Qeveria e Kosovës miratoi Projektbuxhetin për vitin 2015


Image

Prishtinë, 31.10.2014

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e saj të 203-të në të cilën ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2015.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi e ka prezantuar Projektbuxhetin për vitin 2015. Në vijim po japi të plotë fjalë e kryeministrit:

“Të nderuar ministra,

Më lejoni që sot para jush të prezantoj Draft Buxhetin për vitin 2015. Ashtu sikurse që është e njohur në përputhje me Ligjin për Financat Publike dhe Përgjegjësitë, Ministra e Financave është përgjegjëse për përgatitjen e Draft – buxhetit.

Sot para vetes kemi dokumentin më të rëndësishëm mbi rrjedhat e përgjithshme ekonomike e shoqërore, si edhe për mbarëvajtjen e funksionimit të të gjitha institucioneve të shtetit – Projektbuxhetin për vitin 2015.

Me këtë  po e përfundojmë një cikël të rëndësishëm të punës, ku për muaj të tërë ka qenë e fokusuar Ministria e Financave. Dokumenti është produkt i koordinimit të punëve dhe i harmonizimit të nevojave dhe mundësive me të gjitha agjencionet buxhetore të Republikës së Kosovës.

Procesi i hartimit te buxhetit si një nga dokumentet më të rëndësishme të politikave ekonomike për vitin 2015 është hartuar konform prioriteteve të KASH-it 2015-2017 dhe Deklaratës së Prioriteteve. Në këtë kuadër duke u bazuar në Programin e Punës së Qeverisë si dhe në dokumentet tjera afatmesme, prioritetet e Qeverisë së Kosovës janë përmbledhur në katër shtyllat e mëposhtme:

1.    Rritja dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik;
2.    Qeverisja e mirë dhe politikat e sigurisë dhe mbrojtjes;
3.    Zhvillimi i kapitalit njerëzor;
4.    Rritja e standardit jetësor dhe mirëqenies sociale

Është e rëndësishme të theksohet se të gjitha prioritetet e lartpërmendura do të financohen duke ruajtur plotësisht qëndrueshmërinë makro-fiskale të vendit.

Rritja e vazhdueshme e efikasitetit të shpenzimeve publike, menaxhimi efektiv i resurseve financiare si dhe planifikimi adekuat janë parakushtet esenciale për ngritjen e zhvillimit socio- ekonomik të Kosovës. Draft buxheti, që po prezantohet sot para jush, si  një dokument kapital përfshinë këto elemente në vetvete dhe  për ne jo vetëm se përbën një obligim ligjor, por edhe paraqet përkushtimin tonë drejt avancimit të përhershëm të politikëbërjes si dhe dëshmi për ngritjen e kapaciteteve institucionale për planifikim në baza më afat gjata. Veçori e rëndësishme e Draft-buxhetit është koherenca e politikave qeveritare, koordinimi ndër sektorial si dhe harmonizimi me prioritetet më të rëndësishme të vendit.

Ka disa mënyra përmes së cilave funksionimi i rregullt i procesit të menaxhimit të financave publike ndikon në zhvillimet e përgjithshme ekonomike. Së pari, përmes prioritizmit të politikave, Qeveria synon që me mjete të kufizuara buxhetore të reflektojë dhe adresojë nevojat më të rëndësishme të shoqërisë; së dyti, përmes alokimit të mjaftueshëm të resurseve buxhetore, Qeveria ka për qëllim të ngritë efikasitetin e shërbimeve publike, dhe në këtë mënyrë të ndikojë në përmirësimin  e cilësisë së arsimit, mbështetjes shëndetësore dhe përkrahjes sociale për të gjitha kategoritë e shoqërisë.
•    Ne presim që edhe në vitin 2015 dhe vitet në vijim, ekonomia e Kosovës të vazhdoj me ritmet e saja pozitive të rritjes, ndërsa në kontekstin rajonal, ekonomia jonë pritet të ketë normën më të lartë të rritjes (2015 4.1%; mesatarja për tri vite=4.3%).
•    Për vitin 2015, të hyrat e përgjithshme buxhetore planifikohen të jenë në nivel prej 1 miliard e 576 milion euro, (apo një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014).
•    Totali i shpenzimeve për vitin 2015 planifikohet të jetë 1 miliard e 682 milion ose rreth 6% më shumë se në vitin e kaluar.
•    Me këtë propozim buxhet, ne planifikojmë vazhdimin e implementimit të një sërë projektesh që kanë filluar këtë vit ose vitet e më hershme, dhe njëkohësisht do të fillojmë me implementimin e një sërë projektesh dhe programesh të reja.
•    Në veçanti do përmendja, se me këtë propozim Buxhet, do të vazhdojmë me ndërtimin e Autostradës Prishtinë–Hani i Elezit, ndërtimin e dy rrugëve magjistrale Prishtinë-Mitrovicë dhe Prishtinë-Pejë dhe një numër të rrugëve tjera rajonale. Gjithashtu planifikohet edhe fillimi i investimeve në rrjetin hekurudhor të vendit.
•    Do të vazhdojmë me investimet tona në Bujqësi, ngase vetëm kështu ne do të bëjmë të mundur rritjen e prodhimeve vendore, zëvendësimin e importeve dhe rritjen e eksporteve.
•    Ashtu siç është premtuar, do të fillojmë me implementimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, dhe nga viti i ardhshëm, ne do të kemi skemat e sigurimeve shëndetësore funksionale. Implementimi i këtij projekti pritet që në masë të konsiderueshme të përmirësoj burimin e financimit të shëndetësisë, dhe së bashku me të, edhe përmirësimin e kualitetit të shërbimeve.
•    Do të vazhdojmë me investimet në fushën e arsimit, duke përfshirë këtu edhe ndërtimin e shkollave të reja në mënyrë që të rrisim kualitetin e mësimdhënies dhe rrjedhimisht edhe kualitetin e fuqisë punëtore.
•    Ky draft-Buxhet na bënë të mundur ti mbulojmë gjitha shpenzimet që lidhen me Veteranët e Luftës dhe ish-të Burgosurit Politik, si dy grupe që kanë dhënë shumë për vendin.
•    Me këtë draft-Buxhet, ne po ashtu do të bëjmë të mundur mbulimin e pagesës për pagat e rritura për të gjitha kategoritë e punëtorëve në sektorin publik si dhe pensionet e rritura.

Dëshirojë të theksoj, s ai përket rritje së pagave, ne  kemi premtuar rritjen e pagave në katër vitet e ardhshëm për një qind për qind,  që nënkupton rritjen prej 25 për qind për çdo vit. Rikonfirmojë zotimin tim se që nga fillimi i viti të ardhshëm, me një vendim të veçantë do të ketë rritje të pagave për të gjithë të punësuarit e sektorit publik për njëzet e pesë për qind” ka thënë në fjalën e tij kryeministri Hashim Thaçi.

Në vazhdim, ministri i Financave, Besim Beqaj ka prezantuar strukturën e Projektbuxhetit për vitin 2015. Buxheti 2015 parasheh të hyra totale në shumën 1,576 000 000 euro (një miliard e pesëqind e shtatëdhjetë e gjashtë milion euro) dhe një total të shpenzimeve në shumën prej 1,683 000 000 euro (një miliardë e gjashtëqind e tetëdhjetë e tre milion euro).

Po japim te plotë edhe elaborimin e ministrit Beqaj në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës:

“I nderuar Kryeministër,
Të nderuara zv. Kryeministra,
Të nderuar kolegë Ministra,

Kam kënaqësinë që sot para jush të paraqes  propozimin për aprovimin e Buxhetit për vitin 2015.

Më lejoni të theksoj që konform bazës ligjore në fuqi, hartimi i këtij propozim – Buxhet ka filluar në muajin Maj të këtij viti, me lëshimin e Qarkoreve dhe më pas me dëgjimet buxhetore me të gjitha organizatat buxhetore.

Ministria e Financave është përkushtuar maksimalisht në përmbylljen e suksesshme të këtij procesi të rëndësishëm. Bazuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, ne kemi shqyrtuar me kujdes të gjitha kërkesat e organizatave buxhetore, dhe bazuar në strukturën e financimit për vitin 2015, ju propozojmë këtë draft-buxhet të cilin propozojmë ta miratojmë në këtë mbledhje. 

