Prishtinë, 3 korrik 2014
Në vazhdim, po e prezantojmë të plotë fjalimin e Kryeministrit Hashim Thaçi, mbajtur në ceremoninë e përurimit të Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit – Autostradës “Arbën Xhaferi”
E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, znj. Jahjaga
I nderuari zëvendëskryeministër i Maqedonisë, z. Xhaferi
Të nderuar zëvendëskryeministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës
Ministra
Deputetë të mandatit të kaluar dhe ju të rinjtë që jeni zgjedhur në Kuvendin e ardhshëm të Republikës së Kosovës
Ju të nderuar ambasador
E nderuara ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj Jacobson
Të nderuar ambasadorë të vendeve tjera të Bashkimit Evropian
Përfaqësues të konzorciumit Bechtel Enka
Të gjithë ju të pranishëm
Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, t’iu falënderoj në këtë ceremoni modeste, por me fuqi të madhe për të ardhmen e Kosovës, të organizuar nga Ministria e Infrastrukturës, me rastin e fillimit të punimeve të projektit madhor, të projektit të ëndrrave të qytetarëve të Kosovës por edhe të rajonit, pra të fillimit të ndërtimit të autostradës Prishtinë-Ferizaj-Kaçanik-Hani i Elezit. Urime dhe faleminderit shumë.
Sot është një ditë e veçantë për shtetin e Kosovës, për qytetarët e Kosovës dhe për rajonin. Efekti i fillimit dhe ndërtimit të kësaj autostrade nuk do të jetë vetëm për Kosovën, por do të jetë një efekt i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe vendeve tjera të rajonit, jo vetëm në lidhshmërinë e komunikacionit, por në veçanti do ta ketë efektin e madh për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës, në krijimin e vendeve të reja të punës dhe për rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës.
Sot, shteti i Kosovës kur është njohur nga 107 shtete të fuqishme të botës demokratike, jo vetëm që po forcon subjektivitetin e vet ndërkombëtar, duke u integruar në shumë mekanizma rajonal dhe ndërkombëtar, por edhe po modernizohet dhe po zhvillohet dhe, shembulli më i mirë është kjo pjesë ku jemi sot ulur, kjo pjesë ku edhe po fillojmë ndërtimin e Autostradës numër 6 Prishtinë-Han i Elezit-Shkup.
Ne, vitin e kaluar përmbyllëm me sukses të plotë ndërtimin e autostradës prej Shqipërisë deri në Prishtinë, një prej veprave më të bukura dhe më madhështore në rajon.
Dëshiroj të shpreh falënderim për konsorciumin Bechtel & Enka për punën e tyre të shkëlqyeshme që e kanë bërë.
Sot është një ditë e veçantë për shtetin e Kosovës, sot është një ditë e bekuar, sepse ne po vazhdojmë për të punuar, për të modernizuar vendin tonë, ne po vazhdojmë për të ndryshuar edhe më fuqishëm vendin tonë, për t’a bërë vendin tonë një vend evropian, një shtet modern dhe të zhvilluar.
Projekti i Autostradës Prishtinë-Shkup, është projekti më madhor yni, që hyn në kuadër të pikave më të rëndësishme që kemi prezantuar në Misionin e ri para qytetarëve të Kosovës dhe ky projekt e ka fituar besimin qytetar, e ka fituar besimin e Qeverisë së Kosovës, si një prej projekteve më të rëndësishme.
Uroj që edhe Qeveria e Maqedonisë, nga ky projekt të inkurajohet dhe nga unaza e Shkupit, të nis sa më shpejt deri në Han të Elezit, në mënyrë që dy kryeqytetet tona të jenë më afër me njëra-tjetrën.
Po fillojmë implementimin serioz të Misionit të ri dhe ky projekt madhor për vendin tonë, për shtetin tonë, kemi vendosur që të emërtohet me emrin e intelektualit më të spikatur të kombit tonë, Arbën Xhaferi.
Urime, e gëzofshi!
*********
Informacione shtesë rreth projektit të Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit (Rruga 6):
Qeveria e Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës, përmes një procesi transparent ka përcaktuar “Bechtel Enka General Partnership” (BEGP) për të ndërtuar autostradën 60 kilometërshe, që lidh kryeqytetin e Kosovës me Maqedoninë. Autostrada e re, Rruga 6, do të lidh Kosovën me vendet e rajonit dhe do të jetë autostrada e dytë kombëtare e Kosovës.
Koha për përfundimin e punimeve në Rrugën 6 do të jetë 42 muaj, duke nisur nga fillimi i korrikut 2014. Pra, data e përfundimit të punimeve është 1 janari 2018.
Ndër të tjera, në punët që do të bëhen janë edhe ndërtimi i 8 urave (më e gjata do të jetë 870 m, më e madhja në Kosovë, duke tejkaluar edhe dy urat që janë ndërtuar në rrugën 7), pastaj 6 kryqëzime në disnivel, 2 zona të shërbimit dhe 1 (një) zonë për mirëmbajtje në rreshtim kryesor, 29 mbikalime dhe 17 nënkalime, së bashku me një numër të mureve mbajtëse dhe sistemin e drenazhimit.
