Prishtinë, 3 tetor 2014
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përgëzon kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava dhe besimtarët islamë të Kosovës, me rastin e festës së Kurban Bajramit. Në mesazh thuhet:
I nderuari z. Tërnava,
Të nderuar qytetarë të Kosovës të besimit islam,
Në këtë ditë të rëndësishme, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, jam i nderuar t’ju përcjell urimet më të sinqerta për Festën e bekuar të Kurban Bajramit.
Festa e Kurban Bajramit e lartëson shpirtin e besimtarëve, forcon besimin në Zot, i bashkon ata, ngrit ndjenjat e solidaritetit ndër-njerëzor dhe zgjon idenë e sakrificës për të mirën e përgjithshme.
Festa e Kurban Bajramit e gjen Kosovën në rrugën e konsolidimit të mëtejmë të shoqërisë së lirë dhe demokratike, drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, rritjes së mirëqenies për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim feje dhe etnie, ku respektimi i të drejtave dhe lirive njerëzore janë kushte themelore të demokracisë së shtetit tonë të ri.
Në këtë ditë të shenjtë, kujtojmë dhe nderojmë në mënyrë institucionale sakrificën e gjithë dëshmorëve dhe martirëve të lirisë, sakrificën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, që janë bazament i fuqishëm i ndërtimit të vlerave qytetëruese të shtetit të Kosovës.
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Republikës së Kosovës
