Prishtinë, 18 shkurt 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur të mërkurën në takim komisionerin e BE-së për Politikat Fqinjësore Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, i cili ka vizituar për herë të parë Kosovën.
Pas takimit, kryeministri Mustafa dhe komisioneri i BE-së Hahn, kanë mbajtur mbledhje të përbashkët me kabinetin qeveritar të Kosovës.
Fjala e kryeministrit Isa Mustafa:
Të nderuar anëtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Sot, në këtë mbledhje merr pjesë komisioneri për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatave për Zgjerim, z. Johannes Hahn, merr pjesë edhe z.Samuel Zhbogar, përfaqësues i BE-së në Kosovë si dhe delegacioni nga Brukseli që është në përcjellje të komisionerit Hahn.
Për neve kjo është një ngjarje e rëndësishme e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe me Brukselin.
Me lejoni të them paraprakisht se qëllimi themelor është që të integrohemi në familjen evropiane dhe që populli i Kosovës ndan fuqishëm vlerat evropiane, dhe përkushtimin e tij drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Ne të gjithë jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare në këtë proces. Prandaj, Qeveria e Republikës se Kosovës është e vendosur që prioritetet e saj t’i orientoj kryesisht në fushat të cilat atë e qojnë dhe e përafrojnë me Bashkimin Evropian.
Qeveria jonë për këto qëllime po punon me përkushtim të madh për forcimin e shtetit të së drejtës, për ta bërë Kosovën një shtet ku do të funksionojë e drejta për çdo individ, pa asnjë dallim, që të orientohemi fuqishëm në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si një nga objektivat themelore të sigurimit të kushteve të funksionimit të shtetit dhe poashtu të sigurimit të kushteve për investime të jashtme të drejtpërdrejta dhe për funksionim të tregut dhe për zhvillim ekonomik.
Zhvillimi ekonomik është prioriteti ynë i madh, ne synojmë të sigurojmë një rritje ekonomike, e cila do të mundësoj hapje të vendeve të reja të punës dhe përballim të fluksit të papunëve dhe atyre që hyjnë çdo vit në tregun e punës. Por, për këtë na nevojitet edhe mbështetje e vendeve të Bashkimit Evropian, sidomos në këtë fazë kur kemi nevojë që të kemi kontrata për punësim sezonal në këto vende, për të përballuar për një periudhë të caktuar këto probleme përderisa, ne përmes investimeve në fusha të ndryshme të zhvillimit dhe përmes nxitjes së sektorit privat të krijojmë kushte të përballimit të fluksit të punës.
Po punojmë poashtu, në reforma thelbësore në sistemin e arsimit dhe në sistemin e shëndetësisë të cilat janë dy shtylla shumë të rëndësishme për ne, që nuk janë vetëm shtylla sociale por edhe shtylla ekonomike sepse përmes tyre ne krijojmë kushte të zhvillimit ekonomik, ulim koston e reinvestimeve për përgatitje të njerëzve për ekonomi dhe poashtu popullatë të shëndetshme e cila përballon nevojat e zhvillimit jo vetëm këtu por edhe të kyçjes në tregun regjional dhe në tregun evropian.
Ne i kemi dhënë rëndësi fondamentale edhe Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Është përmbyll kjo marrëveshje dhe ne presim që Marrëveshja të nënshkruhet sa më shpejt dhe për neve kjo është një proces shumë i rëndësishëm që ne pastaj të krijojmë kushte për marrëdhënien e një kornize kontraktuale me shtetet e Bashkimit Evropian.
Liberalizimi i vizave për ne mbetet një prej prioriteteve të larta. Tani gjendemi në procesin përfundimtar të këtij procesi. Mund të konstatojmë se ne i kemi përmbushur gati në tërësi kushtet nga Udhërrëfyesi i liberalizimit të vizave dhe në javët e ardhshme do të punojmë intensivisht në zbatimin e rekomandimeve të tjera lidhur me këtë, të dala nga raporti korrikut i Komisionit Evropian.
Në përmbushjen e këtyre rekomandimeve ne do t’i dorëzojmë Komisionit Evropian raportin përfundimtar për vlerësimin dhe presim që ai do të vlerësohet dhe do të hapet procesi në të cilin edhe ne do t’i realizojmë të gjitha të drejtat e lëvizjes ashtu siç i kanë edhe qytetarët tjerë të vendeve në regjion dhe të shteteve të Bashkimit Evropian.
Kemi punuar mjaft shumë dhe po punojmë në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Po vazhdojmë me dialogun në zgjidhjen e çështjeve kyçe të cilat do të ndihmojnë që ne t’i relaksojmë marrëdhëniet dhe të bashkëpunojmë në të gjitha fushat.
Marrëveshja e fundit për sistemin e drejtësisë është një marrëveshje që për neve ka një vlerë të veçantë dhe poashtu shpresojmë që edhe marrëveshjet tjera do arrihen me një përkushtim të dyanshëm, mirëpo i cili përkushtim çon në atë që jo vetëm t’i normalizojmë marrëdhëniet por edhe të integrohemi bashkërisht në Bashkimin Evropian, të mos i bëjmë pengesë njëra-tjetrës dhe të kemi në fund edhe pranimin e Kosovës nga shteti i Serbisë.
Ne do të punojmë me përkushtimin më të madh në mënyrë që të krijojmë kushte për jetesë në Kosovë. Jemi koshient edhe lidhur me problemin që kemi të migrimeve të mëdha të qytetarëve të cilat kanë ndodhë veçmas në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti. Jemi koshient për peshën e këtij problemi. Jemi duke ndërmarrë masa përmes të gjitha ministrive që ne të ndalim këtë proces dhe të krijojmë kushte për kthimin e qytetarëve tanë të cilët kanë migruar në shtetet e Bashkimit Evropian. Ne jemi të gatshëm që t’i rikthejmë ata dhe poashtu konsiderojmë që Kosova është një shtet stabil është shtet i sigurt për qytetarët tanë dhe ne marrim përgjegjësi që të sigurojmë kushte të punës dhe kushte të jetesës për ta, në vendin tonë.
Unë ju falënderoj shumë për ardhjen tuaj, z. Hahn!
Fjalën e komisionerit të BE-së për Politikat Fqinjësore Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, mund ta gjeni në linkun:
http://eeas.europa.eu/delegations/kosovo/press_corner/all_news/news/2015/20150218_sq.htm