Struktura e propozuar buxhetore bazohet në projeksionet për performancën e ekonomisë sonë për vitin e ardhshëm dhe vitet në vijim, duke marrë për bazë efektet e mundshme të  krizës në vendet e Eurozonës dhe vendet në rajon.

Të nderuar Ministra,

Përgatitja e këtij propozim-Buxheti nuk do të duhej të shihet si një buxhet i shkëputur vjetor, por më shumë si një buxhet me efekte afat-gjate dhe i  bazuar në Kornizën Makro-fiskale 2015-2017.

Në këtë kontekst, më lejoni që shkurtimisht të flas mbi pritjet tona për rritje ekonomike në vitin e ardhshëm dhe vitet në vijim, të cilat janë reflektuar në detale në Deklaratën e Prioriteteve të Politikave të Qeverisë dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2015-2017,  dokumente këto të cilat në tërësi përfshijnë prioritetet e zotuara nga ana e Qeverisë.

Ne presim që edhe në vitin 2015 dhe vitet në vijim, ekonomia e Kosovës do të vazhdoj me ritmet e saja pozitive të rritjes. Presim që edhe në vitin 2015, norma e rritjes ekonomike të jetë ndër më të lartat në rajon (2015 4.1%; mesatarja për tri vite=4.3%),  duke u bazuar në projeksionet tona për rritje të Konsumit,  Investimeve dhe Eksporteve .

Investimet private, si një komponentë shumë e rëndësishme e rritjes ekonomike pritet që gjatë tri viteve të ardhshme të rriten nominalisht me një normë mesatare prej rreth 8.6% dhe pjesëmarrja e tyre në BPV të ngritët  nga 19% në vitin 2014 në 21% të BPV-së deri në vitin 2017. Një parashikim i tillë jep sinjale për ndryshim në strukturën ekonomike ku sektori privat do të vazhdojë të zgjerojë kontributin në rritjen ekonomike.

Eksportet totale në vitin 2015 pritet të kenë një rritje prej rreth 7% ndërsa vetëm eksportet e mallrave, do të rriten rreth 9%. Kjo normë relativisht e lartë e pritjes për rritje të eksporteve, së bashku me një normë më të ulët të rritjes së importeve (5%) pritet që ta përmirësoj Bilancin negativ tregtar që vazhdon të jetë i lartë dhe që paraqet sfidë për ekonominë e vendit tonë.

Konsumi agregat për vitin 2015 dhe dy vitet në vijim pritet të ketë një rritje mesatare prej rreth 4.0%, ndërsa konsumi privat pritet të rritet me një normë mesatare prej rreth 4.6% në mes të viteve 2015-2017.

Me qenë se ekonomia jonë është mjaft e hapur ndaj lëvizjeve në tregjet regjionale, Evropiane dhe më gjerë, ecuria e çmimeve në vend në masë të madhe do të varet nga ecuria e çmimeve të  mallrave në nivel global. Për periudhën e  ardhshme afatmesme, projeksionet tona që marrin parasysh edhe pritjet për ecurinë e çmimeve të importit, tregojnë se do të kemi një ngritje modeste të çmimeve për rreth 0.5%.

Dërgesat e qytetarëve tonë që punojnë dhe veprojnë në diasporë vazhdojnë të jenë një financues i rëndësishëm i konsumit dhe investimeve dhe presim që edhe në vitet në vijim, niveli i këtyre dërgesave të jetë stabil dhe të përcjellë trendët e rritjes së deritanishme.

Andaj sa i përket pritjeve për zhvillimet ekonomike në vitin e ardhshëm dhe vitet në vijim,  vlerësojmë  që Ekonomia e vendit do të vazhdojë të rezistoj ndaj tronditjeve të jashtme dhe rrjedhimisht, rritja ekonomike do të vazhdoj të jetë pozitive dhe ndër me të lartat në regjion dhe më gjerë.

Tani më lejoni të theksoj disa aspekte nga  propozim buxheti i cili derivon nga Korniza makro-fiskale  e vendit.

Për vitin 2015, të hyrat e përgjithshme buxhetore planifikohen të jenë në nivel prej 1 miliard e 576 milion euro, (apo një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014).

