Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim drejtoreshën e Zyrës rajonale të UNICEF-it, Marie Pierre Poirier.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e informoi për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për përkujdesje dhe avancim të pozitës së fëmijëve në shoqërinë kosovare, duke e falënderuar dhe shprehur angazhimin për bashkëpunim me UNICEF-in, në realizmin e prioriteteve dhe objektivave, në këtë drejtim.
Më pas, kryeministri Isa Mustafa mori pjesë në takimin e Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, i cili u zhvillua me rastin e shënimit të 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Fjala e kryeministrit Isa Mustafa në këtë takim.
E nderuar përfaqësuese e UNICEF-it, znj. Marie Pierre Poirier,
Të nderuar ministra, zëvendësministra dhe të pranishëm të tjerë që jeni të pranishëm këtu sot.
Kam kënaqësinë që sot të takohemi bashkërisht me ju, në ditën e 1 Qershorit, që është Ditë Ndërkombëtare e Fëmijëve, në një takim që e kemi ne sot këtu me Komitetin Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve.
Unë jam i bindur se të gjithë fëmijët sot, të moshave të ndryshme, kërkojnë vëmendjen e të gjithë neve, vëmendjen e prindërve, vëmendjen e Qeverisë dhe të shoqërisë civile. Prandaj, konsideroj se kjo ditë nuk është vetëm ditë festive e fëmijëve, është një ditë e sensibilizimit tonë dhe përkujdesit që kemi për fëmijë, për t’i thënë dhunës Jo dhe për t’i thënë Jo abuzimit të fëmijëve, por është ditë ku të gjithë ne duhet ta ngrisim zërin për të drejtat e fëmijëve.
Sot, poashtu jam i bindur se fëmijët e tërheqin vëmendjen tonë jo me dhunë, jo me britma dhe me gurë në rrugë, ata tërheqin këtë vëmendje prindërore me kërcime, me aktrime dhe tregojnë se sa janë të rëndësishëm për të gjithë ne, si fëmijë tanë, si nipër tanë, si ardhmëri e këtij vendi.
Unë mund të them se edhe ne si shoqëri kemi pasur dhe kemi probleme në përpjekjet tona për të rritur standardet sa i përket përkujdesjes për fëmijë, mirëpo poashtu kemi bërë përpjekje që të aplikojmë standarde dhe norma evropiane, të bashkëpunojmë me institucionet ndërkombëtare të cilat kanë qenë në Kosovë dhe po vazhdojmë të bashkëpunojmë në mënyrë që të krijojmë standarde të barabarta me ato ndërkombëtare.
Kemi bërë edhe përparime të caktuara. Këtë vit e kemi edhe në programin legjislativ, hartimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe gjatë këtij hartimi dëshirojmë që të bashkëpunojmë me UNICEF-in, të bashkëpunojmë me shoqërinë civile, të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet të cilat kanë për preokupim pozitën e fëmijëve në shoqërinë civile, por po bashkëpunojmë edhe me vetë fëmijët sepse ata më së miri e dinë se çfarë atyre ju mungon dhe çfarë ata kanë nevojë.
Qeveria poashtu e ka vënë në prioritet hartimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për të Drejtat e Fëmijëve për pesë vitet e ardhshme. Unë u takova me drejtoreshën dhe me bashkëpunëtorët e saj, përkatësisht me përfaqësuesit e UNICEF-it në Kosovë, dhe e diskutuam këtë. Unë i falënderoj për interesimin e tyre që ata të bashkëpunojnë me neve, në mënyrë që të gjithë objektivat tona t’i bëjmë të adaptueshme dhe të aplikueshme në kushtet reale me të cilat ne jemi këtu. Prandaj, ne do të bashkëpunojmë në fazën e hartimit të Strategjisë në mënyrë që objektivat të jenë objektiva që mund të realizohen dhe që janë në shërbim të fëmijëve.
Do të angazhohen poashtu të gjitha ministritë dhe sektorët përkatës përfshirë Zyrë për Qeverisje të Mirë të Qeverisë, të punojmë dhe të kemi një ekspertizë e cila është funksionale, së bashku edhe me subjektet tjera, me shoqërinë civile por në asnjë rast duke mos anashkaluar fëmijët.
Ne jemi të gjithë të obliguar të sigurojmë kujdes më të mirë shëndetësor për fëmijë, të sigurojmë arsim cilësor, të sigurojmë që të gjithë fëmijët të jenë të përfshirë në procesin e shkollimit dhe të përmirësojmë dhe të ngrisim shkathtësitë e tyre mësimore, të kemi një edukim i cili promovon paqe, promovon respekt dhe promovon kujdes ndaj ambientit për çfarë ka rëndësi themelore sepse ai është ambienti i cili duhet t’i përgjigjet moshave të reja. Por, poashtu mendoj se është një ditë që edhe ne në Kosovë sot këtu të ngremë zërin tonë kundër dhunës, kundër abuzimit dhe diskriminimit të fëmijëve, kudo qoftë ky abuzim apo diskriminim, sepse fëmijët sot po shfrytëzohen në konflikte të armatosura, ata sot mund të gjinden në rrugë, por edhe të shtypur për shkak se iu takojnë religjioneve të ndryshme, grupeve të ndryshme minoritare, janë me aftësi të kufizuara apo në pamundësi që ata të luftojnë për të drejtat e tyre.
Jam poashtu koshient se edhe në Kosovë kemi problemet tona që lindin qoftë për shkak të pasojave të luftës, qoftë për shkak të ngecjes së zhvillimit ekonomik dhe varfërisë së lartë. Kemi fëmijë të cilët nuk arrijnë t’i realizojnë të drejtat e tyre në çerdhe të fëmijëve, fëmijë që për shkak të rrethanave të luftës kanë mbetur pa prindër, fëmijë që në moshë të re apo në moshë të vogël kryejnë punë në rrugë dhe punojnë si të mitur për të siguruar të ardhurat për familje, fëmijë të cilët gjenden jashtë bankave shkollore dhe rrezikojnë të mbeten analfabetë, dhe këtu veçmas duhet të kemi kujdes me komunitetet minoritare dhe fëmijët e tyre, fëmijë të cilët nuk arsimohen mirë dhe u privohet e drejta që të jenë të barabartë në pikëpamje të dijes si bashkëmoshatarët e tyre në vendet evropiane, fëmijë që nuk e sigurojnë barazinë e tyre për shkak se janë me aftësi të kufizuara dhe të gjitha këto janë sinjale që ne kemi shumë punë të bëjmë për fëmijët tanë dhe se Qeveria me prioritet duhet të ushtrojë këtë dhe vetë fakti që ne në programin qeveritar i kemi dhënë rëndësi të madhe arsimit dhe shëndetësisë, ne kemi përfshirje shumë të madhe të fëmijëve për përcaktimin tonë të prioriteteve.
Ne do të punojmë bashkërisht me juve do të mundohemi që të bashkërendisim një program dhe një strategji e cila do të jetë në të mirë të fëmijëve tanë dhe që të sigurojmë dhe të garantojmë që ata të mos jenë të rrezikuar por të jenë të avancuar në zhvillimin e tyre.
Ju faleminderit!
