Kryeministri Isa Mustafa mbajti konferencë për medie ku prezantoi realizimin e prioriteteve të Qeverisë në fushën e ekonomisë


Image

Prishtinë, 24 korrik 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka mbajtur të premten një konferencë për medie, ku ka prezantuar realizimin e prioriteteve të Qeverisë së Kosovë në fushën e ekonomisë, veçmas në fushën e politikave fiskale dhe rezultateve që priten nga këto politika.

Kryeministri Isa Mustafa në fillim të konferencës po ashtu ka theksuar se në ditët në vijim, opinioni publik dhe mediat do të informohen edhe për çështjet e tjera të rëndësishme aktuale.

Fjala hyrëse e kryeministrit Isa Mustafa në konferencë.

Ne si Qeveri jemi angazhuar në mënyrë përmbajtjesore që të realizojmë programin tonë qeverisës gjatë kësaj periudhe kohore, veçmas i kemi dhënë prioritet ndryshimit të politikave fiskale dhe pakos së re fiskale, faljes së borxheve, investimeve strategjike dhe krijimit të kushteve për investime strategjike dhe ndërtimit të fondeve mbështetëse për zhvillim ekonomik.

Kemi aprovuar një pako të re fiskale e cila nxit bizneset dhe poashtu balancon kapacitetin e konsumit familjar.

Përshkallëzimi me Ligjin e TVSH-së ofron normë të zvogëluar prej 8% për një numër të konsiderueshëm të mallrave dhe shërbimeve që konsiderohen si bazike për konsumin e qytetarëve. Poashtu, ulja e TVSH-së në mënyrë direkte do të ndikoj në uljen e çmimeve të produkteve, dhe poashtu do të ndikoj edhe çmimet e energjisë elektrike të cilat do t’i paguajnë qytetarët tanë, që janë më të ulëta për pjesën e TVSH-së se sa që kanë qenë më parë.

Për të stimuluar sektorët prodhues, të gjitha makineritë që do të përdoren në procesin e prodhimit në pajisjet teknologjike dhe Teknologjinë Informative si dhe në lëndët e para, do të kemi lirime nga TVSH-ja.

Këtë e kemi bërë me qëllim që të nxisim sektorin privat të prodhimit, dhe poashtu të ngrisim pajisjen teknologjike të ekonomisë.

Kemi bërë ndryshime edhe në Ligjin për Tatimin e të Ardhurave Personale dhe në Tatimin mbi të Ardhurat e Korporatave.

Ligji mbi Faljen e Borxheve i aprovuar seancën e fundit të Kuvendit, konsiderojmë se është një ligj i cili është në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bizneseve dhe i cili krijon një momentum të ri, dhe një atmosferë dhe klimë të re, sa i përket ngritjes së disiplinës financiare të personave fizik , përkatësisht qytetarëve tanë, në përmbushjen e obligimeve ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ndaj kompanive publike.

Ne e kemi bërë rishikimin e Buxhetit në këtë vit, e kemi finalizuar atë dhe ky rishikim është aprovuar nga  Kuvendi i Republikës së Kosovës. Buxheti tani është në një vlerë prej 1 miliardë e 535 milionë euro. Kemi ulur parashikimin për Buxhetin prej 52 milionë euro, si parashikim që është vlerësuar se është real edhe nga ekspertët tanë edhe nga ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Krahasuar me vitin e kaluar, ne kemi të hyra më të larta prej 14%.

Me anë të rishikimit si dhe me programin e FMN-së, ne kemi bërë një kursim prej 49 milionë eurosh. Ky kursim ka të bëjë veçmas me shpenzimet rrjedhëse, përkatësisht shpenzimet korrente,  mirëpo përkundër këtij kursimi, ne do të arrijmë që të përmbushim të gjitha detyrimet tona sa i përket investimeve kapitale, do të paguajmë me rregull pagat deri në fund të vitit, me përvojën e punës të cilën ne kemi filluar ta paguajmë, do të paguajmë të gjitha subvencionet për kategoritë e veçanta sociale dhe ato shoqërore, do të kemi furnizim të rregullt me barna dhe material tjetër, si dhe me material shpenzues për institucionet  e Republikës së Kosovës.

Raporti 6 mujor financiar, i aprovuar këtë javë në Qeveri, tregon poashtu për një progres të dukshëm për sa i përket realizimit të buxhetit si në të hyra ashtu edhe në shpenzime. Sa i përket shpenzimeve, mund të them se kemi arritur që të ulim shpenzimet për 3 për qind, që kanë të bëjnë kryesisht me shërbimet dhe efektet e uljes së këtyre shpenzimeve arrijnë në 3 milionë eurove gjatë vitit. Është fjala për uljen e shpenzimeve të telefonisë, shpenzimeve për derivate, shpenzimeve për udhëtime, shpenzimeve për blerje të mobileve dhe shpenzime të tjera.

Kemi përgatitur poashtu përmes Ministrisë së Financave edhe Strategjinë e Kontrollit të Brendshëm Financiar që synon që për 4-5 vitet e ardhshme të përmirësoj sistemin e menaxhimit financiar dhe të kontrollit me qëllim të mbrojtjes së burimeve publike, përkatësisht parasë publike, që është në harmoni me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe poashtu në harmoni me kërkesat e donatorëve të jashtëm financiar.

Qeveria në mbledhjen e fundit poashtu ka bërë ndryshimin e akcizave, dhe me këto ndryshime ne do të kemi efekte pozitive sa i përket buxhetit, sa i përket mirëqenies sociale, dhe sa i përket aktiviteteve ekonomike, mirëpo nuk do të kemi asnjë efekt negativ, përpos ata të cilët merren me lojëra të fatit, me kazino dhe me fishekzjarre, do të paguajnë më shumë se sa që kanë paguar deri më tani.

Institucionet e Republikës së Kosovës kanë përfunduar negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe është arritur Marrëveshja. Ne këtë Marrëveshje e konsiderojmë se është shumë pozitive për Kosovën, sepse me këtë Marrëveshje ne arrijmë që të bëjmë ndryshimin e Rregullës Fiskale, e cila lejon që Qeveria për investime publike për projekte kapitale, të rrit financimin e saj përmes agjencive të ndryshme financuese, përkatësisht përmes shfrytëzimit të burimeve të jashtme, dhe poashtu përmes kësaj Marrëveshje përmirësohet dhe ruhet stabiliteti fiskal dhe stabiliteti financiar, duke ngritur nivelin e rezervës fiskale dhe duke e përmirësuar strukturën e Buxhetit. Pra, është modifikuar Rregulla Fiskale, tani jemi në fazën që po e përgatisim Ligjin për Pagat, dhe këtë Ligj për Pagat do ta procedojmë para muajit shtator në Kuvend, me të cilin do të unifikojmë tërë sistemin e pagave në institucionet e Republikës së Kosovës, dhe në fund të vitit do të fillojmë me aplikimin e prokurimit elektronik, që është poashtu një prej objektivave tona shumë të rëndësishme.

Tani jemi në një fazë të marrëveshjeve me institucionet financiare ndërkombëtare për kredi për financimin e projekteve të ndryshme investive. Kemi arrit marrëveshje me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim sa i përket financimit të hekurudhës, kemi dhënë garancionet e Qeverisë lidhur me blerjen e autobusëve të Trafikut Urban për Prishtinën, dhe poashtu jemi në marrëveshje me këtë bankë për programet zhvillimore që kanë të bëjnë me efiçiencën e energjisë, që kanë të bëjnë me ujësjellësin dhe që kanë të bëjnë me kanalizimin në zonat rurale.

Tani në Qeveri kemi aprovuar Planin Inicial për krijimin e Agjencisë së të Hyrave, me cilin plan ne planifikojmë që të bashkojmë drejtorinë e të hyrave dhe drejtorinë e doganave në një drejtori të përbashkët, me të cilën ne do të racionalizojmë sa i përket organizimit të administratës së këtyre dy drejtorive të deritanishme, sa i përket mbulimit të terrenit, dhe sa i përket ngritjes së mëtutjeshme të disiplinës në grumbullimin e parasë publike dhe të efiçiencës së parasë publike.

Po punojmë edhe në projekte të tjera për të cilat unë më gjerësisht do t’iu informojë së bashku me ministrat përkatës. Po punojmë në Ligjin për Investime Strategjike, që ka për qëllim që të krijomë kushte për tërheqjen e investimeve të jashtme dhe për thjeshtëzimin e procedurave të tërheqjes së këtyre investimeve.

Po punojmë për Ligjin mbi fondin e garantimit të kredive, në mënyrë që sa më shpejtë të përmbyllet edhe kjo, dhe poashtu po punojmë edhe në projektin e “Kosovës së Re”, në mënyrë që të sigurojmë energji elektrike në mënyrë perspektive për Kosovën.

Jemi poashtu edhe në negociata në mënyrë që të shohim mundësitë edhe të zhvillimit të projekteve tjera, edhe për “Kosovën A”, pastaj në projektet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor 6 që përfshijnë hekurudhën, transmisionin 400 kilovoltësh, rrugën Prishtinë-Shkup dhe Autostradën për në Merdar, dhe në projektet tjera, për të cilat do të shfrytëzojmë rastin, edhe ato që kanë të bëjnë me bujqësi, që t’iu informojmë së bashku me ministrat e ministrive përkatëse.

Faleminderit.

 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors