Prishtinë, 08 janar 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të vizitave në ministritë e Qeverisë së Kosovës, ka vizituar të enjten Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) si dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB).
Gjatë vizitave, kryeministri Mustafa është takuar me ministrat Arsim Bajrami, Blerand Stavileci dhe Skender Hyseni, nga të cilët është informuar për prioritetet dhe planet e këtyre ministrive.
Në takimin e kryeministrit Mustafa me ministrin e MASHT-it, Arsim Bajrami, është biseduar për gjendjen në arsim, për prioritetet si dhe për sfidat në këtë sektor.
Duke i uruar suksese ministrit Bajrami në këtë detyrë, kryeministri Mustafa ka premtuar mbështetjen e tij në zhvillimin e gjithëmbarshëm të arsimit në Kosovë.
Ministri Bajrami, ka përmendur prioritetet që do të ketë gjatë punës së tij, në arsimin parauniversitar, dhe theks të veçantë i vuri arsimit të lartë dhe shkencës.
Ndërkaq, gjatë vizitës në MZHE, kryeministri Isa Mustafa është njoftuar nga ministri Blerand Stavileci për prioritetet e kësaj ministrie, duke vlerësuar rëndësinë e tyre për zhvillimin ekonomik të vendit.
Mustafa dhe Stavileci po ashtu kanë vlerësuar se fushat që mbulon MZHE-ja përbëjnë sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së vendit, respektivisht gjeneratorët e zhvillimit që parashihen edhe në programin qeveritar.
Kryeministri Isa Mustafa ka vizituar edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku është pritur nga ministri Skender Hyseni.
Ministri Hyseni e informoi kryeministrin Mustafa me prioritetet dhe objektivat strategjike të MPB-së, duke u fokusuar në sundimin e rendit dhe ligjit dhe plotësimin e të gjitha obligimeve nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.
Kryeministri Isa Mustafa ka shprehur përkrahjen e tij për angazhimet e MPB-së në të gjitha aspektet, duke veçuar fushën e sundimit të rendit dhe të ligjit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe në arritjen e objektivave të tjera.
Kryeministri Mustafa dhe ministri Hysen iu zotuan se do të punojnë me përkushtim në përmirësimin e jetës së qytetarëve, në mënyrë që ata të jenë të sigurt në vendin e tyre.
Në fillim të javës, kryeministri Isa Mustafa, ka vizituar Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Komuniteteve dhe Kthimit, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrinë e Diasporës.