Në kuadër të të hyrave totale, të hyrat nga tatimet e brendshme dhe ato doganore pritet të rriten me rreth 7%, ndërsa vetëm të hyrat e brendshme pritet të rriten me rreth 17%. Kjo reflekton përkushtimin tonë për të fuqizuar në mënyrë të vazhdueshme Administratën Tatimore dhe për të rritur kapacitetet e saj në mënyrë që të fillohet gradualisht me një zhvendosje më domethënëse të mbledhjes së të hyrave nga kufiri në brendi të vendit. Në të njëjtën kohë kjo rritje pritet të jetë edhe si rrjedhojë e masave shtesë që pritet të ndërmerren me qëllim të ngushtimit të hendekut tatimor si rezultat i implementimit të Strategjisë për luftimin e ekonomisë joformale, pastrimit të parave, financimit të terrorizimit dhe krimeve të tjera financiare. Ndërsa rritja në vitin 2015 vjen edhe si rezultat i të hyrave të njëhershme (AKP dhe TKPK), përkatësisht 37 milion Euro. Rritjes së të hyrave vendore, e cila përfshin kryesisht të hyrat nga tatimet direkt (në të ardhura personale, korporatave dhe ato nga të ardhurat në pasuri) si dhe një pjesë të tatimeve indirekte (TVSH-së), do t’i kontribuoj edhe rritja e projektuar e konsumit dhe investimeve për periudhën në vrojtim.

Rritje planifikohet të ketë edhe tek të hyrat tjera buxhetore, duke përfshirë të hyrat jo-tatimore (2.1%) dhe të hyrat vetanake të Komunave (10%), ndërsa është planifikuar një rënie në të hyrat vetanake të nivelit qendror që reflekton uljen e pagesës së studimeve për studentë të UP-së. Rrjedhimisht duke marrë parasysh këtë nivel të të hyrave, ne kemi bërë propozimin e buxhetit për shpenzimet të cilat do të realizohen në vitin e ardhshëm.

Shpenzimet e përgjithshme për vitin 2015 pritet të jenë në nivelin prej 1 miliardë e 682 milion euro, që paraqet një rritje rreth 6% krahasuar me nivelin e përgjithshëm të shpenzimeve në vitin 2014.

Shikuar nga këndvështrimi i kategorive ekonomike, buxheti për Paga do të ketë një rritje të konsiderueshme nga 487.1 milion euro në vitin 2014 në 549.1 milion euro në vitin 2015, konform Vendimit të Qeverisë të këtij viti për rritjen e pagave për nëpunësit publik në nivelin prej 25%.

Është planifikuar zvogëlim në kategorinë e Mallrave dhe Shërbimeve dhe komunalive (nga 255 milion euro në vitin 2014, në 218 milion euro në vitin 2015 apo një zvogëlim prej 15%, që reflekton politikën e njëjtë të kursimit në këtë kategori edhe gjatë vitit 2014). Kjo bëhet me qëllim të racionalizimit të shpenzimeve operative , por që në asnjë rast nuk prek funksionalitetin e agjensioneve buxhetore posaçërisht mirëmbajtjen e projekteve investive në infrastrukturën rrugore, arsimore, shëndetësore, mirëmbajtjen e  objekteve të administratës publike, etj.

Gjithashtu, edhe kategoria e  Subvencioneve dhe Transfereve është planifikuar që të rritet nga 314.1 milion euro sa ishte në vitin 2014  në 437.7 milion euro në vitin 2015. (një rritje prej 39%). Kjo rritje reflekton vendimin e Qeverisë për rritjen e pensioneve për rreth 25% për tërë vitin 2015, ndarjen e 11.0 milion eurove për ish të dënuarve politik, 24 milion euro për veteranët e luftës dhe kemi një rritje të madhe për subvencionimin e sektorit të bujqësisë  (nga 11.8 milion euro sa ishin në vitin 2014 në 53.6 milion euro në vitin 2015).

Sa i përket shpenzimeve kapitale, ato pritet të jenë në vlerë prej 470.1 milion euro. Me këtë buxhet të planifikuar, pjesëmarrja e shpenzimeve kapitale në shpenzimet e përgjithshme buxhetore mbetet edhe më tutje e lartë në rreth 28%. Edhe me buxhetin e planifikuar, ne do të vazhdojmë me investimet tona në gjitha fushat me prioritet dhe ajo që është shumë e rëndësishme, do vazhdohet me investime në infrastrukturën rrugore, duke përfshirë edhe Autostradën në drejtim të Shkupit, si dhe ndërtimin e shumë projekteve tjera të rëndësishme në mesin e tyre edhe ndërtimin e rrugëve  M2 dhe M9, respektivisht rrugët për Mitrovicë dhe Pejë. Gjithashtu, planifikohen të fillojnë investimet edhe në rrjetin infrastrukturën hekurudhore,

Dëshiroj të theksoj edhe një herë se me këtë propozim buxhet, kemi bërë përpjekje maksimale që të akomodojmë të gjitha prioritetet e Qeverisë për financim.

Gjithashtu ky buxhet parasheh financimin e reformave të Qeverisë në sektorët  e: Arsimit, Shëndetësisë, Administratës Publike, Sigurisë, Ambientit e kështu me radhë.

Në këtë drejtim ju njoftoj më konkretisht rreth buxhetit të planifikuar sipas sektorëve me prioritet:
1.    Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural: rritje në buxhetin e vitit 2015 për rreth 32.3 milion euro. Kjo rritje kryesisht ka të bëjë me rritjet e subvencionimit për sektorin e bujqësisë, pemëtarisë dhe blegtorisë, mbulon obligimet nga huamarrja që ka kjo ministri,
2.    Ministria e Shëndetësisë: rritje për rreth 2.2 milion euro, që kryesisht reflekton reformën në sektorin e Shëndetësisë, duke përfshirë edhe implementimin e Ligjit për sigurimet shëndetësore ku janë planifikuar 10 milion euro në formë të kontigjencës në Ministrinë e Financave. Gjithashtu, në kuadër të buxhetit të shëndetësisë, janë planifikuar 5 milion Euro për trajtime jashtë vendit. Në kuadër të reformave në këtë sektor, këtë vit është krijuar edhe shërbimi spitalor universitar i Kosovës, si organizatë e pavarur buxhetore, gjë që do të ketë efekte në rritjen e performancës së shërbimeve shëndetësore ndaj qytetarëve;
3.    Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë: në sektorin e arsimit, në vitin 2015 është rritur granti specifik për arsim prej 10 milion Euro, dhe po ashtu do të vazhdojnë investimet kapitale në ndërtimin e objekteve shkollore dhe në funksionalizimin e universiteteve të reja. Ky projekt buxhet e reflekton adresimin e politikave qeveritare për rritjen e kualitetit të arsimit.
4.    Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale: rritje për rreth 79.3 milion euro për të mbuluar vendimin e qeverisë për rritje të pensioneve, për implementimin e skemës për ligjin për ish të përndjekurit politik dhe pjesa tjetër është planifikuar për rritjen natyrale të përfituesve të skemave sociale dhe pensionistëve;
5.    Është rritur buxheti për Sektorin e Drejtësisë dhe Sigurisë, kryesisht për forcimin dhe përkrahjen e reformave të këtij sektori, procesin e liberalizimit të vizave , si në vijim:

•    Ministria e Punëve të Brendshme – rritje prej €9.0 milion
•    Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës – rritje prej €3.0 milion
•    Këshilli Gjyqësor i Kosovës – rritje prej rreth €0.7 milion dhe
•    Prokurori i Shtetit – rritje prej rreth €0.2 milion.

Është me rëndësi të theksohet se ky propozim Buxhet, parasheh edhe financimin e projekteve kapitale sipas prioriteteve të Komunave.

Kur flasim për nivelin lokal, dua të ju informoj se Qeveria ka aplikuar parimet, kriteret dhe formulat bazë për ndarjen e granteve qeveritare për financimin e komunave për vitin 2015. Ndërsa, komunat kanë bërë shpërndarjen e të hyrave vetanake në kategoritë e shpenzimeve Kapitale, Mallra dhe Shërbime apo Transfere dhe Subvencione, në mënyrë që prioritetet e tyre të adresojnë nevojat e qytetarëve.

Nga materialet që keni para jush, Tabela 1 përmbledhëse: bilanci i të hyrave dhe shpenzimeve komunale pasqyron burimet e financimit (424,164,655 euro), strukturën e shpenzimeve (412,185,430 euro) dhe bilancin e buxhetit komunal (11,979,228 euro).

Tabela shtesë (formati në Excel) Nën totali A pasqyron buxhetin për 33 komuna të aprovuara nga Kuvendet Komunale, si dhe Nën totali B pasqyron buxhetin e komunës së Prishtinës dhe katër (4) komunave veriore, të cilat komuna nuk kanë arritur të aprovojnë buxhetin në Kuvendet Komunale sipas kufijve me Qarkoret Buxhetore 2015/01 dhe 02.

Si rrjedhojë, duke u bazuar në nenin 62 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, i cili përcakton procedurën në rast se kuvendet komunale dështojnë që me kohë të miratojnë dhe dorëzojnë propozim buxhetet në Ministrinë e Financave. Në këto raste Ministri i Financave është i autorizuar që të përgatit propozim buxhetet për komunat përkatëse sipas buxheteve të vitit ekzistues fiskal. Në rastin e komunës së Prishtinës është zbatuar vendimi i Qeverisë për zbritjen e kostos shtesë prej 6.9 milion euro si vit tranzitor 2014 si dhe në rastin e katër komunave veriore, është marrë për bazë niveli i Buxhetit të vitit paraprak (2014). Në fakt, kjo tabelë shtesë specifikon ndarjet buxhetore të aprovuara me dokumentin e KASH-it 2015-2017 dhe përmes Qarkoreve Buxhetore 2015/01 dhe 02 për komuna. Ndërsa diferenca e garantëve qeveritare dhe të hyrave vetanake është prezantuar në pjesën e bilancit të kësaj tabele.

Të nderuar kolegë,

Më lejoni të ju informoj se projekti i Qeverisë që ka filluar në Janar të vitit 2012 për emetimin e letrave me vlerë, deri tani ka qenë shumë i suksesshëm dhe ne presim që edhe vitin e ardhshëm të vazhdojmë me emetime të reja të këtyre instrumenteve.  Objektivë e jona është që edhe me tutje të kontribuojmë në zhvillimin e këtij tregut duke emetuar instrumente afatgjate  me synim qe te zgjerojmë bazën e investitorëve. Kostoja e këtij burimi të financimit ka qenë shumë më e ulët krahasuar me koston e vendeve rajonale dhe  synojmë që edhe vitin e ardhshëm të kemi një kosto të përballueshme për buxhetin ne aspektin afatgjatë. Kjo reflekton stabilitetin e sektorit financiar e bankar si dhe sigurinë dhe perceptimin pozitiv të investitorëve për vendin tonë.

Me anë të këtij propozim-buxheti, mundësohet respektimi në tërësi i Rregullës fiskale i cili kufizon deficitin e përgjithshëm buxhetor në 2% të BPV-së i cili është paraparë me Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive. Në të njejtën kohë përmes implementimit të kësaj rregulle sigurohet  një qëndrueshmëri afat-gjate të financave publike të vendit.

Duke qenë se orientim parësor i qeverisë është ruajtja e stabilitetit makro-fiskal, ne planifikojmë që gjendja e bilancit bankar të jetë më e lartë se viti paraprak (për 3.7 milion më e lartë)

Të nderuar Ministra,

Më lejoni që të theksojë edhe njëherë se ky Buxhet i prezantuar para jush është në linjë të plotë me objektivat e Qeverisë për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe qëndrueshmëri e stabilitet makro-fiskal.  Besojmë se me këtë propozim kemi arritur që t’i financojmë kërkesat me prioritet të secilës organizatë buxhetore dhe njëkohësisht të ruajmë stabilitetin buxhetor që është parakusht për rritje të qëndrueshme ekonomike.

Të nderuar anëtar të kabinetit Qeveritar,

Propozim Buxheti të cilin po e prezantoj sot për miratim, është dokumenti kryesor i zhvillimit të politikave ekonomike të vendit, i cili si i tillë do të sigurojë vazhdimin e rritjes ekonomike dhe rrjedhimisht edhe përmirësimin e mirëqenies dhe standardit të jetësor të qytetarëve tonë.

Pas diskutimit që do të kemi për këtë propozim-Buxhet, ju ftoj që të aprovojmë atë dhe të përcjellim në Kuvend brenda afatit kohor të paraparë me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë” ka thënë ministri Besim Beqaj.

Projektbuxheti i miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës, sipas afateve ligjore. 

 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors