Prishtinë, 18 mars 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa mori pjesë në
ceremoninë e ndërrimit të komandës së FSK-së, që u zhvillua në Kazermën
“Adem Jashari” në Prishtinë.
Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa:
E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, znj Atifete Jahjaga,
I nderuari ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, z. Demolli,
I nderuari komandant i FSK-së, Gjeneral Kadri Kastrati,
I nderuari Gjeneral Rrahman Rama,
I nderuari komandant i KFOR-it,
E nderuara ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
Dhe përfaqësues të tjerë diplomatik që merrni pjesë në këtë solemnitet,
Të nderuar ju pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Ceremonia e sotme e ndërrimit të komandës së Forcës së Sigurisë së Kosovës, është një akt solemn dhe një tregues i vazhdimësisë së zhvillimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës drejt themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.
Është ky një institucion tepër i rëndësishëm dhe i respektuar i Republikës së Kosovës. Një vend që ka një forcë të tillë, mirë të organizuar, drejt të orientuar, dhe në shërbim të qytetarëve, të humanitetit dhe të paqes, është një vend i nderuar dhe i lumtur.
Kosova është krenare me FSK-në dhe pjesëtarët e saj. Krenohet poashtu me punën shumë të përkushtuar dhe të vyeshme të gjeneralit Kadri Kastrati, i cili tregoi vetëmohim në shërbim të shtetit të Kosovës.
Si Kryeministër i vendit, e falënderoj gjeneral Kastratin për punën dhe kontributin e tij të çmueshëm dhe të vyeshëm, dhe shumë të rëndësishëm për ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Forca e Sigurisë së Kosovës është bërë një faktor i rëndësishëm i sigurisë, i paqes, dhe i aksioneve humanitare, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vendet tjera.
Është një forcë e organizuar mirë, e ushtruar dhe e gatshme për t’i shërbyer vendit, paqes në botë, luftës kundër terrorizmit dhe të gjitha ekstremizmave të cilat e cenojnë paqen dhe stabilitetin.
Në këtë Forcë kanë gjetur vend të merituar komunitetet që jetojnë në Kosovë, por gëzon fakti edhe i pjesëmarrjes së madhe të grave.
Shfrytëzoj rastin që të falënderoj të gjitha vendet dhe të gjitha organizatat, të cilat kanë ndihmuar në transformimin dhe zhvillimin e FSK-së, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.
Shpreh konsideratën time dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për një punë shumë të vlefshme dhe kontributdhënëse të KFOR-it në Kosovë, si dhe për bashkëpunimin e tij të ngushtë me FSK-në.
E vlerësoj rëndësinë dhe prezencën e KFOR-it për stabilitetin e brendshëm, dhe garancinë për sigurimin e integritetit tonë territorial.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të përmbush të gjitha detyrat që lidhen me procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës, në mënyrë që ato të jenë në nivel të standardeve të NATO-s, dhe që ky proces të zhvillohet në koordinim të ngushtë me partnerët tanë strategjik, dhe në transparencë maksimale me NATO-n.
Republika e Kosovës dëshiron të institucionalizoj marrëdhëniet politike me NATO-n, përmes FSK-së, përkatësisht Forcave të Armatosura të Kosovës, dhe të merr përgjegjësinë e saj në misionet humanitare dhe paqeruajtëse.
Ne kemi besim të plotë se Gjeneral Major Rrahman Rama, në bashkëpunim dhe bashkërenditje të plotë me Ministrinë e Forcës së Sigurisë, do të vazhdoj me sukses rrugën e zhvillimit dhe rrugën e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.
Prandaj, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i uroj Gjeneral Ramës dhe të gjithë juve suksese në të ardhmen.
