Prishtinë, 7 prill 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e shënimit të shtatë vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjeni të plotë fjalën e kryeministrit Mustafa:
E nderuar presidente e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga,
I nderuar ministër i Drejtësisë, prof. Hajredin Kuçi,
Të nderuar përfaqësues të gjyqësisë dhe të prokurorisë së Kosovës, që jeni këtu së bashku me ne,
Ministra, përfaqësues të pushtetit lokal,
Ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë,
Të nderuar pjesëmarrës,
Liria, Pavarësia dhe Demokracia ishin fjalët që më së shpeshti u përsëriten në vitet e fundshekullit të kaluar që e lamë pas. Të gjitha këto u kurorëzuan me vepër madhore vetflijuese të shumë brezave e gjeneratave, njerëzve të ditur dhe trimave të këtij vendi.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e shpallur shtatë vite më parë si akti më i lartë juridik që kurorëzoi pavarësinë tonë. Por, edhe si akt politik i cili flet për përgjegjësinë tonë për ta ndërtuar një vend të lirë, demokratik, të zhvilluar dhe të integruar në Bashkimin Evropian. Është poashtu përkushtimi ynë për politika të miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me të gjithë ata që e ndihmuan lirinë dhe pavarësinë tonë.
Ne, do të dëshironim që sot së bashku me ne këtu të ishin edhe njerëzit tanë, që u flijuan për këtë vepër të madhe, për ditën e madhe të shpalljes së Kushtetutës. Sepse një vepër e madhe, e këtillë siç është shpallja e Kushtetutës nuk lind dhe nuk krijohet për një ditë dhe në një ditë, as për një vit, por është një sublimim i heroizmit dhe mosnënshtrimit që tregoi populli ynë për vite dhe shekuj.
Prandaj, le të jetë ky një rast që të tregojmë respektin tonë për të gjithë ata njerëz, të tregojmë poashtu respektin tonë për kuvendarët tanë që shpallën Kushtetutën dhe për miqtë tanë që e përkrahën këtë akt. Të kujtojmë poashtu edhe delegatët e Kuvendit të Kaçanikut, të cilët e bënë punën e tyre të shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut në kushte dhe rrethana krejtësisht tjera.
Prandaj, kur kthehemi në retrospektivë por edhe kur shikojmë kah ardhmëria mund të jemi të sigurt se kemi forcën e trashëguar dhe poashtu, kemi përgjegjësinë e pranuar për të drejtuar një shtet që ofron perspektivë për qytetarët tanë. Një shtet pa korrupsion, të zhvilluar ekonomikisht, me marrëdhënie të ndërtuara demokratike. Një shoqëri në të cilën qytetari është në qendër të vëmendjes. Sepse, Kosova është vend i të gjithë qytetarëve, i atyre që janë në pozitë dhe i atyre që janë në opozitë, i atyre që punojnë por edhe i atyre që nuk punojnë, prandaj, sot ne të gjithëve na nevojitet një mirëkuptim dhe bashkëpunim për të gjetur rrugën më të mirë për të ardhmen tonë.
Sot, të gjithë ne jemi në rrugë për të realizuar synimet tona. Kemi një program qeverisës që ofron mundësi të mira për reforma thelbësore në ekonomi, në sistemin e drejtësisë dhe në administratën publike. Do të përkrahim sektorin privat të bizneseve dhe do të hapim perspektivën për punësim të të rinjve.
Do ta ushtrojmë sovranitetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës, por poashtu, do të shfrytëzojmë këtë sovranitet për t’iu krijuar qytetarëve tanë jetë më të mirë dhe më të begatshme, të gjithë atyre, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare, gjinore ose ndonjë përkatësi tjetër.
Duke shpresuar për një të ardhme të sigurt më të mirë, shfrytëzoj edhe këtë rast të shprehë zotimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës që unë e drejtoj se do të punojmë pa kursyer asgjë, që ta ndërtojmë Kosovën tonë si një vend të lirë, demokratik dhe paqedashës, të qytetarëve të barabartë me një të ardhme euroatlantike.
Ju uroj të gjithë juve Ditën e Kushtetutës! Le të jetë gjithmonë kjo ditë si rikujtim i përkushtimit tonë për vlera evropiane.
Faleminderit!
