhe kjo çështje rregullohet, punë një minute, me dokumentacion, nëse kontestohet ndonjë centimetër pronë e tij e lëre më që flitet me hektar. Ka vullnet të dyanshëm edhe prej shtetit të Malit të Zi, edhe prej neve, që këto çështje të rregullohen dhe të tejkalohen pa asnjë ngarkesë politike. Prandaj, kjo çështje mund të jetë e përmbyllur vetëm kur të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Në Kuvendin e Kosovës nuk do të ratifikohet pa u përmbyllur çdo paqartësi dhe çdo vërejtje që mund ta ketë vetëm një qytetar i vetëm i Republikës së Kosovës.

Faleminderit shumë kryeministër!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors