Prishtinë, 3 tetor 2014
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës është përgjigjur në interesimin e gazetarëve për zhvillimet aktuale në procesin e ndërtimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit.
Gjeni më poshtë të plotë deklaratën e kryeministrit Hashim Thaçi për zhvillimet aktuale në vend:
Unë vazhdoj të ritheksoj si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, parti kjo fituese të tetë qershorit, zgjedhje këto fer, të lira, demokratike, transparente, dhe shembull edhe për krejt rajonin. Natyrisht, pas këtij procesi, spektri politik kosovar u ballafaqua me sfida, sfida që tanimë janë të tejkaluara dhe të qarta në kuptimin kushtetues dhe ligjor, pra zgjidhja duhet të jetë në përputhshmëri me rezultatin zgjedhor të tetë qershorit, të respektimit të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
I ftoj të gjithë liderët politikë që të gjejnë vullnetin e mirë, për t’u ulur, për të diskutuar, dhe për të komunikuar, dhe duke komunikuar të gjejmë zgjidhjen që është në interes të vendit, në interes të qytetarëve, që garanton qeverinë stabile, efikase, të funksionimit të standardeve evropiane , që i hap vendit një perspektivë euroatlantike, zhvillimore, të rendit dhe të ligjit, dhe natyrisht kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet vullnetit të mirë.
Unë i ftoj që të takohemi, të bisedojmë të gjejmë zgjidhjen përmes marrëveshjes. Nuk ka marrëveshje pa komunikim, dhe komunikimi është baza e demokracisë së një vendi.
Kemi pasur situata jo të këndshme edhe në të kaluarën ndonjëherë, por gjithmonë jemi ulur dhe kemi diskutuar, dhe kemi gjetur zgjidhjen në të mirë të vendit dhe të shoqërisë.
Ndërtimi i institucioneve tanimë nuk është vetëm çështje e një adrese politike, por është edhe përgjegjësi e gjithë spektrit politik kosovar. Natyrisht, është mirë që të kemi edhe mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.
Por , duke lejuar edhe presidenten që të vazhdoj së lehtësuari këtë proces me takimet e saj, në zyrën e saj.
E theksova, zgjidhja duhet të gjendet duke respektuar rezultatin zgjedhor të tetë qershorit, vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ajo që është me rëndësi është se ne ofrojmë mundësinë që të takohemi, të bisedojmë, dhe në kuadër të këtij komunikim të brendshëm, ndërpartiak, të gjendet zgjidhja të arrihet marrëveshja. Dhe me marrëveshje gjithmonë kurrkush nuk mund të arrijë atë që dëshiron.
