Kryeministri Isa Mustafa mori pjesë në takimin e radhës në kuadër të “Dialogut për politika ekonomike”, organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 4 mars 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin me përfaqësuesit e bizneseve, me temën “Dialogu për Politika Ekonomike”, organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare.

Gjeni të plotë fjalën e kryeministrit Mustafa në këtë takim:

I nderuar kryetar i Odës,

Të nderuar biznesmenë,

Anëtarë të Odës Gjermano-Kosovare,

E nderuara ambasadore Angelika Viets,

I nderuar zëvendës ambasador,

Të nderuar deputetë,

I nderuar kryetar i Komisionit për Zhvillim, z. Muhamet Mustafa,

Të gjithë ju që jeni sot këtu së bashku me ne,

Për mua është një kënaqësi e veçantë që kam rastin të diskutoj me ju lidhur me orientimet tona në zhvillimin ekonomik të përmbajtura dhe të përfshira në Programin Qeverisës, që e kemi aprovuar në Qeveri para një jave,  sepse Programi nuk mund të realizohet në qoftë se ne nuk  e kemi përkrahjen dhe në qoftë se ne nuk i bashkërendisim politikat e përbashkëta sidomos me bizneset, por edhe me të gjitha institucionet, por, edhe në qoftë se nuk e kemi përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar dhe përkrahjen ekonomike të ekonomive të zhvilluara të vendeve perëndimore, kah ne dëshirojmë të orientojmë ekonominë tonë.

Ekonomia jonë duhet të orientohet kah perëndimi. Ne duhet t’i marrim përvojat më të mira gjermane dhe përvojat më të mira të shteteve të tjera evropiane. Duhet të ndërtojmë një sistem ekonomik, i cili është i qëndrueshëm. Duhet të ndërtojmë bizneset, të cilat do të jenë konkurruese në treg dhe duhet të ndërtojmë një strukturë konkurruese të ekonomisë e cila mund të ballafaqohet edhe me tregun rajonal, me tregun evropian dhe me tregun botëror.

Ne kemi dëshirë t’i këmbejmë mendimet me ju dhe objektivë e dialogut tonë me bizneset është që ne të zhvillojmë një dialog të hapur, të shohim se çfarë funksionon tani në sistemin tonë ekonomik dhe çfarë duhet të ndryshojmë, në mënyrë që ne ta përshtatim ambientin ekonomik karshi kërkesave të bizneseve dhe karshi nevojave që ne të kemi një zhvillim më të shpejtë ekonomik, i cili siguron normë më të lartë të punësimit, i cili siguron ulje të varfërisë dhe i cili siguron pjesëmarrjen tonë në ekonominë regjionale dhe në ekonominë evropiane.

Ky është objektiv yni që duhet ta arrijmë së bashku dhe po ashtu duhet t’i adresojmë konkretisht vërejtjet, propozimet dhe përvojat tuaja, në mënyrë që të shohim se çfarë duhet të ndryshojmë nga legjislacioni i tanishëm, që rregullon sidomos ekonominë. Çfarë reforma fiskale ne do të bëjmë, në mënyrë që ato të jenë më të përshtatshme për ekonominë, por në mënyrë prapë që sigurojnë stabilitet buxhetor dhe që sigurojnë të ardhura, në mënyrë që të përmbushim detyrimet tona, të cilat i kemi ndaj shumë fushave në shoqëri, dhe po ashtu të shohim se cilat janë normat më të qëndrueshme, edhe normat tatimore edhe normat e taksave dhe tarifave të ndryshme, të cilat ne mund t’i përballojmë, por të cilat mundësojnë zhvillim ekonomik dhe qëndrueshmëri të ardhshme buxhetore.

Javën e kaluar ne kemi zhvilluar një debat me shumë biznese dhe sot po e vazhdojmë këtë debat me ju. Kemi thënë se një ndër synimet tona themelore, është që ne të sigurojmë politika të favorshme fiskale, të cilat në thelb duhet t’iu ndihmojnë bizneseve, mirëpo të cilat po ashtu edhe e ruajnë stabilitetin tonë buxhetor në të ardhmen.

Kemi për orientim që të aplikojmë lirime të caktuara doganore, sidomos për importimin e makinerisë dhe pajisjeve të ndryshme, që janë të drejtuara në zhvillimin e bizneseve. Jemi të interesuar që të zhvillojmë politika tregtare konkurruese, në mënyrë që tregu të jetë i barabartë dhe kushtet e tregut të jenë të barabarta për të gjitha bizneset pa marrë parasysh se a janë biznese të vogla, të mesme apo të mëdha dhe që asnjëri të mos stimulohet në mënyrë të veçantë apo të mos trajtohet në mënyrë të veçantë sidomos nga sektori publik, dhe këto politika konkurruese do të jenë po ashtu të barabarta ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, duke anuluar çdo mundësi të monopolit ose të veprimeve tjera, të cilat janë të dëmshme për konkurrencën në treg.

Do të punojmë shumë në transformimin e ekonomisë informale në ekonomi formale, në të gjithë sektorët, edhe në sektorin e tatimeve, edhe në sektorin e taksave, edhe në sektorin e punësimit, por po ashtu edhe në sektorin e marrëdhënieve tregtare me vendet fqinje, sepse një pjesë e informalitetit po na importohet përmes bashkëpunimit ekonomik me vendet fqinje.

Do të punojmë përmes ministrive të caktuara në mënyrë që të tejkalojmë të gjitha barrierat ligjore, në mënyrë që ligjet të mos jenë problem për zhvillimin ekonomik, burokracia të mos jetë problem i zhvillimit ekonomik, deri tek tendencat që ne të bëjmë edhe derregullimin në disa pjesë të ekonomisë, në mënyrë që kornizat të cilat janë bërë dhe të cilat janë shumë të ngurta, të mos jenë pengesa të zhvillimit të biznesit tek ne.

Por kjo assesi nuk nënkupton që ne nuk do të zbatojmë normat, nuk do të zbatojmë ligjin, dhe nuk do të zhvillojmë ekonomi e cila do të bazohet në formë legale.

Jemi të interesuar shumë që të zhvillojmë mekanizmat të cilat mbështesin bizneset e vogla dhe të mesme, dhe veçmas bizneset e të rinjve dhe të grave.

Sot në mbledhjen e Qeverisë e kemi themeluar një grup profesional, i cili do të punoj në themelimin e Fondit për Zhvillim, përkatësisht Fondit për Punësim, dhe ne do ta kemi kornizën e themelimit të këtij Fondi së shpejti, të cilin do ta diskutojmë me ju së bashku, me përfaqësuesit e bizneseve, me odat dhe me bizneset e veçanta dhe të shohim se cilat janë format më të mira të organizimit të këtij Fondi Zhvillimor, edhe në aspektin e qeverisjes së tij, edhe në aspektin e burimeve të financimit të cilat do t’i shfrytëzoj ky Fond, edhe në aspektin e përdorimit të këtij Fondi për fusha të caktuara, sidomos për bizneset e vogla në fazën themeluese të tyre, për garantimin e kredive të bisneseve, sepse i gjithë qëllimi është që ne ta lehtësojmë themelimin e bizneseve dhe ta lehtësojmë fazën fillestare të nisjes së punës së biznesit.

Do t’i lirojmë qytetarët, kompanitë dhe subjektet e tjera nga obligimet që i kanë pasur deri më 31 dhjetor 2008, dhe do t’i propozojmë Kuvendit të Republikës së Kosovës që të miratoi  një ligj të veçantë përmes të cilit do të shlyejmë të gjitha obligimet, dhe shlyerja e këtyre obligimeve assesi nuk ka për qëllim që ne t’i amnistojmë ata që nuk kanë përmbushur obligimet e tyre qoftë ndaj buxhetit, qoftë ndaj kompanive publike, por t’i lirojmë bizneset në mënyrë që bizneset të mos të llogarisin më tutje në detyrimet e caktuara, mos të llogarisin më tutje në kërkesa të pa arkëtuara të cilat nuk mund t’i arkëtojnë, dhe poashtu të kemi edhe masa nxitëse për arkëtimin e detyrimeve të cilat janë nga një janari 2009 deri në fund të vitit 2014.

Dhe me këtë mendojmë se do të arrijmë që t’i pastrojmë të gjitha llogaritë ndërmjet bizneseve, qytetarëve dhe ndërmjet sektorit publik, dhe do të jetë një arritur e madhe të cilën ne mund ta bëjmë.

Jemi të orientuar që të rregullojmë edhe sektorin e energjisë, në mënyrë që të sigurojmë energji të mjaftueshme për ekonominë dhe për qytetarët. Do të punojmë në investimet në “Kosovën C”, është tani duke punuar. Do të bashkëpunojmë dhe do të vazhdojmë bashkëpunimin me partnerët gjermanë edhe sa i përket përgatitjes së investimeve edhe në termocentralet ekzistuese, natyrisht gjithmonë duke gjetur përfitueshmërinë e investimeve të tilla.

Ne besojmë shumë se orientimi ynë në teknologji të lartë, edhe gjermane edhe të vendeve tjera perëndimore, është një orientim i drejt, që mundëson një zhvillim stabil të vendit.

I kemi kushtuar bujqësisë një kujdes të veçantë, të cilin kryesisht e kemi orientuar përmes dy formave të mbështetjes, përmes subvencioneve që drejtohen tek prodhuesit, në mënyrë që ata t’i stimulojmë dhe t’i nxisim për prodhimtari bujqësore , dhe grantet e ndryshme të cilat krijojnë kushte për prodhimtari bujqësore.

I gjithë ky qëllim është që ne të nxisim këtë sektor i cili është më i lehtë për punësim më të madh, i cili siguron prodhimtari vendore me të cilin ne do ta zëvendësojmë importin e produkteve ushqimore dhe do të ndryshojmë strukturën në tregtinë e marrëdhënieve tregtare me jashtë.

Poashtu përmes saj do të rrisin GDP-në e përgjithshme dhe për kokë banori, për zbritjen e pjesës së importeve të cilat ne i bëjmë dhe për të cilat nuk kemi nevojë që t’i bëjmë, sepse mund ta zëvendësojmë me prodhimtari të brendshme.

Jemi në një fazë në të cilën po bashkëpunojmë me vendet në rajon. Ky bashkëpunim ka filluar vitin e kaluar në takimin në Berlin, që është mbajtur me mbështetjen e kancelares Merkel, dhe sivjet do ta vazhdojmë në Vjenë.

Është fjala për bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit, në fushën e energjetikës dhe në fushën e infrastrukturës, dhe ne do të ofrojmë projekte konkrete që ndërlidhen interesat me vendet fqinje tek infrastruktura, tek energjetika, dhe po ashtu mund ta zgjerojmë edhe në fusha të tjera të cilat ne konsiderojmë se kemi interes të përbashkët.

Do të ishte i mirëseardhur për ne çdo propozim, sugjerim, mbështetje se cilat janë ato projekte që lidhen me ekonomitë tona, që sigurojnë bashkëpunim më të mirë ekonomik, sigurojnë shkëmbime të suksesshme ekonomike, dhe sigurojnë mundësinë që bashkërisht të dalim në tregun evropian dhe botëror, së bashku me fqinjët tanë.

Për neve është me rëndësi që të kemi opinionet, sugjerimet, vërejtjet e juaja, në mënyrë që ta implementojmë Programin tonë Qeverisës, i cili do të bëhet i ditur për publikun këto dy-tri ditë, sepse ka qenë një fazë e ndërhyrjeve teknike, jo cilësore pas aprovimit në Qeveri.

Një debat i tillë është në interes tonin. Ju falënderoj për pjesëmarrje. Ju uroj suksese. Do të bëjmë përpjekje që së bashku me anëtarët e Qeverisë që janë këtu, dhe me pjesëmarrjen  e ambasadores gjermane, natyrisht të komunikojmë me ju dhe të japim përgjigje në interesimet tuaja të veçanta.

Faleminderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors