Qeveria e Kosovës mori vendim për ndarjen e mjeteve për pensionet e veteranëve të UÇK-së


Image


Image

Prishtinë, 6 nëntor 2015
 
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e 57-të të rregullt, në të cilën, ndër të tjera, ka miratuar vendimin për transferim të mjeteve për pensionet e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe rregulloret për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës dhe në Inspektoratin e Punës.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për miratimin e nismës në parim për marrjen përsipër, përmes shkëmbimit të notave, për dy marrëveshje me Hungarinë:

1. Marrëveshjen mbi njohjen e ndërsjellë të certifikatave shkollore ekuivalente dhe diplomave të lëshuara në Republikën Popullore të Hungarisë dhe Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, të vitit 1980;
2. Marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës Popullore të Hungarisë dhe Këshillit Ekzekutiv Federativ të Kuvendit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë mbi bashkëpunimin shkencor, arsimor dhe kulturor, të viti 1986.

Një hap i tillë, do t’i mundësojë 30 studentëve kosovarë, që nga viti i ardhshëm akademik, të shkojnë në studime falas në Hungari. Kjo, pasi që, Qeveria e Hungarisë ka vendosur të ndajë 30 bursa për studentët kosovarë që të studiojnë në universitete hungareze, veçanërisht në fushën e bujqësisë.

Është miratuar edhe Nisma për lidhjen e Marrëveshjes financiare për IPA 2014 dhe Marrëveshjes financiare për IPA 2015, për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Këto Marrëveshje do të mundësojnë  përfitimin e fondeve për bashkëpunim kufitar nga ana e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Programet do të fokusohen në mbrojtjen dhe ruajtjen e burimeve mjedisore, në promovimin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore dhe natyrore, si mënyrë për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe në integrimin socio-ekonomik të të rinjve.

Qeveria ka miratuar vendimin për transferin e mjeteve nga Ministria e Financave në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për zbatimin e Ligjit Nr.04/L-261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas miratimit të Udhëzimi Administrativ për aplikimin e veteranëve të cilët i plotësojnë kushtet dhe kriteret për realizimin e pensionit, sipas ligjit, më datë 5 tetor ka filluar e drejta për aplikim në kategorinë e veteranëve, pasi që zyra për verifikimin e statusit të veteranëve filloi shpërndarjen e vërtetimeve për të gjithë ata pjesëtarë të luftës së UÇK-së që kanë fituar statusin si veteranë luftëtarë i UÇK-së. Deri më sot janë pranuar mbi 12 mijë aplikacione. Qëllimi i kryesor i këtij vendimi është bartja e mjeteve për kompensimin e veteranëve të luftës nga Ministria e Financave në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale me ç ‘rast do të fillonte ndarja e pensionit të veteranit luftëtarë të UÇK-së. Për zbatimin e drejtë dhe të plotë të së drejtës në pension të veteranit nevojiten 8 milionë euro, për të paguar pensionet për vitin 2015. Shuma e mjeteve financiare, sipas këtij vendimi, do të realizohet varësisht prej verifikimit të listave të përfituesve të cilët kanë plotësuar kushtet për realizimin e pensionit luftëtar të UÇK-së.

Kryeministri Mustafa me këtë rast, ka thënë se me këtë vendim krijohen kushtet që të fillojë pagesa për veteranët. “Me këtë, ne praktikisht krijojmë kushtet që menjëherë të fillojë pagesa për veteranët që i kanë plotësuar kushtet dhe ata që në mënyrë suksesive hyjnë në listë. Është një fakt që Qeveria po i përmbushë detyrimet e veta për veteranët”, theksoi kryeministri, gjatë mbledhjes së Qeverisë.
 
Kryeministri Isa Mustafa, gjatë mbledhjes, ka shprehur kundërshtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj sulmit të kryer ndaj ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, nga aktivistët dhe veprimtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Konsideroj se një sulm i tillë është totalisht i papranueshëm, është në kundërshtim me ligjin dhe nuk i ndihmon proceseve demokratike dhe proceseve integruese. Mendoj se të gjithë ata që po i bëjnë këto, po i bëjnë në dëm të Kosovës, në dëm të proceseve të cilat ne po i zhvillojmë në integrimin euroatlantik, dhe në dëm të zhvillimit demokratik dhe zhvillimit qeverisës të vendit”, u shpreh kryeministri. Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu tha se është e pamohueshme se kjo Qeveri ka marrë vendime shumë të rëndësishme gjatë këtij viti, vendime të mëdha e historike, të cilat i përkasin një qeverie të madhe, një qeverie të fortë. “Është vendimi mbi themelimin e Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale, që ka qenë një vendim i yni dhe i Kuvendit të Republikës së Kosovës; është vendimi për dialogun me Serbinë dhe marrëveshjet që ne i kemi arrit me Serbinë dhe nga të cilat ne s’heqim dorë, dhe s’ka vezë dhe sulm i cili do të na detyroj që ne të heqim dorë nga këto Marrëveshje, por në çdo rast do të respektojmë verdiktin e Gjykatës Kushtetuese si verdikt përfundimtar, por ne mbesim të qartë se do të zbatojmë të gjitha marrëveshjet që i bëjmë në Bruksel; është vendimi për shënimin e kufirit, i cili po ashtu është vendim i krijimit të paqes, stabilitetit, dhe relacioneve të mira me vendet fqinje; dhe vendimet tjera dhe marrëveshjet tjera që janë marrëveshje në dobi të Kosovës. Kjo Qeveri, është Qeveri e këtyre vendimeve, vendimeve që janë në dobi të Kosovës, në dobi të integritetit tonë, në dobi të sovranitetit tonë, dhe në dobi të perspektivës tonë. Ndërkaq, opozita, dhe veçmas Vetëvendosje, po merr vendime për hedhje me vezë, vendime për hedhje me gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, vendime për pengimin e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, vendime për pengimin e punës së zyrtarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa, duke shtuar se këto janë vendime të njerëzve të ligë, mburravecëve, dhe atyre që s’kanë guxim që të merren me punë të vërteta të shtetit, por pengojnë shtetin.

“Këto vendime janë vendime të dëmshme, sepse janë vendime të cilat kërkojnë shkatërrimin e institucioneve tona përmes pengimit të punës së tyre. Unë shpreh bindjen time të plotë dhe të Qeverisë se askush s’mund ta ndal punën e Qeverisë dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës, por çdo njëri do të ballafaqohet me ligjin dhe me drejtësinë për vendime të tilla. Më vjen keq që sot kjo i ka ndodhur ministrit të Drejtësisë, sepse ai s’është vetëm ministër, është edhe profesor universiteti, është njeri që ka edukuar dhe edukon shumë gjenerata, është njëri prej profesionistëve të dalluar dhe më të mirë në fushën e tij. Këta njerëz meritojnë të respektohen dhe nuk meritojnë që nga huliganët të gjuhen me vezë, dhe të tentojnë të poshtërohen në rrugë dhe në kuluare, aty ku nuk është vendi i akademikëve, s’është vendi i profesorëve, s’është vendi i ministrave, dhe nuk është vendi i atyre që punojnë për interes dhe për të mirën e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se ky është një gjest i papranueshëm, dhe i cili duhet domosdoshmërish të dënohet dhe të mos pranohet si sjellje në shoqëri dhe në institucionet e Kosovës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors